Një histori irlandeze me kontekst shqiptar

06/04/2014 00:00

Arben Manaj – Këto ditë pranvere në Irlandë, ndërkohë që shumë vetë merren me bahçet, apo planifikojnë pushimet verore, gruaja irlandeze e një shqiptari në burgun grek të Kretës po bën fushatë për të financuar lirimin dhe pafajësinë e burrit të saj, Mark Marku.

Ajo quhet Xhuli Orajli (Marku), mësuese e diplomuar në Universitetin e Dublinit në Irlandë. Xhuli ka humbur tërë kursimet e saj familjare dhe vetëm në seancën e fundit gjyqësore në Greqi, harxhoi 20 mijë euro.

Bashkë me prindërit e saj të moshuar, Bill dhe Phyl O’Reilly, ajo po bën fushatë për të mbledhur dhe për të siguruar fonde për të mundësuar një nga ekspertët më të mirë në kriminalistikë në fushën e AND-së, amerikanin nga Idaho, dr. Greg Hampikian dhe eurodeputetin irlandez Paul Murphy, që kërkojnë dhënien e drejtësisë në seancën e Apelit më 7 maj në gjykatën greke në ishullin e Kretës.

Shqiptari Mark Marku është dënuar me 18 vjet heqje lirie në Greqi për plaçkitje me armë në një kohë kur ai thuhet se ka qenë në Irlandë.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Rrethimnos në Kretë, më 3 maj të vitit 2010, por sipas “The Sunday Times” është zbuluar se Marku ka qenë faktikisht në Irlandë në atë datë.

24-vjeçari shqiptar u padit për pjesëmarrje në një bandë, e cila ka kryer plaçkitje të një dyqani bizhuterish bashkë me nëntë persona të tjerë, vjedhje makinash dhe armëmbajtje pa leje, si dhe posedim droge.

Paneli prej tre gjyqtarësh grekë e ka shpallur fajtor Markun për të gjitha akuzat, përveç asaj të posedimit të drogës. Është mësuar se ditën e krimit, Marku ka qenë bashkë me gruan e tij në qytetin Co Carlow të Irlandës dhe ai sapo kishte filluar punë në hotelin “Mount Wolesley”.

Markut iu ofrua puna si kamerier me kohë të pjesshme si provë, punë të cilën e ka filluar më datë 3 maj, ka konfirmuar menaxheri i përgjithshëm i hotelit, Gerry Lavin, dhe dokumentet zyrtare të hotelit tregojnë se atij i është dhënë një përqindje shtesë në rrogë për atë ditë pune.

Sipas gruas irlandeze të Markut, Orajli, ai ka udhëtuar për në Kretë tek vëllai i tij më 18 maj, çka vërtetohet nga biletat e avionit. Këto bileta janë paraqitur edhe në procesin gjyqësor, por janë hedhur poshtë si të falsifikuara.

Gruaja irlandeze e Markut pretendon se burrit të saj nuk ju bë një proces i ndershëm gjyqësor.

Pak kohë më parë, një tjetër shqiptar në Britani u akuza për një vrasje për të cilën ai nuk ishte fajtor, pasi ndodhej në Angli në momentin e veprës penale dhe jo në Itali, për të cilën ai u dëmshpërblye.

Rasti tragjik i shqiptarit të vrarë ditë më parë në burgun grek, dhe vrasja prej tij më parë e gardianit grek, edhe pse dëshmon frikshëm dëshpërimin personal të një shqiptari që vuante një dënim, dhe çfarë mund të ndodhë si hakmarrje nëpër burgjet greke, shtet i BE-së, aq sa nuk justifikon atë që bëri, po aq ngre alarmin për evitimin e rasteve potenciale në të ardhmen.

Por mbi të gjitha, ai rast, thërret me tragjizmin e tij, nevojën e një përfshirje më të madhe të autoriteteve shqiptare në kohën e duhur, për hallet e shqiptarëve që mundet të jenë edhe viktima të drejtësisë së munguar apo dështuar.

Fajësia apo pafajësia e Mark Markut, është në fund të fundit çështje e vërtetësisë së provave dhe drejtësisë së drejtësisë greke.

Nëse Marku do të dalë i pafajshëm më 7 maj, ai do të ketë vuajtur katër vjet padrejtësisht në burg, e nëse vërtet është i pafajshëm, çka do të ishte tragjike, askush nuk mund të garantoj se çfarë mendimesh të errëta pushtojnë mendjen e njeriut të pashpresë të cilit mund t’i jetë mohuar drejtësia.

E ndërsa në ekipin mbrojtës të Markut do të jenë edhe pjesëtarë të organizatës ligjore jofitimprurëse, “The Innocence Project”, e dedikuar për të provuar pafajësinë e personave të dënuar gabimisht, do të ishte në nderin e autoriteteve shqiptare apo Avokatit të Popullit, të interesoheshin për këtë rast, për një shtetas shqiptar, punë që po e bëjnë më mirë irlandezët në shenjë kujdesi për një shtetase të tyre, që në fund të fundit, është gruaja e shqiptarit, një grua që po lufton me stoicizëm të pashoq dhe admirues, në emër të drejtësisë, por edhe të dashurisë.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA