Ministri kosovar i Financave, Besim Beqaj paralajmëroi se qeveria së shpejti do të aprovojë një dokument për lehtësimin e investimeve.

Kjo u vendos gjatë një takimi të përbashkët mes ministrit dhe kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, si dhe drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Për investime të reja nga 2 deri në 5 milionë euro dhe që hapin së paku 50 vende të reja pune, përjashtimi nga taksat, sipas Ministrisë së Financave, do të jetë për 4 vjet.

Ndërsa për investime deri në 2 milionë euro, si për shembull bizneset e të rinjve, të grave dhe të tjera që janë të përmasave më të vogla, por që hapin së paku 30 vende pune, përjashtimi do të jetë për 3 vjet.

Ministri Beqaj informoi gjithashtu se në diskutimin me përfaqësuesit e biznesit janë dakorduar që në vazhdim të implementimit të ligjit për personat me aftësi të kufizuara të merren masa të tjera shtesë.

Ndërsa Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se krahas lehtësirave që janë promovuar apo që promovohen, po promovohet edhe një partneritet dhe një dialog konstruktiv.

Top Channel