Gjykatat mbajnë peng vendimet

12/04/2014 00:00

Nga 3.268 çështje civile të shpallura në gjykatën civile të Tiranës, vetëm 34 prej tyre janë dorëzuar në sekretari nga gjyqtarët brenda afatit ligjor që do të thotë brenda 24 orëve nga shpallja e verdiktit. Panorama vjen dhe bëhet akoma më absurde në shkallët më të larta të gjyqësorit, si Gjykata e Apelit apo Gjykata e Lartë.

Qendra për çështje të informimit publik ka monitoruar gjatë një viti të treja shkallët e gjyqësorit, si edhe Gjykatën Kushtetuese, ku dhe ka evidentuar problematikë të theksuar në moszbardhjen në kohën ligjore të vendimeve gjyqësore, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, e cila nuk i nënshtrohet kontrolleve administrative.

“Deri në datën 3 mars, vetëm një vendim ndodhej në fletoren zyrtare. Pas kontaktit me Gjykatën e Lartë, dolën dy fletore zyrtare, 215 dhe 216. Meqë vonesat e konstatuara janë kaq ekstravagante, a duhet që kjo gjykatë të vendoset nën mekanizmat e mbikëqyrjes shtetërore? A duhet përmirësuar korniza ligjore për këtë gjykatë? A duhen zgjidhur ato probleme për të cilat vetë gjyqtarët e saj ankohen”, deklaroi Gerti Shella.

Qendra për çështje të informimit publik rekomandon: “Nëse trupa më e kualifikuar gjyqësore e vendit, që punon në këto tre gjykata, nuk arrin të performojë në kohë dorëzimin e vendimeve, në gjykatat e rretheve jam i bindur se problemi do të ishte gangrenizues. Duhet që vendimi të arsyetohet dhe të shpallet i arsyetuar bashkë me dispozitivin e tij. Nuk duhet të ketë një ndarje në kohë të dhënies së vendimit dhe arsyetimit të tij”, saktësoi Shella.

Aktualisht për moszbardhje të vendimeve në kohë janë të shkarkuar nga KLD vetëm dy gjyqtarë, Xhelal Karkini në Elbasan dhe Neritan Tabaku në Durrës. Megjithatë, si për ironi edhe në rastin Tabaku, Gjykata e Lartë në vendimin e saj unifikues, ku i jep të drejtë KLD-së për largimin e gjyqtarit, ka zbardhur vetëm mendimin e shumicës por jo qëndrimet e dy gjyqtarëve që ishin kundër arsyetimit të Kolegjit Penal.

Top Channel