
Krijimi i Gjykatës Speciale në Kosovë, e cila do të hetojë krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është kryefjalë e ditës së politikës në Prishtinë.
Opinioni publik, por edhe klasa politike, është ndarë në pro edhe kundër. Gjykata do të merret me krimet e supozuara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke hapur çështje mbi ato që kanë ndodhur në vitin 1999, por ende ka shumë pyetje mbi atë se si do të funksionojë dhe çfarë do të ndodhë.
Për të biseduar mbi këtë çështje ishte në lidhje direkte në ‘Revistën Televizive të Mbrëmjes’ avokati Aranit Koçi.
Pandi Gjata: Si një prej njohësve më të mirë të këtij aktualiteti në Kosovë. Çfarë do të sjellë Gjykata Speciale e Kosovës dhe si do të funksionojë ajo?
Aranit Koçi: Gjykata Speciale është një gjykatë ad-Hoc, e cila do të krijohet për të gjykuar personat përgjegjës për krimet e viteve 1998-2000. Këto krime kanë të bëjnë me raportin e Dick Marty-t, i cili është aprovuar nga Parlamenti Europian më 7 Janar të vitit 2011. E veçanta e kësaj gjykate është se do të gjykojë vetëm shqiptarët dhe thuhet se do të jetë në kuadër të sistemit gjyqësor të Kosovës, por pa gjyqtarë kosovarë. Së pari ne duhet të bëjmë edhe ndryshimin e legjislacionit tonë.
Pandi Gjata: Domethënë gjyqtarë të huaj, por pjesa e administratës do të jetë me shqiptarë, ata që do të vendosin do të jenë të huaj?
Aranit Koçi: Do të gjykojnë gjyqtarët e huaj në kuadër të sistemit gjyqësor të Kosovës, me ligjet e saj.
Pandi Gjata: E njollos luftën e UÇK-së apo e pastron.
Aranit Koçi: Akuzat e Dick Marty-t janë monstruoze. UÇK-në nuk mund ta njollos askush, këtë e kemi treguar edhe në Tribunalin e Hagës. Mënyra e procedimit të kësaj çështjeje është i padrejtë për ne, për arsye se pjesë e këtij procesi duhet të jenë patjetër edhe gjyqtarët Kosovarë. Ne duhet të ballafaqohemi me të vërtetën dhe duhet të jemi pjesë aktive e këtij procesi. Është totalisht e pa pranueshme që ky proces të jetë pa gjyqtarë kosovarë.
Pandi Gjata: Ndër vite shumë ish-komandantë dhe drejtues të lartë të UÇK-së ndodhen ende në procese gjyqësore. A kemi një goditje të UÇK-së, si interpretohet kjo në Kosovë?
Aranit Koçi: Për veprime individuale gjithsecili përgjigjet individualisht. Në aspektin global lufta e UÇK-së nuk mund të njolloset. Këto akuza, të paraqitura nga Dick Marty, duhen të zbardhen deri në fund. Mua më pengon vetëm rruga që po ndiqet për t’u realizuar kjo zbardhje. Unë e cilësoj si të domosdoshme krijimin e kësaj gjykate. Sistemi kosovar i drejtësisë ka nevojë për ndihmën e ndërkombëtarëve, por në fund këto çështje duhet t’i pastrojmë vet.
Pandi Gjata: Si e shpjegoni faktin që një gjykatë e tillë nuk është krijuar as në Serbi, por as në Kroaci apo Bosnje?
Aranit Koçi: Kjo për mua është vërtet e pakuptimtë dhe asnjë nuk jep përgjigje pse krijohet kjo gjykatë dhe me këto kushte. Është e vërtetë që në Serbi kanë filluar gjykimet, e kanë edhe ata Gjykatën Speciale, por te ne problemi qëndron se përgjegjësinë e kanë pasur dhe e kanë ndërkombëtarët. Kur ka filluar EULEX është thënë se do të sillen gjyqtarët më të mirë. Krijimi i kësaj gjykate në radhë të parë është dështim i EULEX dhe mes pas është edhe dështim i shtetit të Kosovës.
Pandi Gjata: Kjo gjykatë nuk përjashton edhe dosjet që janë hapur dhe mbyllur, mund të ketë edhe vendime të mëparshme?
Aranit Koçi: E kam lexuar draft-statutin, aty thuhet se kjo gjykatë ka të drejtë të rigjykojë edhe raste gjë janë gjykuar deri tani, pra shkelet parimi ‘gjykim i një çështjeje 2 herë’. Këtu fajin kryesor e kemi vet ne, për arsye se pala kosovare ka qenë jo aktive pas akuzave të ngritura nga Dick Marty, i cili ka ardhur në Kosovë disa herë gjatë vitit 2008, 2009 dhe 2010 dhe neve na është dashur të krijojmë një Task Force dhe t’i japim përkrahjen logjistike dhe në informata, por askush nuk e ka marrë seriozisht këtë çështje. Në të njëjtën kohë Serbia ka qenë shumë aktivi në dhënien e informatave dhe mbërritëm në këtë situatë. Politikat e gabuara e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje. Sistematikisht vendet kyçe drejtohen nga persona të pahijshëm dhe në fund është ky epilogu. Shteti drejtohet me politika të mençura.
Pandi Gjata: Duke ditur që ndërkombëtarët do ta kenë në dorë këtë gjykatë, a i trembeni personazheve si Salustro, që mund të përsëriten?
Aranit Koçi: Askush nuk i trembet askujt. Ne duhet të ballafaqohemi me të vërtetën. Lufta e UÇK-së është e pastër. Nëse ka pasur shkelje individuale, ato nuk mund ta njollosin luftën e UÇK-së.
Top Channel