
Pas deklaratave të Kryeministrit Rama, duket se jemi në një veprim konkret për sa i përket reformës administrativo-territoriale. Opozita do të pritet deri ditën e enjte, nëse nuk do të japë konsensusin për këtë reformë, atëherë mazhoranca do të vazhdojë e vetme deri në votimin e saj në Parlament.
Për të biseduar në lidhje mbi këtë çështje i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ka qenë kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.
Pandi Gjata: Është folur gjatë për konsensus, tani duket se kemi një ultimatum nga mazhoranca për sa i takon afatit që është vendosur deri ditën e enjte, për të pritur opozitën, në të kundërt do të vazhdohet puna nga mazhoranca e vetme dhe më pas miratimi me 84 votat që ju tashmë i keni, apo jo?
Petrit Vasili: Kam një diferencë në përcaktorin që ju përdorët, pasi nuk është një ultimatum, por një përcaktim politik që opozita të reflektojë mbi reformën. Hapësira në dispozicion ka qenë e bollshme, komisioni ka qenë tërësisht i barabartë. Opozitës i janë njohur hapësira që ajo nuk i ka në bazë të rezultatit elektoral të arritur. Megjithatë, të prirur nga një filozofo konsensusi e kemi ndërtuar në këtë formë, por gjithmonë ka një hapësirë të cilën ose e përdor ose jo. Opozita ka vështirësi të mëdha të dalë nga ngërçet e veta, ka vështirësi të asimiloi ‘traun’ e zgjedhjeve të fundit. Opozita problemin e saj kërkon ta shpërndajë diku, te reforma administrative ose në çështje të tjera. Reformat e mëdha që Shqipëria kërkon të realizojë me qeverisjen e re nuk kanë kohë për pritje pa fund.
Pandi Gjata: Dhe e enjtja duket se është limiti i fundit për të pritur opozitën. LSI është veçuar gjithmonë për rolin negociator me PD, me opozitën për të qenë pjesë e këtij konsensusi?
Petrit Vasili: Çfarë hapësire do t’i krijojmë opozitës kur opozitës pa negociuar i kemi dhënë aq sa i kemi dhënë vetes në komisionin përkatës, i cili do të përgatisë atë produkt që do të shkojë në sallën e Parlamentit. Shqiptarët duhet ta dinë se reforma do të përgatitet në ata komision ku je të ndarë 8 me 8 dhe më pas do të votohet në Parlament. Çdo gjë është publike. Nuk ka nevojë për negociata të mëtejshme dhe më pas në komision të ndahemi për ato që kemi të veçanta dhe të bashkohemi për të njëjtat dhe të kërkojmë kompromiset brenda komisionit. Kam dëgjuar liderin e opozitës, i cili thotë se do të dalim përpara me Kushtetutë në dorë. Kushtetuta që do të marrë në dorë zoti Basha është miratuar në vitin 1998, por shqiptarët e dinë se PD e ka bojkotuar në atë kohë, do të thotë nuk ka pse kthehet. PD nuk ka kapacitetet të marrë pjesë në gjërat e mëdha. Më duket se nuk çlirohet dot nga sindromi i 98-ës. Shpesh kemi dëgjuar që arsyetimet janë të karakterit elektoral, nuk ndodh që nga ana elektorale, këtë shqiptarët duhet ta dinë. Nuk ka ndarje elektorale që të pa votuarin ta kthejë në të votuar.
Pandi Gjata: Me këtë reformë mund të përdoren edhe 84 kartonët që kjo mazhorancë ka në Parlament, apo jo?
Petrit Vasili: 84 kartonët janë një mazhorancë legjitime, kushtetuese dhe është një instrument për të bërë gjëra të mëdha. Madje nuk janë 84, por 85. Prandaj synohen edhe fitoret e mëdha në zgjedhjet, atëherë kur kundërshtarët politik nuk bëhen aq atdhetarë sepse reforma nuk i duhet mazhorancës, por qytetarët. Kemi detyrën dhe kurajën që ta bëjmë këtë reformë për shqiptarët.
Pandi Gjata: Një tjetër reformë e rëndësishme është ajo në drejtësi. Ndërkombëtarët, por edhe kjo mazhorancë është zotuar për një operacion të madh në drejtësi. Mund të themi se ku do të ndërhyhet, në KLD apo gjykata?
Petrit Vasili: Ndërkombëtarët po evokojnë atë perceptim masiv që shqiptarët kanë për drejtësinë. Shqiptarët nuk besojnë të ky sistem, ka ardhur koha ‘mos të raft të bie në dyert e gjykatës’. Shumë nga ne evitojnë të zgjidhin konfliktet në dyert e gjykatave. Ka një nevojë për ndryshim, i cili do të jetë kompleks, në radhë të parë do të jetë lufta ndaj korrupsionit. Unë bëj pjesë tek ajo shumicë që mendojmë se kjo reformë duhet të kryet, por duke u menduar mirë në çdo hap që hedhim. Nuk duam të bëjmë thjesht arnimet e radhës, por reforma të prodhoj atë produkt që shqiptarët të besojnë. Shpesh herë është vënë re që vendimet në aparenc janë të pa kritikueshme sepse legjislacioni shpesh herë krijon turbullira të qëllimshme dhe jo vetëm. Edhe kultura e pandëshkueshmërisë së gjykatësve është një problem më vete.
Top Channel