‘Ben Qimja’, Italia dorëzon dokumentet

04/04/2014 00:00

Prokuroria e Përgjithshme deklaron se ka në duar dokumentet e e dorëzuara nga drejtësia italiane në të cilat kërkohet ekstradimi i Arben Isufaj, i njohur ndryshe me emrin ‘Ben Qimja’.

Ky reagim i Prokurorisë vjen nga zyra e shtypit pas interesimit të Top Channel, çka do të thotë se përgjatë këtyre pesë ditëve që i kanë mbetur në burg ‘Ben Qimes’ , prokurorët duhet t’i drejtohen gjykatave me një kërkesë për ekstradimin e tij në referim edhe të dosjes së palës italiane.

Në vendimin e kësaj të premteje në Gjykatën e Apelit me treshe gjyqësore të përbërë nga  Fatmira Hajdari, Gramoz Levanaj dhe Edmond Gogo, u ndryshua masa e sigurisë për biznesmenin Isufaj nga arrest me burg pa afat me masën ndaluese 30 ditë burg, por referuar përllogaritjeve nga data 9 mars kur biznesmeni u arrestua atij i kanë mbetur edhe pesë ditë në paraburgim, përgjatë të cilave prokurorët kanë kohë të kërkojnë ekstradimin e tij.

Policia e Shtetit deklaroi se e arrestoi ‘Ben Qimen’ pasi ndaj tij ka një urdhër ndërkombëtar nga Interpol Roma referuar një vendimi të Gjykatës së Torinos, e cila më 2010 ka caktuar masën e arrestit me burg për të si të kërkuar për trafik droge.

Arben Isufaj u deklarua i pafajshëm disa vjet më parë edhe për akuzen e vrasjes për shkak të mungesës së provave, ndërkohë që gjyqtarja që dha këtë vendim, Fatmira Hajdari është e njëjta që ndodhej në trupën gjyqësore të Apelit gjatë ndryshimit të masës së sigurisë.

Nuk jepet sqarim nëse është e lejuar kjo gjë që i njëjti gjyqtar të marrë pjesë tek shqyrtimi i një cështjeje për të njëjtin shtetas edhe kur ato kanë akuza të ndryshme.

Top Channel