Meta: Lufta e UÇK-së të mos njolloset

04/04/2014 00:00

Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta vizitoi Kosovën. Gjatë takimeve me krerët më të lartë të shtetit kosovar, përveç bashkëpunimit dypalësh, temë ishte dhe mundësia e themelimit të shuëmpërfolur të gjykatës që do të gjykojë krimet e luftës në Kosovë.

Gjatë konferencës për shtyp pas takimit me zotin Meta, kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova ka qenë me fat që këto 15 vjet sistemi i drejtësisë ka qenë i udhëhequr prej ndërkombëtarëve në kuptimin e mandatit ekzekutiv, për tetë vite me radhë prej OKB-së dhe gjashtë vite prej misionit EULEX. EULEX ka bërë një punë të mirë në Kosovë, bashkëpunimi ynë ka qenë i mirë, vlerësoi Thaçi.

“Tani ka ardhur koha dhe do të kemi letërkëmbimin mes institucioneve të Kosovës dhe BE-së, një letëkëmbim që do të përcaktohet qartë që Kosova ka tani kapacitetet e saj të plota për të udhëhequr sistemin e drejtësisë në kuptimin e mandatit ekzekutiv. Ndërsa roli i misionit të BE-së do të jetë më tepër mbështetës dhe konsultativ. E ritheksoj se Kosova është e gatshme që për çdo sfidë të përballet në sistemin e vet të drejtësisë me mbështetje të plotë ndërkombëtare”, deklaroi Thaçi.

Ndërsa mendimin e tij se lufta legjitime e UÇK-së nuk duhet njollosur në asnjë rast, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, llir Meta e shprehu më herët gjatë konferencës me homologun kosovar, Jakup Krasniqi.

“Çdo përpjekje për të vënë në diskutim legjitimitetin e luftës së popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e pavend dhe e kaluar në kohë. Megjithatë, i takon institucioneve të Kosovës të shprehen për çdo çështje konkrete”, tha Meta.

“Janë grupet politike që do të bëjnë punën e tyre, por ne si institucion do kërkojmë detaje më të mëdha për këtë gjykatë”, tha nga ana e tij Krasniqi.

Gjatë takimit mëngjesin e së premtes të dy kryetarët e kuvendeve u zotuan për një bashkëpunim më të madh, me theks të veçantë në harmonizimin e legjislacionit të dy vendeve.

Top Channel