
Akademiku Rexhep Qosja ka deklaruar se është kundër themelimit të
Gjykatës Speciale e cila do të merret me krimet e supozuara të UÇK-së.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, ai ka nënvizuar se në historinë politike të Evropës është hera e parë që bëhen përpjekje për themelimin e një gjykate të tillë.
“Nga njohuritë e mia historike dhe politike mund të them se në historinë politike të Evropës për herë të parë po bëhen përpjekje të themelohet një gjykatë e quajtur speciale, për hetimin e krimeve të supozuara të asaj ushtrie, të atyre luftëtarëve që bënë një luftë të drejtë, një luftë për mbrojtjen e popullit prej pushtuesit që ushtroi dhunë e terror për asgjesimin e këtij populli”, ka thënë Qosja.
Ai e ka argumentuar qëndrimin e tij kundër themelimit të kësaj gjykate duke thënë se, gjykata të tilla janë në gjendje që edhe t’i shpikin rezultatet nëse u duhet.
“Mendoj se Gjykata Speciale që do të formohet nuk është e çliruar nga përbërësit politikë. Dhe gjykata të tilla dinë edhe të krijojnë, ose të shpikin rezultate”, ka deklaruar Qosja.
Akademiku i njohur ka thënë më tej se, nëse gjyqtarët e Gjykatës Speciale do të jenë të interesuar të cënojnë sadopak imazhin e luftës çlirimtare të UÇK-së, atëherë ata do të bëjnë atë që kanë bërë edhe prokurorët e EULEX-it gjatë muajve të fundit.
Top Channel