ILIR YZEIRI – Brenda një jave ndodhin shumë pak ngjarje që mund të kenë ndikim të vërtetë mbi jetën publike të këtij vendi.
Nëse vështron ligjërimin politik, shpesh ai nuk vërtitet rreth problematikave të reformës që po ndërmerr qeveria. Opozita në Shqipëri e përfill veten si pronarja e vetme e kritikës dhe e kundërshtimit apo refuzimit të punëve që bën qeveria. Mirëpo opozita jonë vijon të veprojë me strategjinë komuniste të konspiracionit. Ish-ministri i Mbrojtjes deklaron në Kuvendin e Shqipërisë, se Forcat e Armatosura të Shqipërisë merren me trafik droge. Është një akuzë tepër e rëndë që përsëritet një ditë më pas edhe nga ish-kryetari i KQZ-së që zgjodhi Lulzim Bashën kryetar bashkie. Paralelisht me këtë, një tjetër zyrtar i lartë i opozitës, ish-ministër i Brendshëm i PD-së, zbulon një tjetër scoop. Ai tregon një sms që Kryeministri Edi Rama ia paska çuar ministrit të Brendshëm, Tahiri. Të duket sikur jetojmë në një vend që është ende në gjendje lufte dhe institucionet e pavarura të drejtësisë nuk ekzistojnë ende. Në vend të tyre qarkullojnë traktet dhe pamfletet politike që janë të tejmbushura me sulme konspiracioniste. Në një vend normal, e para, nuk do të hidheshin akuza të tilla në Kuvend, por do të denoncoheshin në organet e drejtësisë, e dyta, ai që do të artikulonte një akuzë të tillë, do të duhej të thërritej menjëherë që të depononte ose do të merrej i pandehur për shpifje dhe ndotje të mjedisit publik. Mirëpo këtu asgjë nuk ndodh dhe kësaj klime të rëndë i shtohen herë pas here edhe rilexime që i bëhen historisë së Shqipërisë, duke përdorur edhe në këtë rast konspiracionin intelektual. Një profesor nga Prishtina, që ashtu si shumë shqiptarë andej e këtej kufirit identifikohen më parë si turq ose si islamikë e pastaj si shqiptarë, thotë se vargjet e Çajupit: “Kur bëre dërr’ e arinë/ ç’deshe që bëre Turqinë?” janë vargje idiote. Pastaj arsyetimi se Perandoria Osmane ishte e ligjshme, se ardhja e saj në Ballkan ishte një shpëtim për Ballkanin dhe për ne shqiptarët, këto janë teza që nuk thuhen nga një idiot, por nga një profesor universiteti që ka gjithë të drejtën ta lexojë historinë si një tekst të shkruar prej tij. Gjithkush është i lirë të zgjedhë identitetin e tij, por askush nuk mund ta zhbëjë një tekst për të ndërtuar një opinion. Problemi i identitetit të shqiptarëve është një çështje kyç, që mesa duket jo vetëm që nuk është zgjidhur, por që do të fillojë të rëndohet gjithnjë e më shumë në rrymë të kohës. Më në fund ne po shohim se nuk kemi institucione të besimit që të jenë të qëndrueshme dhe t’i arsyetojnë shqiptarët si komb. Kur lexon këtë koment të profesorit nga Prishtina, që i quan idiote vargjet e Çajupit për Turqinë, gjëja e parë që të vjen në mendje është konteksti dhe Rilindja Kombëtare. Ka dy mendime për Perandorinë Otomane, njëra që e shpall atë shpëtimtare për kombin tonë dhe tjetra që e quan katastrofike shkatërrimin e vendit tonë nga kjo perandori e së keqes. Historia na tregon se shqiptarët në fillim luftuan për të ruajtur fenë e tyre të krishterë dhe Skënderbeu u bë kampion i ruajtjes së këtij identiteti. Po ashtu, martirët dhe autorët e vjetër me Bogdanin e madh na lanë një dëshmi të jashtëzakonshme të këtij identiteti, ashtu si arbëreshët e Italisë që ruajtën imazhin e Shqipërisë paraosmane në këngë e poema të mrekullueshme. Sot flitet shumë për logocentrizmin dhe etnocentrizmin. Qytetërimi europian, kampion i së cilës ishte dhe Heroi ynë Kombëtar, është ndërtuar mbi themelet e lirisë dhe të demokracisë. Është e vërtetë se edhe gjatë periudhave historike të kristianizmit, ka pasur vite e vite të errëta, siç është ajo që Dora D’Istria e quan “kristianizmi islamik” periudhën e errët të inkuizicionit në Spanjë. Ndaj askush nuk mund të zgjedhë një qytetërim në dëm të një tjetri. Historia e shqiptarëve është historia e vështirë e shkatërrimit të qytetërimit kristian dhe konvertimit në masë në fenë islame. Kundër kësaj zhbërjeje u ngritën në radhë të parë elitat shqiptare që jetonin në kryeqytetin e Perandorisë Otomane dhe e ngritën zërin që shqiptarët t’i bashkohen familjes europiane, Perëndimit. Disa herë përmendet paradigma e fesë islame përkundër asimilimit ortodoks grek ose sllav dhe thuhet se ky konvertim ishte shpëtimtar për kombin tonë. Po si mund të jetë kështu, kur gjuha shqipe përgjatë pesë shekujsh ishte e ndaluar edhe me ligj që të përdorej në shkolla apo në administratën publike. Siç është thënë me dhjetëra herë, gjuha shqipe dhe në mos gaboj edhe bjellorusishtja sot, janë ndaluar me dekret të posaçëm që të përdoren. Në ç’mënyrë e paska shpëtuar islamizimi shqiptarësinë kur ai i kishte hequr elementin bazë të identifikimit, gjuhën. Perandoria Osmane, përkundrazi favorizonte greqishten dhe sllavishten, por jo shqipen dhe shqiptarët. Si mund të quhet përparimtare një perandori si ajo otomania, prej së cilës ne shqiptarët që e kishim mbështetur në masë, që ishim konvertuar në masë, dolëm nga ai regjim si vendi më mizerabël, më i prapambetur, më i mjeruar në Europë. Nuk kishim asnjë institucion qytetërimi. Nuk kishim asnjë sallë kinemaje, teatri, asnjë stacion treni. Si mund të thuhet sot, se Perandoria Otomane ishte një faktor i ligjshëm dhe një fuqi progresive, siç thotë profesori nga Prishtina. Natyrisht, secili është i lirë ta lexojë historinë sipas tekstit që shkruan vetë, por kjo nuk do të thotë se kështu i kemi dhënë përgjigje krizës së identitetit në të cilën jemi futur. Sa i takon ortodoksisë, ne shqiptarët, siç e ka vënë në dukje me kompetencë prof. Nasho Jorgaqi, duhet t’i jemi mirënjohës deri në fund Fan Nolit, i cili u vesh prift dhe shpëtoi popullsinë ortodokse shqiptare nga greqizimi dhe aneksimi. Vepra e këtij vigani është e paimagjinueshme sot, por ajo nuk përmendet ashtu siç do të duhej të vihej në dukje, sepse krejt Rilindja shqiptare, gjithë mundi i atyre njerëzve të mëdhenj që u përpoqën ta kthejnë këtë vend me fytyrë nga Europa e krishterë, po nëpërkëmbet sot nga lloj-lloj shqiptarësh që e ndiejnë veten keq pse jetojnë në Europë dhe përse nuk thirren turq.
Top Channel