
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar u ka bërë thirrje deputetëve kosovarë që të votojnë pro themelimit të Gjykatës Speciale për krime lufte. Sipas Zhbogar, krijimi i gjykatës në fjalë nuk do ta dëmtojë imazhin e Kosovës.
Përkundrazi, ai thotë se ajo do të heqë shumë dilema ndërkombëtare që janë mbi Kosovën, sidomos prej periudhës së akuzave të ngritura nga senatori Dick Marty.
“Në vitin 2011, BE-ja përmes EULEX-it ka marrë përgjegjësinë për ta drejtuar këtë proces dhe kështu themeloi një task forcë për hetime speciale. Ajo edhe emëroi një prokuror special i cili e filloi hetimin e këtyre supozimeve, rezultatet e të cilit priten në muajt e ardhshëm. Ne nuk e dimë se çfarë do të prezantojë ai, megjithatë e dimë se duhet të jemi të përgatitur për mundësinë e ngritjes së padive. Prandaj është e rëndësishme që të kemi një plan për gjykatën e cila do të merrej me padi të tilla”, ka deklaruar Zhbogar.
Sipas tij, BE-ja së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po propozojnë një gjykatë speciale brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, me gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, me seli në Kosovë por që proçedurat e ndjeshme, përfshirë seancat dëgjimore do të zhvilloheshin jashtë Kosovës.
“Kjo gjykatë nuk është për përndjekjen e Kosovës apo Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Proceset gjyqësore nuk do të ndryshojnë faktet historike: diskriminimin e shqiptarëve të Kosovës në ish-Jugosllavi, përndjekjen dhe largimin e tyre nga vendet e punës, nga shkollat si dhe nga shtëpitë e tyre. Kjo nuk do të ndryshojë faktet e vuajtjes së civilëve gjatë luftës”, ka nënvizuar Zhbogar.
Interesi i Kosovës, sipas Zhbogar, duhet të jetë para interesave të kriminelëve të mundshëm. Ai tha se është i vetëdijshëm se qytetarët i frikësohen imazhit të Kosovës.
“Do të argumentoja se qartësimi i akuzimeve të tilla do të heqë një re të zezë që ka gllabëruar Kosovën. Do të hiqte argumentin që vazhdon ta ushqejë paragjykimin për Kosovën. Propozimi për një Gjykatë Speciale është mënyra më e shpejtë për Kosovën që të lëvizë tutje përtej raportit të Martyt. Kjo në fund të fundit mund të përmirësojë reputacionin e Kosovës”, ka shtuar Zhbogar.
Zhbogar thotë se e kupton se vendimi për krijimin e Gjykatës Speciale është i vështirë për Kosovën dhe për Kuvendin e saj. Por ai beson se 120 deputetët do të reflektojnë mbi këtë shpresë për një të ardhme më të mirë evropiane.
Top Channel