Statusi, Gjermania ndikim te vendet e BE

09/04/2014 00:00

Brenda pak ditësh Berlini është bërë kancelaria më e rëndësishme për zyrtarët e Tiranës. Pas kryeministrit Edi Rama, në Berlin po qëndron ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Statusi i vendit kandidat, por edhe marrëdhëniet dy palëshe janë në fokusin e të gjitha takimeve që zoti Bushati ka zhvilluar me homologun e tij, por edhe me zyrtarë të tjerë gjermanë.

Për të folur mbi vizitën në Gjermani, zoti Bushati ka qenë i pranishëm në një lidhje me ‘Skype’ në ‘Revistën Televizive të Mbrëmjes’.

Pandi Gjata: Çfarë solli takimi me homologun tuaj, por edhe me zyrtarët të tjerë gjermanë, të cilët mbulojnë çështje të BE? Çfarë të reje kemi menjëherë pas vizitës së zotit Rama?

Ditmir Bushati: Ndodhem në Berlin, në vijim të takimeve që kryeministra ka pasur edhe me kancelaren gjermane. Jam takuar me homologun Frank-Walter Steinmeir, por edhe me këshilltarët kryesorë të kancelares si edhe me një sërë zyrtarësh të tjerë. Një ndër pikat kryesore të diskutimit ishte ecuria e kandidaturës së  Shqipërisë në BE. Por kemi diskutuar edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit mes 2 vendeve, si edhe për nevojën për një prezencë më të madhe të Gjermanisë në proceset e bashkëpunimit rajonal, duke pasur në vëmendje krizën e fundit në Ukrainë.

Pandi Gjata: A është Gjermania ‘lokomotiva’ e atyre 5 vendeve të dhjetorit, që donin kohë për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë? Një ‘po’ e Gjermanisë do të ndikonte edhe në qëndrimin e vendeve të tjera të BE?

Ditmir Bushati: Një qëndrim i Gjermanisë është jashtëzakonisht ndihmues dhe përcaktues për fatin e statusit të vendit kandidat dhe për proceset që do të pasojnë. Gjermania ka qenë dhe mbetet një partner i besueshëm, i rëndësishëm dhe i ndershëm përmes investimeve, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin. Vizitat tona janë pjesë e interesit që ne kemi si qeveri për zhvillimin e marrëdhënieve me Gjermaninë. Jemi në diskutime për një prezencë të bizneseve gjermane në Shqipëri.

Pandi Gjata: Fokusohemi te Gjermania, por si është panorama tek vendet e tjera në lidhje me statusin? Kemi një panoramë të Francës, të Britanisë, të Holandës, të Danimarkës?

Ditmir Bushati:
Statusi është një vlerësim politik, një çështje e cila do të vijë përmes reformave dhe përmes komunikimit që ne po bëjmë me të gjitha vendet anëtare të BE, duke pasur një fokus më të veçantë tek ato vende që kanë një peshë më të madhe politike.

Pandi Gjata: Cila është karta e fortë e Tiranës në këtë faza ku jemi?

Ditmir Bushati: Karta e fortë e Tiranës ka të bëjë me reformat e kryera deri më sot, me vendosmërinë e qeverisë për t’i konsoliduar ato. Ne nuk e kemi fshehur realitetin me të cilin përballemi, për sa i përket fushës së studimit të së drejtës në ekonomi dhe synojmë të kemi një ekspertizë gjermane në këtë drejtim, e cila do të konsolidonte institucionet e shtetit të së drejtës dhe do të krijonte një trase për investime. Kemi vendosur një komunikim të sinqertë me partnerët gjermanë, por edhe me vende të tjera. Anë tjetër e fortë mbetet edhe besimi, se avancimi i Shqipërisë në rrjedhat evropiane projekton më shumë stabilitet demokratik në rajon.

Pandi Gjata: Ajo që ndodhi në Krime, por edhe situata e tensionuar në zona të tjera të Ukrainës, a do ta përshpejtojë integrimin e vendeve të Ballkanit në BE?

Ditmir Bushati: Nuk bëhet fjalë për përshpejtim, pasi askush nuk e ka ngadalësuar procesin , bëhet fjalë për të mos krijuar linja të reja ndarëse, për të mos rënë në kurthin e paralelizmave të pavenda, siç ishte ai i Krimesë me Kosovën apo një paralelizmi të ri si po krijohet, ai një modeli ‘Bosnjë’ dhe i një modeli të mundshëm federativ në Ukrainë, të cilin BE e refuzon. Shqipëria i është bashkëngjitur që në ditën e parë faktorit ndërkombëtarë. Bëhet fjalë për ecjen përpara të rajonit, bazuar edhe në meritat individuale që ka secili shtet. Ne kemi diskutuar me autoritetet gjermane sesi të përfitojmë më shumë nga roli reformues dhe transformues që ka Gjermania në rajon dhe në Shqipëri. Nuk bëhet fjalë për një datë, por bëhet fjalë për të garantuar një proces, i cili duhet të tretet në një hapësirë kohore të caktuar, në përputhje me kapacitetet që ka secili prej vendeve.

Top Channel