Policia, komisioni hetimor drejt fundit

09/04/2014 00:00

Komisioni hetimor për lëvizjet në polici vazhdoi gjatë së mërkurës aty ku e kishte ndërprerë një ditë më parë në dëgjimin e ish-shefit të sektorit ekonomik, Arjan Hoxha.

Ky i fundit, i akuzuar nga socialistët për falsifikim diplome, nuk e pranoi akuzën duke i qëndruar deklaratës së një dite më parë se ishte hequr nga ministri i Brendshëm pas një kërcënimi. Por socialistët kanë vendosur ta kallëzojnë penalisht.

“Komisioni po shkon drejt fundit dhe në bazë të ligjit për komisionet e krijuara, në raportin përfundimtar që do miratohet, kur ai përmban të dhëna për ekzistencën e veprave penale, ne kemi të drejtën të depozitojmë kallëzimin tonë për falsifikimin e diplomës nga ju, zoti Hoxha dhe do t’ia referojmë prokurorisë si vepër penale”, deklaroi nënkryetari i komisionit, Taulant Balla.

“Referencat janë për verifikimet që bëri komisioni, sipas proçedurës që duhet ndjekur nga ky komision. Nëse veprimet bëhen jashtë kontekstit, atëherë nuk marrin vlerë. Se ç’bëjnë të tjerët jashtë këtij komisioni, ai është problemi i tyre”, replikoi kryetari Arben Ristani.

Një tjetër emër i përfolur shumë për detyrën e nëndrejtorit të Tiranës, në vitet 2009-2013, Erzen Breçani tha se fakti që ishte përjashtuar nga Policia e Shetit ishte konflikti me ministrin e Brendshëm Tahiri. I pyetur për dhunën që ushtroi ndaj një operatori të televizionit Top Channel, ky i fundit u përgjigj se, nuk kishte asnjë hetim për këtë fakt në prokurori.

Për mesazhin e postuar në Facebook kundra kryeministrit aktual të vendit, Breçani tha se mesazhi u shkruajt nga djali i tij dhe ai nuk mbante përgjegjësi për këtë fakt. “Prokuroria e Tiranës nuk ka asgjë për këtë. Kam treguar rrethanat për ato që janë publikuar. Ai mesazh në Facebook është bërë nga djali im 10-vjeçar”, u përgjigj Breçani.

Komisioni do të rifillojë të premten punën e tij, me nje seancë dëgjimore të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, që pritet të shkaktojë debate.

Top Channel