
Cdo vit deti përparon me 2.5 metra në zonën e lagunës së Kune Vainit, por edhe në bregdetin e Shëngjinit.
Duket e çuditshme, por në 75 vjet në këtë zonë deti ka përparuar rreth 400 metra drejt tokës, atje ku zonat janë më problematike, çka do të thotë se me këtë ritëm për rreth 12 vjet në shumë pika ku largësia e rrugës është 30 metra, deti mund ta marrë edhe atë.
Jak Gjini, specialist mjedisi, shpjegon se si deti gjithmonë e më shumë po “ha” tokën: “Ka zona që kjo shifër arrin edhe në 4 metra, ku shohim pyje që janë tjetërsuar. Deti ka fushë të lirë dhe në momentet e përmbytjes kalon edhe digat mbrojtëse.”
Vetëm në 5 vitet e fundit përparimi i detit është mjaft i qartë e ndërsa shenjat janë të dukshme, pjesë bunkerësh ende të pambuluar nga uji e ndërsa bimësia është shkatërruar tërësisht nga uji i kripur.
“Kemi pasur sipërfaqe të tëra me pyje që janë tharë. Aq agresiv dhe i shpejtë është erozioni sa nuk ka kohë për ripërtëritje”, shton Gjini.
Zona e mbrojtur si rezerva natyrore e menaxhuar e Kune-Vainit në Lezhë përfaqëson një zonë me vlera të larta ekologjike dhe biodiversiteti. Në një shikim të parë, askujt nuk do t’i kujtohej erozioni, kushtet klimatike apo largimi i shpendëve pasi pamja që kjo zonë ofron është ende e këndshme.
Por, kur specialistët që e kanë studiuar dhe kanë parë nga afër transformimin e kësaj zone, por edhe thjesht ata që e kanë vizituar dikur, tregojnë se ajo ishte shumë herë më e pasur nga sa është, tregojnë se si ka ndikuar erozioni.
Top Channel