
Në puntatën e kësaj të mërkure, në studion e “Top Show”-t, të drejtuar nga Alban Dudushi, ka qenë një prej figurave legjendare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një prej figurave më të rëndësishme të politikës së saj, Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Alban Dudushi: ‘Ja keni dalë të mbijetoni deri më tash’ kjo ishte fraza e fundit e profilit tuaj. Më e lehtë është lufta apo paqja?
Ramush Haradinaj: Një mik i imi pati shkruar në një libër rreth meje, ‘luftëtari kthehet i fundit në shtëpi’. Realisht Kosova nuk është kthyer ende mjaftueshëm në shtëpi, ende nuk kemi mbyllur shumë tema. Në një farë mënyre edhe kthimi im në shtëpi varet nëse i kemi mbyllë të gjitha temat, kjo periudhë është tepër e vështirë për mua.
Alban Dudushi: Ju jeni më shumë luftëtarë apo politikan?
Ramush Haradinaj: Edhe politika është një lloj lufte, por pjesë e luftës për liri është një periudhë e shenjtë. Atëherë jemi nis nga një ideal tepër i pastër, ai i lirisë dhe kemi qenë të përgatitur për çdo sfidë. Tani politika është më e ndërlikuar, shpesh idealët përzien me njëri tjetrin dhe është e vështirë për t’i identifikuar, është një kombinim i motiveve. E mira e njerëzve është ajo që na shtynë të punojmë.
Alban Dudushi: Keni sakrifikuar dhe kjo nuk është e re për ta thënë. Në lidhje me jetën tuaj, keni sakrifikuar personalisht gjatë periudhës së luftës dhe ndoshta njeriu pret një shpërblim kur vjen paqja. Jeni hatërmbetur që nuk e keni këtë shpërblim?
Ramush Haradinaj: Ndoshta është më ndryshe, shpërblimi na ka ardhur pasi ne jemi të lirë. Kaluam periudhën e shtypjes nga regjimi i Miloshevicit. Tani jemi të lirë dhe jeta jonë nuk rrezikohet më. Por jeta ka sfida, të gjithë shqiptarët pretendojnë të jenë më mirë, të anëtarësohemi në BE, të krijojmë vende pune, të bësh një jetë me dinjitet. Asnjëherë nuk jam frikësuar në lidhje me veten time. Nëse Kosova do t’i drejtohet një rruge në zhvillim, atëherë kjo do të jetë shpërblyese për mua, por edhe për të gjithë ata breza në shekuj që e kanë dëshiruar atë ditë. Në Kosovë ekziston një thënie, ‘nga 1389, beteja e Kosovës, e deri më sot Kosova është pretenduar prej të tjerëve. Lexova Kadarenë, “Elegji për Kosovën”, kur ndodhesha në Hage, e kishte shpjeguar mjaftë mirë periudhën e 1389 përmes të ciceronëve. Për ne është një shpërblim i madh kjo që ka ndodhur.
Alban Dudushi: Ka qenë periudhë e rëndë ajo e Hagës për ju?
Ramush Haradinaj: Po, sidomos ballafaqimi i parë, i padrejtë sepse ke qenë viktimë si popull. Ishte e padrejtë të ndodheshe në të njëjtin vend me ata persona që kishin bërë ato të këqija Kosovës. Por si çdo situatë ambientohesh.
Alban Dudushi: Koha që keni kaluar në Hagë, ka qenë një kosto për ju apo jo?
Ramush Haradinaj: Fillimet e mija politike nisin nga viti 2000. Në 2004 unë mora drejtimin e partisë, 100 ditë më vonë u ballafaqova me ligjin ndërkombëtarë. Më pas dhashë dorëheqjen dhe ju përgjigja akuzave. E vetmja që kam kërkuar nga partnerët është që të mbajnë dinamikën e avancimit të Kosovës drejtë pavarësisë.
Alban Dudushi: Besoj që nuk është e lehtë të drejtosh partinë duke qenë në Hagë dhe pastaj që ke qenë i detyruar të tërhiqesha nga jeta politike.
Ramush Haradinaj: Nga viti 2000 deri më sot më shumë se gjysmën e kohës nuk i kam ushtruar funksionet e mija. Subjekti im politik është ndërprerë 2 herë në fushatë, në 2005-ën, 2007 dhe në 2010 nuk kemi marrë pjesë në zgjedhje. Në 2009 e kam dyfishuar besim ndaj partisë, por nuk ishte fat ta vazhdoja atë ecuri pasi u ndërpreva. Por megjithatë, në ditët e sotme nuk kërkoj ndonjë favor apo dëmshpërblim.
Alban Dudushi: Kam idenë që e keni kërkuar një dëmshpërblim të tillë në momentin që u kthyet fitimtar nga gjyqi i Hagës. Atëherë i keni kërkuar Thaçit të largohet si kryetar i qeverisë. Kjo u lexua si ‘lërojë zyrën për mua në kusht të bashkëpunimit’.
Ramush Haradinaj: Oferta ime ishte më shumë se kaq. Kur kam ardhur më është ofruar të drejtojë opozitën, të hapja një front kundër qeverisë, mundësisht edhe në revolta qytetare. Oferta që i kam bërë Thaçit kam pas parasysh edhe tema që lidhen me ligjin ndërkombëtarë. I ofrova një ndihmë që të dalë nga përgjegjësitë dhe të vinte një energji e re në Kosovë. Për fat të keq kjo nuk u kuptua kështu në atë kohë. Sot po vërtetohet se nëse do të kishte ndodhur kështu Kosova do të ishte në pozita të tjera.
Alban Dudushi: Kur keni qenë në Hagë në Kosovë u ngrit një fondacion në mbështetjen tuaj. Ka pasur komente që partë kanë devijuar. Mund të na thoni diçka rreth kësaj?
Ramush Haradinaj: Kur gjykohesh për krime lufte, në një farë mënyre të gjithë botën e ke kundra. Sepse supozohet që je një kriminel potencial. Kuptohet që zhvillohet edhe një fushatë ndaj të akuzuarit, fushatë e cila sponsorizohet nga qarqe të ndershme, që në këtë rast kanë ngritur edhe këtë akuzë. Tani po flitet më hapur se ka pasur kontribuues të ndryshëm edhe jashtë Kosovës. Të gjitha kërkimet e bëra nga ligji ndërkombëtarë nuk ka gjetur veprime, të cilat janë të dënueshme. Kjo ka qenë një fushatë e orkestruar. Në këtë rast triumfoi e drejta, unë nuk dështova në mbrojtje, në çdo etapë. Fushatat negative vazhdojnë ende ndaj meje. Kush interesohet për të vërtetën në lidhje me mua e di atë.
Alban Dudushi: Dolët një nga figurat më të çmuara nga lufta. A keni dijeni, a kanë abuzuar njerëz rreth jush në lidhje me këtë popullaritet tuajin?
Ramush Haradinaj: Pse jo është diçka e zakonshme. Abuzojnë me popullaritetin e Papës, të presidentëve të shquar, me siguri edhe me personalitetin tim. Gjithsesi jam krenarë, ne kemi bërë një punë të denjë. Kam ardhur në Kosovë, por nuk kam pasur të drejtë të flas për mediat dhe shumë persona kanë fol keq, por ja kam bërë të ditur se do të vijë momenti kur do t’ja u kthej fytyrës dhe keni për t’u mërzitur. Asnjëherë nuk e kemi toleruar, por kur je në burg është e vështirë për të vepruar.
Alban Dudushi: Kthehemi pak te jeta juaj personale. Ju jeni rritur në një familje të madhe, me 9 fëmijë. Ju jeni fëmija i dytë i asaj familjeje. Kam idenë se ka qenë një familje në kuptimin tipik patriarkal, babai ishte dominanti dhe kishte disiplinë.
Ramush Haradinaj: Ne kemi qenë 10 fëmijë, unë jam i pari. 2 Vëllezërit pas mejë janë vrarë në luftë. Luani është vrarë në vitin 97. Shkëlzeni është vrarë në 99-ën, Enveri është vrarë pas luftës. Kam edhe 3 motra, kemi qenë një familje e rregullt , babai ka pas një dyqan, ishim një familje e rregullt.
Alban Dudushi: Keni bërë shërbimin ushtarak, për arsye se kishit edhe një fizik të mirë, ju u bëtë edhe komandant njësie.
Ramush Haradinaj: Atëherë më bënë kërkesën që të vazhdoja të mbesja oficer aktiv, por unë e refuzova me arsyen se do të largohesha jashtë vendit. Por kisha edhe vështirësi të tjera pasi një xhaxha i imi ishte i burgosur politik. Në 87-88-ën kam emigruar. Në fillim në Zvicër kam punuar si zdruktar dhe në ndërtimin e çative. Më pas kam punuar si bodyguard në klube dhe ngjarje sportive. Njëkohësisht kam punuar edhe si mësues sporti.
Alban Dudushi: Ka qenë periudhë e lumtur ajo në Zvicër, keni qëndruar aty për gati 9 vite?
Ramush Haradinaj: Më ka vlejtur ajo periudhë jetese për të bërë krahasimet e jetesës së Kosovës dhe e vendeve të tjera, kam kuptuar lirinë.
Alban Dudushi: Kishit menduar deri në atë kishit menduar politikisht?
Ramush Haradinaj: Kemi qenë një familje politike, pasi kemi pasur edhe të burgosur politikë. Temat politike kanë qenë pjesë e jetës.
Alban Dudushi: Në 2008-ën u deklaruat i djathtë dhe gjatë gjithë kësaj periudhe keni pasur më tepër marrëdhënie edhe në Shqipëri me të djathtët.
Ramush Haradinaj: Kam jetuar edhe në Shqipëri, por jo në Tiranë, por në vise të largëta të vendit, në jug. E kam pa sesi jetojnë shqiptarët. Kam parë që Shqipëria në sajë të qeverisjes së kaluar ishte varfëruar deri në atë shkallë, prona private gati nuk ekzistonte. Atëherë kam thënë që nuk dua të rreshtohem në këtë krah. Nuk doja që të isha shkaktarë që qytetarët e Kosovës të ishin në gjendje të atillë. Megjithatë edhe sot nuk ka të parti të majtë si në kohën e kaluar. Por këto kanë qenë pikëpamjet e mija.
Top Channel