
Tremujori i fundit i vitit të kaluar ka rikthyer rritjen ekonomike, e cila shënoi 1.1% më shumë se në vitin 2012.
Me gjithë trendin pozitiv në mbyllje të vitit, në rang vjetor rritja ishte vetëm 0.44%, kjo sipas ekspertëve konfirmon se ekonomia është ende në stanjacion.
Zërat që kanë kontribuar më shumë në këtë rritje kanë qenë, industria, ndërtimi, por veçanërisht tregëtia, e cila ka edhe peshën më të madhe në prodhimin kombëtar. Për të folur për këtë çështje i ftuar në studion e “Revistës Televizive të Mbrëmjes” ka qenë Gjergj Filipi, drejtor i përgjithshëm i INSTAT.
Pandi Gjata: Cilët janë sektorët dhe kush janë arsyet që ndikuan në këtë rritje të ngadaltë të ekonomisë në vitin 2013?
Gjergj Filipi: 2013-ta ishte një vit që duhet analizuar në mënyrë të thellë dhe konkrete, minimalisht për të parandaluar që të mos ndodh përsëri, maksimalisht të dimë si të reagojmë shpejt ndaj goditjeve të krizës. Ekonomia shqiptare nuk ka pasur mundësi të nxjerr mësime nga kriza ekonomike. Ekonomistët thonë – pse ta çojmë dëm një krizë të mirë. Në kuptim që të nxjerrim disa mësime, në mënyrë që të mos përsëritet. Viti i kaluar meriton të shihet në këtë kontekst. Kontributi sektorial është i lidhur sipas secilit 3-mujorë, me përjashtim të të tretit i cili paraqiti një ekonomi të sëmurë në më shumë se një sektor. 3-mujori i katërt ishte një rikthim në një normalitet. Sektori i transportit ndikoi në 3-mujorin e tretë, duke përfshirë edhe atë ajror.
Pandi Gjata: Nëse ecim në bazë të shifrave dhe analizës, kemi një rritje të vogël sesi është mbyllur 2013-ta. A i trembemi një rënie?
Gjergj Filipi: Nuk di të them sesi do të jetë e ardhmja. Janë institucione të tjera publike, të cilat mund të bëjnë këtë. Ministria e Financave merret me parashikimin e ritmikës, por edhe Banka e Shqipërisë.
Pandi Gjata: Berisha komentoi menjëherë pas publikimit të shifrave, ku akuzoi për vonesë të nxjerrjes së shifrave, në mënyrë të veçantë për punësimin.
Gjergj Filipi: Sot nuk është folur për punësimin. Ishte dita që u fol për vlerën e shtuar bruto të tremujorit të fundit të vitit 2013. Për punësimin është folur më përpara. Unë jam një funksionar publik, këto janë deklarata politike, për rrjedhojë i qëndroi teknikave. Dy javë më para takova drejtorin e përgjithshëm të Institutit të statistikave në Luksemburg, për Europën. Vura re vlerësime që i bëjnë mirë shifrave në lidhje me Shqipërinë. Shumë shpejt në fushën e prodhimit kombëtar bruto, ne fund të majit deri në shtator, do të kuptohet sesi këto 2 produkte do të dalin në mënyrën më të mirë të mundshëm për vitet në vijim. INSTAT ka investuar në metodologji të reja, në Shtator do të harmonizojmë teknikën e matjes së produktit të brendshëm bruto, po ashtu si vendet e tjera në BE. Ky është një kontribut modest, por i rëndësishëm për parandalimin e krizave të tjera.
Pandi Gjata: Nëse kemi parasysh shifrat që ju prezantuat, për rritjen ekonomike të 2013-ës. Mund të themi që rritja ekonomike ecën në proporcion me hapjen e vendeve të punës?
Gjergj Filipi: Një rritje e ekonomisë mundet që mos të reflektohet menjëherë në rritje të punësimit, por jo në një periudhë afatgjatë. Atëherë ka një problem, duke qenë se punësimi qëndron fiks, pasi rriten faktorët e tjerë. Nëse nuk do të kishim rritur punësimin, do të ishte rritur kapitali dhe investimet në inovacion.
Pandi Gjata: Kur flasim për rritje apo ngadalësim të ekonomisë, a është koha për një marrëdhënie tjetër me biznesin? Për t’i shfrytëzuar këto të dhëna.
Gjergj Filipi: Patjetër që po. Në mënyrë konkrete, INSTAT po shikon metodologjinë e anketës së forcave të punës, e cila do të shkojë në linjën më të mirë të këtyre institucioneve. Organizata Kombëtare e Punës përcakton standardet e definicionit. Shqipëria, shumë shpejt, do të dalë me të dhëna sipas këtij standardi, i cili është shumë i ri. Biznesi duhet të shohë tek INSTAT-i një partner të pandashëm, në të kundërt ne nuk mund t’i shërbejmë atij më statistikat që ai kërkon. Në Shqipëri ky informacion bëhet edhe më i rëndësishëm në mungesë të bursave. Individualisht e kanë të vështirë të kuptojnë cila është përmasa që zënë në tregjet respektive, me përjashtim të tregjeve të rregulluara. INSTAT është ka futur edhe standardet e reja të ruajtjes së konfidencialitetit, të cilat janë në një nivel të lart. Çdo të dhënë që marrim nga bizneset e ruajmë dhe e përpunojmë për interesin tonë, nuk e ndajmë me njeri tjetër. Nuk dua të ngatërrohem sesi ka qenë e djeshmja me ruajtjen e këtyre të dhënave. Sot kemi standardet më të fundit. Gjej rastin t’i bëjë thirrje bizneseve, duke i thënë se jemi këtu për t’i ndihmuar, na ndihmoni duke na thënë të vërtetën, do t’ju ndihmojmë duke ju dhënë të vërtetën e të gjithëve bashkë.
Top Channel