
Një video të re tepër tronditëse, nga çastet e fundit të jetës së Ilia Karelit në burgun e Nigritës, ka publikuar të shtunën në mbrëmje kanali televiziv privat “Alpha”, në Greqi.
Në këto sekuenca shquhet i burgosuri shqiptar, kur është sjellë nga rajoni i policisë dhe është nxjerrë në fotografi me shenjat e disa gjuajtjeve në trup, midis të tjerash një hematomë në syrin e majtë dhe një në dorë.
Por, është më se e qartë që është në gjendje të mirë, pasi ecën pa probleme. Ndërsa në sekondat e tjera të videos, pasi nxirret nga dhoma e torturave, ku është gjuajtur nga rojet e burgut për më shumë se 2 orë e gjysmë, ai duket i rraskapitur dhe dy gardianë pothuajse e tërheqin zvarrë gjysmë lakuriq, si dhe e çojnë në qelinë e tij.
Në këto pamje duket se gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë dhe ai, i shtrirë lakuriq në krevat, duket se vuan nga dhimbjet e shkaktuara nga torturat.
Gjithashtu, në video shquhet edhe një person me një këmishë blu, që besohet se është drejtori i burgut, që ka hequr tashmë xhaketën, i cili ecën lirshëm pak metra larg vendit ku torturohet Kareli, vetëm tre minuta para se ta nxjerrin prej atje, sipas orës së xhirimit të videos.
Megjithëse akuzohet se ka fshehur një krim, që ka ndodhur në burgun që ai drejton, në dëshmitë e tij ai ka pohuar se nuk e dinte, që rojet torturonin për kaq orë 42-vjeçarin shqiptar.
Orët e fundit u bë e njohur se 6 gardianët, që janë burgosur për çështjen “Kareli” janë çuar tashmë në burgun e Dhiavatasë, 40 km pranë Selanikut, nën masa të rrepta sigurie, që të mos konfrontohen me të burgosurit shqiptarë dhe të huajt e tjerë, që vuajnë dënimet në këtë burg.
Një prej shtatë rojeve, që ishte thirrur për të dëshmuar të premten që kaloi, ka pohuar se ka lënë turnin në kohën që kanë sjellë Karelin në burg, kështu që i është kërkuar të vërtetojë në ditët në vijim këtë fakt, që mund ta nxjerrë atë të pafajshëm.
Katër të tjerët dëshmojnë ditën e hënë dhe dy të fundit, nga gjithsej 15 roje që akuzohen për torturat, që i sollën vdekjen të dënuarit shqiptar, dëshmojnë ditën e martë.
Top Channel