
Pas betejës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe refuzimit të tij për ta kthyer sërish në gjyqësor ish-prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, ajo i drejtohet drejtesisë më një kërkesë padi ku i kërkon Gjykatës Administrative të detyrojë KLD që ta emërojë ish-kryeprokuroren, e profilizuar më herët si gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
Jo vetëm kaq, por ish-kreu i akuzës kërkon që KLD të detyrohet për t’i paguar të gjitha pagat që ajo duhet të merrte si gjyqtare që nga dhjetori 2012 e në vijim, si edhe t’i dëmshpërblejë dëmin moral të shkaktuar nga disa anëtarë për fyerje të lëshuara gjatë mbledhjes.
Zonja Rama kujton në padinë e saj se pasi la postin e Prokurores së Përgjthshme në janar 2013, iu drejtua zv.kryetarit të KLD-së dhe Presidentit për dijeni që ta rikthenin si gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë si një vend i barazvlefshëm me atë të Apelit të Krimeve të Rënda ku ka qenë me detyrë të mëparshme, e për të shmangur edhe konfliktin e interesit që vjen nga firmosja e hetimeve përgjatë kohës që ishte në krye të organit të akuzës.
Zonja Rama thekson se pas kërkesës që nga janari 2013 ajo nuk ka marrë asnjë përgjigjje dhe asnjë komunikim nga KLD se përse cështja e saj nuk u fut në rend dite edhe pse gjatë kësaj kohe KLD ka zhvilluar dhjetra mbledhje e miratoi gjyqtarë për vendet vakante në Gjykatën e Apelit.
Për pozicionin e kreut të KLD Ina Rama thotë:
“Ndërkaq, gjatë kësaj kohe, Presidenti i Republikës në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të autoritetit i cili ligjërisht përcakton rendin e ditës së KLD, është shprehur, në mënyrë të përsëritur e publikisht në daljet e tij në media se, kërkesa e bërë nga paditësja Ina Rama, për t’u emëruar si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë, është ligjërisht e pabazuar, duke u shprehur po kaq qartë se, nëse ajo kërkonte të emërohej në atë detyrë, duhet t’i nënshtrohej konkurimit, duke garuar në të njëjtat kushte si dhe gjyqtarët e tjerë të cilët konkurronin për ato pozicione. Në këto kushte, duke parë mos reagimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për më shumë se 11 muaj dhe të vetë Presidentit të Republikës, si autoriteti përcaktues i rendit të ditës në mbledhjet e KLD-së, në datën 03.12.2013, paditësja i është drejtuar përsëri zyrtarisht Presidentit të Republikës dhe Këshillit të Ministrave (Ministrit të Drejtësisë), duke u shprehur shqetësimin e saj dhe parashtruar situatën e pasigurisë së theksuar juridike, të krijuar gjatë kohës që kërkesa për emërimin si gjyqtare, mbetej e patrajtuar nga KLD”.
Duke iu referuar vendimit që rrëzoi kërkesën e saj , ish-prokurorja e Përgjithshme thotë se KLD duhet të vendoste për emërimin në Gjykatën e Apelit jo vetëm në referim të ligjit, por edhe nisur edhe nga vendet vakante në këtë gjykate. Rezulton e provuar se nga momenti i paraqitjes së kërkesës në KLD. thuhet në padi, ekzistonin dhjetë vende vakante në Apel, ndërkohë që në datën e shqyrtimit vijonin të ishin vakante pesë vende të tjera në të njejtën gjykatë, theksohet në kërkesë-padi.
Në referim të argumentit të KLD-së se zonja Rama duhet të konkuronte për në Apelin e Tiranës, pasi më herët ka qenë e emëruar tek Apeli i Krimeve të Rënda. Ish-prokurorja replikon duke e konsideruar si një sfidë e hapur ndaj ligjit nga KLD, një organ ky që i parë nga Ina Rama është tërësisht kontradiktor në argumentat për këtë vendmmarrje.
Nëse do të ishte e nevojshme të konkuronte kjo mund të ndodhte, ironizon ish-prokurorja e Përgjitshme, vetëm nëse për të njëjtin vend në Apel do të mund ta kërkonin dy ish-prokurorë të Përgjithshëm. Madje ish-prokurorja e Përgjithshme shton se vetë anëtarët e KLD në këtë vendim janë në konflikt interesi të qartë, të cilët vijojnë të jenë gjyqtarë në Shkallën e Parë apo në Apel, e disa të tjerë janë kandidatë, sipas ish-Prokurores së Përgjithshme për t’u emëruar e për të konkuruar për në Apelin e Tiranës.
Duke iu referuar procesverbalit të kësaj mbledhjeje zonja Rama nënkupton se i është shkaktuar dëm moral pasi disa anëtarë të KLD, si Gjin Gjoni kanë shprehur mendime personale gjatë mbledhjes nuk kanë thënë të vërtetën për kërkesën e saj të depozituar në KLD.
“Këta anëtarë të KLD-së, qartazi shprehin rrethana të pavërteta dhe denigruese për personin e paditëses, duke qenë se ky Këshill, e shqyrtonte më në fund kërkesën e paditëses pas më shumë se 1 viti, duke qenë i provuar fakti se kërkesa është dërguar zyrtarisht nga paditësja në datën 14.01.2013! Janë pikërisht të njëjtët anëtarë, të cilët kanë pasur përpara në mbledhje kërkesën e përsëritur të paditëses Ina Rama dhe janë shprehur e kanë komentuar mbi përmbajtjen e saj. Por, po kaq qartë e njëjta kërkesë përmban shqetësimin e paditëses për mos shqyrtimin gjatë gjithë kësaj kohe të këtij kërkimi, duke u kërkuar madje dhe arsyet e këtij veprimi”, thuhet në kërkesë-padinë e zonjës Ina Rama.
Top Channel