Konsensusi dhe Eduard Kukan si Pont Pilati

10/04/2014 00:00

ANDREA STEFANI – Eduard Kukan, kryetari i delegacionit për marrëdhëniet
me Shqipërinë në Parlamentin Europian, ka nënvizuar nevojën e një
politike konsensuale, në mënyrë që Shqipëria të bëjë hapa përpara në
drejtim të marrjes së statusit kandidat për në BE.

“Pa një politikë konsensuale, pa vendosur një vijimësi të një situate politike të qetë, të qëndrueshme e konsensuale nuk ka hapa përpara për status dhe ecjen e mëtejshme me integrimin e vendit”, deklaroi Kukan në një konferencë për Ballkanin Perëndimor të organizuar nga grupimi i partive popullore ku bën pjesë edhe PD-ja. Jo rastësisht, në konferencën në fjalë, ishte i ftuar edhe kryetari de jure i PD-së, Lulzim Basha, të cilit, pa mëdyshje, i kanë shijuar fjalët e Kukan. Për faktin e thjeshtë se për konsensusin duhen të paktën dy palë. Dhe nëse njëra nuk e jep, konsensusi nuk arrihet. E bashkë me të, nuk arrihet edhe marrja e statusit të kandidatit nga Shqipëria në qershorin që po vjen. Dhe dihet që Basha (domethënë Berisha) nuk ka ndërmend të japë konsensus.

***

Është fakt i njohur që jo thjesht Kukan, por edhe në tërësi grupi i partive popullore dhe lidershipi i tyre, për shembull i ndjeri Vilfried Martens, kanë qenë mbështetës të politikanit autokrat Sali Berisha që po dominon skenën e politikës shqiptare këtu e 23 vjet. Nëse kjo mbështetje është një solidaritet nga e djathta europiane për një parti si PD-ja (mjaft e dyshimtë si e djathtë) apo ka shkaqe të tjera, kjo ha mjaft diskutim. Ndër të tjera, dihen lobimet e kushtueshme me paratë e taksapaguesve shqiptarë, që Berisha ka nëpër Europë dhe SHBA për të krijuar mbështetje për klanin e tij politik. Mund të ketë edhe shpjegime të tjera më diskrete. Gjithsesi është fakt se, edhe këtë herë, europarlamentari Kukan theksoi pikërisht atë që Berisha do të kish dëshirë të dëgjonte: Pa konsensus nuk ka integrim! Por a duhet të jetë kështu?
 

***

Deklarata e Kukan është e gjymtë. Në radhë të parë ajo trajton si aksiomë një teoremë që lyp vërtetim. Konsensusi më shumë se parim është një gjendje që karakterizon demokracitë e shëndetshme. Por konsensusi nuk karakterizon demokracitë foshnjore dhe konfliktuale si kjo shqiptarja. Mos më thoni, ju lutem, se duhen prova për këtë! Në këto lloj demokracish, forcat politike dhe liderët që përballen nuk kanë shumë, madje, asfare pika takimi të përbashkëta. Konsensusi është bashkëpëlqim dhe thënë ndryshe, ata nuk pëlqejnë të njëjtën gjë. Kjo është rrënja e krizave politike kronike 23-vjeçare shqiptare. Po çfarë pëlqejnë dhe çfarë nuk pëlqejnë? Një pyetje që njerëz si Kukan, që marrin përsipër të prononcohen për fatet e një vendi, duhet të përpiqeshin ta zbërthenin. Sepse të thuash konsensusi është i mirë, siç bën Kukan, ke thënë asgjë. Puna është të kuptosh dhe shpjegosh se përse nuk arrihet konsensusi. Të gjesh edhe fajtorin apo fajtorët. Dhe t’ua thuash shqiptarëve. Janë të dyja palët fajtore? Kush më shumë se tjetra? Apo vetëm njëra?

***

Kukan nuk lodhet t’i futet fare kësaj analize. Ai thotë vetëm që konsensusi është i domosdoshëm për integrimin. Në parim po. Por sa është i mundur praktikisht? Sa është i mundur kur në opozitë ke, të mos themi një Hitler, por sigurisht, një autokrat si Sali Berisha? Kalimthi theksojmë se kjo analizë bie nëse pranojmë që Berisha nuk është një politikan autokrat. Por për këtë duhet të hedhim poshtë një zinxhir faktesh. Përmendim vetëm disa. Më i dukshmi, që ka të bëjë me vesin e pushtetit pa mbarim, është militimi i Berishës në krye të politikës që prej 23 vjetësh. Askund, jo në BE, por as edhe në Ballkan, nuk gjen fosile të tilla thuajse që nga koha e Murit të Berlinit. Jetëgjatësi që ka për model Putinin, por jo Uashingtonin. Fakt tjetër është përpjekja e Berishës, e kritikuar dhe e dyshuar në vazhdimësi, për manipulimin e zgjedhjeve. Fakt tjetër është edhe gjakimi i palodhur i Berishës për kapjen e të gjitha pushteteve në shtet. Fakt tjetër, edhe më skandaloz, është vrasja e protestuesve përpara zyrës së tij. Të gjitha fakte, tipare dhe veprime tipike për një lider autokrat që mund t’i gjesh në portretin e Gedafit, Sadam Huseinit, Bashar Al Asadit, Putinit, Janukoviçit etj.

***

Ndoshta Kukan dhe të tjerë si ai nuk janë bindur për karakterin autokratik të Berishës. Por të injorosh morinë e fakteve që denoncojnë këtë natyrë autokratike dhe ta servirësh Berishën si një politikan normal me të cilin mund të bëhet konsensus, do të thotë të bësh konsensus me gënjeshtrën dhe t’i mashtrosh shqiptarët. E vërteta është se Berisha, më shumë se kurrë sot, nuk është i interesuar për dhënien e konsensusit për reformat. Ai është një autokrat i rrëzuar, për fat a për çudi, me votë pas 8 vjet qeverisje tejet të korruptuar. Nuk thonë kot që pushteti absolut korrupton absolutisht! Dhe është në radhë të parë korrupsion i klanit të tij. Prandaj do të jetë pengesë për çdo reformë që shtyn drejt shtetit ligjor. Sepse shtet ligjor do të thotë ndëshkim i korrupsionit të kujtdo. Pra, edhe të Sali Berishës e kompani. Prandaj është i vendosur të mos japë konsensusin. Prandaj të thuash pa konsensus nuk ka integrim, siç bën Kukan, do të thotë ta lësh integrimin e Shqipërisë në mëshirën e një autokrati tashmë proverbial.

***

Konsensusi është një gjendje e lakmueshme, por duhet të ruhemi edhe nga konsensusi për hatër të konsensusit. Sepse në emër të shuarjes së konfliktualitet janë bërë edhe gjëra të gabuara që kanë çuar në shuarjen e lirisë. Në emër të stabilizimit të shtetit Hitleri mori konsensusin e partisë së qendrës në Rajhshtag për miratimin e Aktit të Aftësimit Ligjor që i dha atij të gjitha pushtetet. Ishte një konsensus që varrosi demokracinë e Republikës së Vajmarit. Në emër të stabilitetit Berisha mori në prill 2008 konsensusin e socialistëve për amendimet e Kushtetutës, gjë që ka prishur balancën e pushteteve. Pra ka edhe konsensus të dëmshëm, kur ai nuk bazohet në parimet e lirisë dhe demokracisë, si ai i vitit 2008 që (sa turp!) edhe ndërkombëtarë si Kukan, e duartrokitën si “arritje historike”. Ishte në fakt një dështim historik i demokracisë shqiptare.

***

Nëse duan vërtet ta ndihmojnë Shqipërinë të dalë nga këneta 23-vjeçare e konfliktualitetit, politikanë si Kukan në vend se të flasin me “aksioma demokratike” duhet t’i ballafaqojnë më parë këto aksioma me realitetin politik shqiptar. Për të parë, për shembull, se kush e kundërshton konsensusin dhe pse? Për të parë nëse ka Berisha vërtet të drejtë kur alarmon për kapjen e institucioneve të pavarura apo administratës nga Kryeministri Rama apo mos pas këtyre alarmeve fshihet dinakëria për të ruajtur në institucione dhe administratë publike, monopolin dhe kapjen e arritur në 8 vjet qeverisje autokratike? Njerëz si Kukan duhet të jenë të aftë të kuptojnë se pavarësisht nga ç’thonë palët në Tiranë, a janë reformat që propozohen, për shembull ajo administrative, në favor të demokracisë dhe lirisë? Nëse po, duhet t’i thonë gojëplot palës që kundërshton (në këtë rast Berishës) të japë konsensusin. Nëse jo, duhet t’i thonë qeverisë (në këtë rast Ramës) që të heqë dorë nga reforma ose të bëjë modifikimet e duhura. Por mjaft me moralizime që nuk shërbejnë për asgjë! Ose që shërbejnë vetëm për diçka. Që eurodeputetë si Kukan, nëse Shqipëria nuk e merr statusin dhe integrimin, kryqëzohet për herë të katërt, të lajnë duart si Pont Pilati me shkumën e konfliktualitetit të saj politik. Dhe të thonë: Vetë e patët fajin!

 Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA