Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar të mërkurën një raport për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare në vend.

Ambasadori Jean Claude Schlumberger tha se ka vërejtur zhvillime pozitive sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë, duke shpresuar që ky raport të ndihmojë në përmirësimin edhe më tej në këtë fushë.

“OSBE me kënaqësi ka vërejtur krijimin dhe punën efektive të Këshillit për Zbatim dhe Monitorim, si një mekanizëm për monitorimin dhe lëhtësimin e zbatimit të dispozitave ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë ortodokse serbe në Kosovë”, deklaroi Schlumberger.

“Në përputhje me mandatin për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, misioni do të vazhdojë t’ju mbështesë në politikat, legjislativin dhe nivelet institucionale për mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore”, vijoi ai.

Ndërsa zëvendës ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajdin Abazi e vlerësoi këtë raport si të rëndësishëm për institucionet e vendit. Raporti përfshin periudhën janar 2010 – shkurt 2014 dhe bazohet në aktivitetet e rregullta monitoruese të misionit të OSBE-së në Kosovë.

Top Channel