Gary Kasparov në Top Story

03/04/2014 00:00

Arena e Top Story është një arenë politike, por në takimin e kësaj të enjteje, përballë gazetarit Sokol Balla ishte një i ftuar shumëdimensional, dhe njëkohësisht me një dimension të fortë politik, një ndër liderët kryesorë të opozitës ruse dhe të jesh në opozitë me Vladimir Putin sot, kur Rusia po shkel cdo ligj ndërkombëtar, çdo rregull duke pushtuar pjesë të një vendi sovran sic është Ukraina, s’është e lehtë.

Mjafton të përmendet emri i tij; Gary Kasparov dhe me siguri shumëkush do të kujtojë shumë gjëra të tjera. Legjenda e gjallë e shahut botëror. Si u shndërrua kampioni më i madh i botës në shah në drejtuesin e opozitës ruse dhe si u kthye ai në armikun më të madh të Vladimir Putin?

Këtyre dhe të tjera pyetjeve u dha përgjigje vetë Kasparov përballë Sokol Ballës.

Intervista e plotë

Sokol Balla: Mirëmbrëma zoti Kasparov! Faleminderit që jeni sonte me mua. Ju prezantova si një nga drejtuesit, liderët e opozitës ruse, por mund t’ju kisha prezantuar ish-kampion të botës, mjeshtër i madh i shahut, padyshim lojtari më i madh i shahut gjallë sot, por mund t’ju kisha prezantuar si kryetar të Fondacionit të Shahut, kryetar Fondacionit të të Drejtave të Njeriut apo edhe kandidat për President të Federatës Botërore të Shahut. Cilat nga këto do të preferonit?

Gary Kasparov: Në të shkuarën mbaja kapele të ndryshme. Gjithashtu ju mund të përmendni që jam drejtues i një Fondacionit të të Drejtave të Njeriut me qendër në Nju Jork. Kam ndjekur Vaclav Havel dhe jam shumë aktiv globalisht në fushën e të drejtave të njeriut. Unë e shikoj jetën si kombinim të faktorëve të ndryshëm. Besoj në të drejtat e njeriut, edukimit përmes sportit ku këtu futet edhe shahu, dhe besoj që regjimi i Putin duhet të ndryshojë, jo vetëm në të mirë të Rusisë, por në të mirë të të gjithë botës. Po përpiqem ta ndryshoj botën duke kandiduar për postin e kreut të Federatës Botërore të Shahut. Ne mund të bashkëbisedojmë për të gjitha këto elementë të jetës time, që mund t’u cojë në një bashkëbisedim interesant.

Sokol Balla: Në moshen 5-vjeçare jeni njohur me shahun, u ka mësuar babai juaj. Ky ka qenë momenti kur Gary Kasparov ka nisur të luajë shah. Sa ka ndikuar babai juaj në karrierën tuaj?

Gary Kasparov:
Im atë u nda nga jeta kur isha 7 vjeç dhe nuk besoj që mund të flasim për ndikim domethënës. Mbaj mend pak prej tij. Nëse do të shikojmë sekuencat e karrierës, do të thoja që lëvizjet e para të mësuara prej tij ishin thelbësore. Ai ishte i pari që e kuptoi aftësinë time në shah. Është për të ardhur keq që ai nuk mundi të shikonte sukseset e mia pasi ndërroi jetë në janar 1971.

Sokol Balla: Do kemi shumë se c’të flasim sonte, por të vazhdojmë me shahun. 17 vjeç fituat kampionatin botëror për të rinj dhe titullin e Mjeshtrit të Madh. Cfarë do të thotë të jesh kampion në një moshë kaq të re?

Gary Kasparov: Nuk mendoj që ishte një moment vendimtar sepse ishte dicka formale. Unë isha mjaftueshëm i fortë për të marrë titullin Mjeshtër i Madh. Le të mos harrojmë që në vitet ’80 ishte i rëndësishëm pasi kishte pak mjeshtra të mëdhenj. Për mua ky titull ishte i rëndësishëm pasi që në moshën 15-vjecare luajta në kampionatin sovjetik dhe isha i vetmi pa patur statusin e Mjeshtrit të Madh apo ndonjë titull ndërkombëtar. Ishte më rëndësi për mua pasi ky ishte një hap i ndërmjetëm pasi unë synoja një titull botëror. Mund t’ju them që momenti vendimtar ishte në moshën 14-vjeçare kur kalova atë që do ta quaja një gur kilometrik duke fituar titullin e parë në moshë të rritur në Bashkimin Sovjetik në Minsk, tani Bjellorusia, ashtu sic unë dëshiroja.

Sokol Balla: Në moshën 12-vjec keni fituar kampionatin e të rinjve të Bashkimit Sovjetik dhe këtë gjë e përsëritët edhe një vit më vonë. Pyetja ime lidhet, cila është lidhja juaj me shahun, lidhje që lind me personin, apo që fitohet me punë të fortë, orë e orë të tëra kushtuar atij?

Gary Kasparov:
Nuk mund të jap një përgjigjje të saktë këtu. Që të jesh i mirë në dicka duhet të kesh talent, njëkohësisht të punosh shumë. Talent pa punë është 50 përqind ose më pak sukses. Unë isha me fat pasi kam talentin nga prindërit e mi në mënyrë natyrale që u shtua duke punuar shumë. Nëna ime më thoshte gjithmonë që të punuarit shumë është thelbësore për cdo sukses. Të punuarit shumë prej meje ishte dicka e natyrshme, si të luash shah.

Sokol Balla: T’i tkhehemi ngjarjes që ktheu sytë e botës. Unë kam qenë 11 vjeç kur ju sfiduat kampionin e botës, Anatoly Karpov, 1984 që rezultoi në ndeshjen më të famshme dhe më të gjatë në historinë e shahut, që u ndërpre nga FIDE pas 5 muajsh, e ndoshta do kishte zgjatur më shumë. Presidenti i FIDE-s e ndërpreu duke cituar lodhjen e lojtarëve. Tani meqë ju kam këtu, ndjeheshit i lodhur për të lënë ndeshjen përgjysmë? Në mos gaboj keni qenë në një disavantazh të lehtë.

Gary Kasparov:
Shiko, deklarata e FIDE-s se të dy lojtarët ishin ekstremisht të lodhur ishte përqind korrekte. Nuk mund ta them se isha po aq i freskët sa në fillim të ndeshjes, por isha në një gjëndje ekselente duke iu afruar kundërshtarit. Deri diku isha pak prapa, por iniciativa ishte nën kontrollin tim në duart e mia dhe Karpov nuk dukej mirë. Dukej qartë se ai kishte një disbalancë psikologjike. Vendimi për ta ndalur lojën ishte qartësisht i diktuar prej autoriteteve sovjetike. Prandaj Karpov e pranoi atë vendim duke u dakortësuar me atë çka thuhej në deklaratë. Unë iu binda pasi s’kisha mundësi tjetër. Lajm i mirë ishte se falë Perestrojkës dhe Bashkimit Sovjetik ata mund të më largonin mua dhe të organizonin një ndeshje të re. 8 muaj më vonë unë e fitova atë ndeshje.

Sokol Balla: Pra le të themi Anatoli Karpov megjithëse ishte në avantazh në pikë ndaj jush, nuk ishte i të njëjtit mendim me ju. Pra, ai ishte për ndërprerjen e lojës apo jo?

Gary Kasparov: Karpov po e fitonte ndeshjen që në fillim. Në një moment rezultati ishte 5 me 0 në favor të tij. Në kohën kur loja u ndërpre ishim 5 me 3 dhe ai humbi dy lojë radhazi. Për një kohë të gjatë ai nuk mundi të fitojë një lojë të vetme. Nëse do të vijonte të luante  në 1984-1985 ai ishte në pozita ta ndalonte dhe askush nuk do të guxonte të vinte me sugjerime të tilla. Mund të them që kjo ndodhi pas një marrveshje pasive prej tij në një kohë që unë isha një kundërshtar agresiv. Disa njerëz thonë që në Shkurt të vitit 1985 ndodhi protesta e parë publike e një kalibri të tillë që mbahej mend në Bashkimin Sovjetik pasi konferenca për median në 15 Shkurt rreth ndërprejes së ndeshjes u transmetua në të gjithë botën.

Sokol Balla: Zoti Kasparov unë atë kohë kam qënë rreth 11 vjec, ndiqja për orë të tëra ndeshjen tuaj me Anatoli Karpov në televizionet e huaja kryesisht ato jugosllave i cili e jepte pothuajse live gjatë gjithë kohës dhe mund të them që pas kësaj ndeshje kam blerë kutinë time të parë të shahut dhe kam filluar të luaj me babain tim. Megjithëse shumë amator për të cështjen e shahut. Kaq i fortë ka qënë impakti i kësaj ndeshje besoj jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj një brezi të ri fëmijësh edhe të rinjsh. Cili është kujtimi më i fortë që ju keni nga ajo ndeshje që zgjati 5 muaj?

Gary Kasparov:
Ishte një ndeshje e gjatë. Unë nuk e konsideroj vetëm një ndeshje sepse ishte një konkurs 5-vjecar që filloi në 1984, Shtator dhe nëse konsideroni ndeshjen e fundit, pra 6 vjet. Pra ishte një konkurim në vijueshmëri. Natyrisht momenti më fantastik ishte momenti kur unë fitova ndeshjen e 24-t. Ishte një spektakël i vërtetë. Dicka vështirë ta përshkruash. Ti bën lëvizjen, Karpov tërhiqet, dhe ti bëhesh kampion bote. Kjo është dicka e papërsëritshme pasi cdo sekondë fitoreje për kampion bote është një nder i madh i të gjithë asaj ndjesie sensacionale që unë përjetova në 9 Nëntor 1985.

Sokol Balla: Në atë kohë për herë të parë ndoshta në televizionin shtetëror të regjimit komunist në Shqipëri u shfaq një sportist sovjetik. Ndoshta ju nuk jeni në dijeni, por regjimi komunist i atëhershëm ndalonte ekipet shqiptare që merrnin pjesë në kompeticionet botërore përfshirë edhe lojtarët e shahut, kemi pasur dhe kemi shahistë të shkëlqyer që të luanin me ekipet sovjetike, dhe po ashtu ishte e ndaluar të flitej për sukseset apo ndeshjet e sportistëve sovjetikë në ekranin e televizionit shqiptar. Pra zoti Kasparov rregulli u thye dhe pothuajse përnatë unë mbaj mend, ka patur një rubrikë të shkurtër në edicionin e fundit të lajmeve ku një shahist i njohur i asaj kohe i kthyer gazetar sportiv, Mendim Veizaj komentonte lëvizjet tuaja dhe të Anatoli Karpov pothuajse cdo natë. Por nëse ajo ndeshje nuk do të ishte ndërprerë, jeni i bindur që do ta kishit mundur që aty, jo në Moskë Anatoli Karpov?

Gary Kasparov: Jo unë, po e ndiqja kur rezultati ishte 5 me 3 dhe do të ishte gabim ta thoja se do ta fitoja atë ndeshje. Unë besoja se ndeshja duhet të vijonte sepse kishte rregulla. Ne do të flasim pak më vonë për këtë kur të diskutojmë rreth rregullave dhe legjislacionit në politikë që duhen respektuar. Për mua që në fillim ishte e papranushme pasi ka dy gjëra ose i pëlqen rregullat, ose i kundërshton ato. Rregulli thoshte se ndeshja ndalon kur një lojtar ka fituar 6 ndeshje. Nuk ka asgjë tjetër të shkruar në atë rregullore. Karpov nuk mund ta fitonte ndeshjen e 6 dhe prandaj kjo për të ishte një problem. Kështu nëse ne do të vijonim të luanim mua me duhej të fitoja 3 ai 1, por unë kisha një avantazh psikologjik, megjithatë mund edhe të gaboja pasi atij i duhej vetëm 1 fitore. Nuk kisha asnjë ide deri në fund të lojës. Sic isha atëherë dhe sic jam edhe sot i bindur nëse do të kishte një marrëveshje të firmosur kjo do të thotë se rregullorja duhet të respektohej, e pëlqen apo jo situatën aktuale ku ndodhesh. Nëse ti nuk i respekton kjo do të thotë se ne jetojmë atëherë në kaos. Në kohë moderne marrëveshjet zëvendësojnë fjalët dhe konfliktet pasi kjo na ndihmon që ne të rregullojmë marrëdhëniet. Mund ta thoni se ajo ishte mbrojtja ime e parë e integritetit të rregullave.

Sokol Balla: Në fakt si e solli historia ju tani politikisht jeni sërish përballë jo Anatoli Karpov i cili është një figurë sekondare politike sot në Rusi, përkrahës dhe deputet në Duma i ‘Rusia Jonë’ që është padyshim partia më e madhe pro Putinit në parlament. Megjithatë ju e mundët Anatoli Karpov ishit vetëm 22 vjec në Moskë në 9 Nëntor 1985. A ka një raport mes Gary Kasparov dhe Anatoli Karpov sot?

Gary Kasparov: Koha kalon dhe gjërat nuk mund të jenë të mprehta sic ishin në të shkuarën. Mund të them se marrëdhëniet tona janë stabilizuar. Kur unë u arrestova në 2007-n duke shpenzuar pak ditë në qelitë e Putinit, Karpov tentoi të më vizitonte duke treguar kështu solidaritet. Kjo për mua ishte një shenjë e madhe. Në 2010 unë e mbështeta Karpov kur kandidoi për president të Federatës Botërore të Shahut, duke shpenzuar shumë energji dhe kohë duke mbështetur përpjekjet e tij presidenciale. Por mbetemi shumë të ndryshëm. Anatoli Karpov sot është mbështetës i regjimit, është pjesë e tij, sic edhe ishte 20 apo 30 vjet më parë. Ironikisht unë vijoj të jem kundërshtari i regjimit. Unë besoj fort në këtë që bëj dhe këto përpjekje i shikoj si dicka me rëndësi të madhe. Jeta nuk është detyrimisht vetëm lojë shahu ku ti ose fiton ose humb. Duhet të bësh gjëra të cilat janë të drejta duke konsideruar se cfarë vjen prej tyre.

Sokol Balla: Cila ishte fjala që ai ju tha juve privatisht pas humbjes në Moskë?

Gary Kasparov: Ne nuk folëm.

Sokol Balla: Fare?

Gary Kasparov: Cfarë ishte në mëndjen e Karpovit në fakt unë duhet të hamendësoj duke e njohur atë mirë pasi pas cdo humbje kërkonte një lojë të re pasi ai është tejet konkurues. Prandaj ne luajtëm një ndeshje në ‘86-87. Kështu Karpov mund të ndërmerrte hakmarrjen e tij. Në momentin kur ai u tërhoq ndoshta mendonte si mund t’i rikthehej një sfide të re dhe ta rimerte titullin.

Sokol Balla: Në fakt ju keni edhe rekorde të tjera. Në janar 1986 bëheni lojtari i parë në renditjen botërore deri në 2005 për gati 19 vjet. Pra një periudhë shumë e gjatë. Keni kapur 2800 pikë në klasifikimin tuaj që sic i referoheni ju në faqen tuaj ekuivalente me thyerjen e rekordit të miljes për 4 minuta. Ju keni kaluar në sukseset tuaja në klasifikimet botërore rekordet e mbajtura nga një tjetër legjendë e shahut, Bobi Fisher duke i tejkaluar rekodet e tij. Por kush është lojtari më i madh i historisë së shahut. Bobi Fisher apo Gari Kasparov?


Gary Kasparov:
Rezervohem të krahasoj lojtarë të cilët asnjëherë s’u përballën në kompeticione të njëjta. Bobi Fisher e luajti ndeshjen e fundit në 1972 kur unë isha vetëm 9 vjec. Nëse shikon sot lojën moderne, cdo lojtar i thjesht pa qënë mjeshtër di ndoshta më shumë se sa Bobi Fisher dinte në 1972. Sepse sot ju keni kompjutera, marrje informacioni dhe kjo i bën lojtarë më të mirë. Është subjektive të krahasosh lojtarët e së shkuarës me ata të sotmit. Fisheri është krejt i ndryshëm. Mund të shkojmë prapa në kohë tek Badvini  apo Kapablanka apo nëse doni të krahasojmë në sporte të tjera mund të pyesësh njerëzit kush ishte lojtarë më i mirë Pele apo Maradona. Varet nga ajo që njerëzit kanë në mendje.

Sokol Balla: Dhe debati vazhdon për këtë pikë….Pele apo Maradona…

Gary Kasparov: Ok, por disa njerëz thonë Mesi. Prap e them se është e vështirë sepse nëse shikojmë cilësinë e lojës mund të thuash se Mesi të impresionon më shumë pasi mbrojtja sa vjen e forcohet, po ashtu fiziku lojtarëve dhe shënimi është më i vështirë. Kështu disa njerëz thonë se në 1970, që ishte edhe kampionati i parë botëror i ndjekur prej meje ku mbaj mend shënimin e golit të parë me kokë nga Pele kundra Italisë dhe loja mbaroi 4 me 1, pra është dicka subjektive. Ndjesë që kaluam në futboll, por është e njëjta gjë. Fisher pati fitore fantastike sikurse edhe unë. Përparësia ime ishte se unë luajta për një periudhë më të gjatë, ndërsa Fisheri e pati domimin gjatë 3 viteve. Unë isha dominant për 15 vjet. Nëse do të jap një shëmbull jo nga sporti, por nga shkenca është e pavlerë të themi se kush ishte shkencëtari më i mirë Njutoni apo Ajshtajni. Sot nëse shkon tek cdo student fizike ai di më shumë sa Njutoni dhe Ajshtajni të marrë së bashku.Cfarë na tregon kjo? Atë që tani ka më shumë mundësi informimi për të cuar përpara progresin.

Sokol Balla: Po tregoheni modest megjithatë duke marrë shëmbullin e futbollit sic thatë rregullat e futbollit janë të njëjta, por ka ndryshuar taktika. Që në kohën e persëve shahu është ajo fusha me kutia me 32 figurat sërish vetëm 1 kundërshtarë përballë. Dhe natytrisht megjithëse i vogël keni pasur mundësi qoftë edhe t’i lexoni ndeshjet e Bobi Fisher. Nëse do ta kishit përballë e të luanit me të, si do të dilte ndeshja?

Gary Kasparov: Është njësoj sikur të ndërtosh një makineri kohe. Unë kam mësuar prej Bobi Fisher. Për të krijuar kushte të barabarta duhet të ndërtosh Bobi Fisherin e 1972-shit në kohë moderne duke i dhënë një trajnim profesional dhe të sigurohesh që ai ka atë akses në kompjuter  gjë të cilën unë e kisha në vitin 2000. Problemi nis në momentin kur t’i tërheq një gjeni nga e shkuara dhe e sjell në një epokë moderne duke e pajisur me informacion të ri e transformon atë. Gjeni i vërtetë është ai person i cili lëviz nga pjesa horizontale në atë verikale. Ai i cili hap horizonte të reja. Natyshëm loja e Fisherit ishte për sytë e lirë të një epoke të re. Ne mund të flasim edhe për lojtarë të tjerë me një simpati dhe admirim të njëjtë.

Sokol Balla: Megjithatë ju përmendët shpeshherë makinat. Edhe ju në fakt në aktivitetet tuaja të mëpasme keni provuar t’i mundni makinat (komjuterat). Jeni i vetmi që keni mundur makinën e famshme të shahut D-Blue, kompjuteri i IBM  në vitin 1996. Më pas D-Blue ju mund ju në vitin 1997 dhe pas saj IBM-ja refuzoi të bënte një ndeshje të tretë, pra e la barazim dhe e cmontoi kompjuterin e famshëm D-Blue. Cila ishte ndjesia që një njeri të mundte një makinë inteligjente, një kompjuter?

Gary Kasparov: Është një histori e gjatë. Fatkeqësisht koha e formatit të kësaj interviste nuk do të na e lejonte të flisnim edhe për një fragment të vogël  të kësaj histori në detaje. Mendoj se shahu është një fushë shumë unike, ku mund të krahasojmë forcën e llogaritjes, e cila është edhe pika më e fortë e makinës me kreativiteti dhe intuitën e qënieve njerëzore. Shahu nuk është një lojë të cilën mund ta llogarisësh nga fillimi në fund. Matematikisht është një lojë pafund. Pra makina nuk sheh dot fundin. Pra gjithmonë është ai momenti kur ti fillon dhe merr vendime kundra kalkulimeve perfekte. Makinat sa vjen e vështirësohen sepse marrin forcën e llogaritjes plus pastaj edhe elementi stabilitetit . Loja e shahut prej njerëzve nuk është 100 % e qëndrueshme sepse mund të kemi luhatjet tona nga stresi psikologjik, prandaj gjatë një loje vërehen ulje-ngritje, ndërsa makina nuk lëviz. Prandaj të luash kundra një makine është shumë e vështirë një sfidë e paimagjinueshme për  mëndjen e  një njeriu pasi kërkon një nivel të lartë përqëndrimi, gjë e cila nuk është e nevojshme apo kërkohet në një duel njerëzor.

Sokol Balla: Sa veta e kanë bërë këtë sa veta e kanë mundur D-Blue përvec jush?

Gary Kasparov: D-Blue ishte ndërtuar vetëm për të luajtur me mua. Në 1996 unë e fitova ndeshjen e parë por në Nju Jork e humba të dytën. Ata e shkatërruan kompjuterin dhe fatkeqësisht nuk kemi një rekord të D-Blue në mënyrë që të gjykonim kualitetin pasi u prodhuan vetëm disa kompjutera. Nëse sot shikojnë programet e shahut ato kanë evoluar deri në version 12 e kështu me radhë. D-Blue ishte një mister dhe mbetet i tillë. Tashmë ai kompjuter është shkatërruar kështu mbetet e vështirë për të gjykuar shkallën e vështirësisë që kishte.

Sokol Balla: Ju e humbni titullin e kampionit në Londër në vitin 2000 përballë një tjetër rusi, pra ia morët një rusi dhe ia latë një tjetri, Vladimir Kramnik. Megjithatë ju largoheni nga shahu profesionist vetëm pas 5 vjetësh. Përse nuk e latë atë moment? Pse vazhduat edhe për 5 vjet të tjera?

Gary Kasparov: Për mua të luajturit shah nuk ishte thjesht një cështje për të fituar ndeshje, ishte gjithashtu dicka për të bërë ndryshimin dhe dhënë kontribut në lojën e shahut. Kur unë humba në vitin 2000 kundra Vladimir Kramnik unë nuk ndjehesha se isha i ezauruar apo i lodhur. Pas kësaj gare të paktën edhe për dy vite të tjera unë isha dominues duke fituar kompeticione të ndryshme dhe duke qëndruar lart në sistemin e pikëve duke e mbajtur kështu deri në fund të karrierës time. Gjatë 2003-2004 fillova duke humbur terren pasi e shikoja që nuk  kisha vendosmëri dhe pasion për të qenë ndryshe. Pra kisha nevojë për kohë në mënyrë që të vendosja se cila do të ishte e ardhmja ime pasi shumë lojtarë shahu luajnë pafundësisht. Unë doja të bëja cka do të ishte me rëndësi dhe do të sillte ndryshim tek njerëzit. Vendimi për ta lënë shahun nuk është marrë brenda një nate. Kështu në mënyrë graduale mendërisht përgatita mëndjen time për dicka të tillë e cila do të ndodhte. Kishte një element të rëndësishëm psikologjik në të gjithë këtë histori. Në 1997 kur fitova një tur shahu në Rusi u pyeta nga një gazetar për ëndrrën time në shah sepse kisha fituar pothuajse të gjitha ndeshjet e luajtura. Kampion bote për 12 vjet dhe ku doja tjetër të arrija….iu përgjigja me këto fjalë: Nuk ka mbetur shumë se cfarë mund të ëndërroj për shahun. Atë kohë sapo më kishte lindur djali dhe ishte vetëm 9 muajsh. I thashë gazetarit se do të dëshiroja që ai të rritej edhe ca e të shikonte babain që fitonte në evenimente të ndryshme për ta kuptuar se cfarë unë kisha bërë në jetën time. Në dhjetor 2004 unë luajta në kampionatin kombëtar në Rusi. E fitova atë në Moskë në një kohë që djali ishte 8 vjec. Në ceremoni ishte afër meje. Hoqa nga qafa medaljen e arit duke e vendosur në të tijën dhe kështu i thashë vetes ky është fundi i gjithë kësaj historie . E cfarë tjetër… kjo ishte ëndrra finale. Kjo e bëri më të lehtë për mua që pas dy muajsh të thoja faleminderit tashmë ka ardhur momenti ta drejtoj jetën time diku tjetër. Gradualisht unë isha i përgatitur për këtë moment.

Sokol Balla: Ju pyeta se shahu nuk është si të gjitha sportet e tjera ose nuk e di nëse quhet sport pasi është lojë e mëndjes, lojë e inteligjencës sepse në shah ti nuk vrapon, nuk stërvitesh fizikisht dhe thuhet që me kalimin e moshës truri piqet dhe bëhet më shumë inteligjent. Ndoshta shpjegimi që ju dhatë pra të ruanit dicka në memorien e djalit tuaj ka një sens. Por unë kam përshtypjen që përvec kësaj duhet të ketë patur edhe dicka tjetër. Sic edhe ju e thatë që nuk ishit më i fokusuar, shahu nuk ju jepte më, i kishit marrë gjithcka atij dhe ndoshta kthyet sytë nga politika?

Gary Kasparov: Jo. Fusha ime ku operoja ishte me më pak rëndësi nga ajo e cila besoja që lidhet me të ndryshuarin e gjërave. Të bësh ndryshimin ishte motoja e jetës time. Ajo që e quajtën përfshirje në politikën ruse lidhet drejtëpërdrejtë me të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Rusi. Nuk kisha ndonjë axhendë personale kështu që nëse nuk e bëja s’më mbetej gjë tjetër vetëm të largohesha prej vendit tim. Kuptova se vendi ishte duke shkuar në një drejtim të gabuar. Nëse nis e beson se situata do të ndryshonte pas dy vitesh, Vladimir Putin nuk është aq i rrezikshëm, unë kisha një nuhatje tjetër. Vladimir Putin është një rrezik i vërtetë. Doja të bëja dicka natyrisht sa mundesha. U zhvesha nga frika e të qënurit një njeri me rëndësi dhe në këtë fushëbetejë politike dhe të drejtave të njeriut nuk duhet të jesh aq i dukshëm sa isha në shah sepse nuk kishte rregulla. Nëse në shah ti parashikon cdo të ndodhë falë rregullave të lojës, në Rusi ishte e kundërta. Rregullat ndryshoheshin vazhdimisht dhe rezultati mbetej i pandryshuar. Atë kohë u mendova dhe thashë pse jo mos ta provoja një dicka të tillë. Nuk isha i përfshirë vetëm në këtë aktivitet në Rusi. Kur lashë shahun jam përfshirë edhe në promovimin e ideve vendimmarrëse dhe strategjive përfshi koncepte të ndryshme. Për këtë shkruajta një libër të përkthyer në 22 gjuhë. Gjatë 9 viteve të fundit kam dhënë me qindra leksione nëpër koorporata të ndryshme, konferenca, universitete plus vijoj të shkruaj libra apo artikuj politikë. Pra kam një jetë intelektuale aktive. Pra ajo që bëj në Rusi dhe e panë nëpërmjet televizorit ku unë isha përballë policisë së Putinit nuk është dicka tipike, por mendova se duhej bërë.

Sokol Balla: Gary Kasparov është një ndër të parët që paralajmëroi fenomenin e Putinizmit. Në 2006 ju formuat Frontin Civil të Bashkuar një organizatë që i kundërvihej shkeljes së të drejtave të njeriut nga Vladimir Putin. Ju jeni ende kryetar i këtij fronti dhe një prej liderve kryesor të opozitës ruse nëse mund të flitet që ka një opozitë në Rusi apo jo?

Gary Kasparov:
Nuk mund ta themi që ka një opozitë sot në Rusi sepse të gjithë ata të cilët kundërshtojnë regjimin ose janë pas hekurave ose në azil. Putini ka totalisht kontrollin dhe ky nuk është një shtet ku lejohet opozitë. Ka vend për diskutim nëse Rusia është një regjim diktatorial apo regjim totalitar apo po shkon drejt njën shteti monstër. Është e qartë pas zhvillimeve të fundit dhe nga ato cfarë Putini tashmë ka deklaruar e gjitha është një kopje e retorikave të Adolf  Hitlerit. Kështu nën një klimë të tillë krijuar prej Putinit opozita nuk ekziston si një faktor i pavarur politik. Prandaj shumica e kolegëve të mi janë të burgosur apo arrest shtëpie. Unë ndodhem jashtë Rusisë për gati 1 vit dhe nuk e shikoj të afërt rikthimin tim atje në të ardhmen.

Sokol Balla: Zoti Kasparov ju ishit ndër të parët në dhënien e alarmit që Vladimir Putin paraqiste. Megjithatë le të themi cfarë ju patë negative në Rusinë e 2007-s e cila në fakt dukej e rilindur krahasuar le të themi me të shkuarën e korruptuar me varfëri të madhe, por edhe me imazhin e ulur të Rusisë që la Boris Jelcin….

Gary Kasparov: Është një histori e gjatë e cila nuk e ka pikënisjen në 2006 apo 2007. Duhet të kthehemi në vitin 1991. Atë kohë Bashkimi Sovjetik sikurse edhe vendi juaj po zgjohej. Ne kishim pritshmëri të mëdha rreth të ardhmes dhe në Gusht 1991 kur revolucioni fitoi dhe statuja e themeluesit të KGB-së Xherxhinnski u hoq nga sheshi qëndror i Moskës, askush nuk mund ta imagjinonte që 9 vite më pas një kolonel i KGB-s të bëhej President i Rusisë. Mbase mund të thoni se ka disa kolonelë të KGB-s të cilët kanë punuar mirë, por të gjitha zhvillimet kur ishte Jelcini janë tejet dëmtuese për demokracinë. Pasi gjatë kohës së Jelcinit pushteti u përqëndrua në duart e presidentit. Jelcini në 1993 përdori tanket kundra opozitës në një parlament i cili nuk ishte perfekt dhe në përbërje të tij kishte shumë komunistë dhe nacionalistë. Megjithatë kishte një farë balance e cila u shkatërrua me forcën e tankeve. Kjo solli situatën kur fuqitë u përqëndruan tek presidenti . Jelcini nuk e përdori një fuqi të tillë në të njëjtën formë që po e përdor Vladimir Putini.  Prapësitë e Putinit nisën me konfliktin në Ceceni. Shumë sulme të cecenëve në qytetet ruse iu atribuan cecenëve në fakt ishin produkt i ish-KGB-së. Pas ndërhyrjeve me simbolet kombëtare Putin iu vërsul televizionit shtetëror duke e vënë nën kontroll. Dëmet e Putinit nuk kishin të ndaluar. Iu vërsul edhe biznesmenit më të madh rus Kodorovski, themelues dhe drejtues i një kompanie të suksesshme hidrokarburesh në botë.  E burgosi. I izoloi të gjithë aleatët duke i konfiskuar pronat të cilat iu dhanë njerzve të afërt të Putinit. Pra ishin një mori me veprime të cilat më bënë të mendoja se Putini në asnjë mënyrë nuk ishte i gatshëm të reduktonte pushtetin. Ne të gjithë e dimë se cfarë ndodh kur një person qëndron në pushtet për një kohë të gjatë. Fuqi e akumuluar prej tij ishte shumë e madhe dhe potencialisht tejet e rrezikëshme për popullin tonë madje edhe jashtë Rusisë. Fatkeqësisht disa njerëz që marrin vendime në Uashington apo Bruksel u gënjyen nga manovra e pasjes së Medvedevit si pasues. Për mua ishte mëse e qartë. Medvedevi ishte thjesht një zero. Dikushi i vënë në atë post për 4 vjet e më pas të hapte rrugën për të vijuar Putini së paturi fuqi absolute për më gjatë. Shumë njerëzve iu desh kohë ta kuptonin atë që po ndodhte. Ndërsa mua për ta kuptuar më shërbyen disa faktorë kyc. Cdo diktator ka një periudhë të ngjashme e cila është një farë ngritje e më pas mospasja e ideve. Ideja e vetme që i mbetet është se si të qëndrojë në pushtet. E më pas nis të shikojë për armiqtë brenda, e më pas ata jashtë duke krijuar një ushtri të fuqishme. Kjo po ndodh sot.

Sokol Balla: Gjatë viteve të ndryshëm ju i jeni referuar Vladimir Putinit me emra të ndryshëm. E keni quajtur shkelës të drejtave të njeriut, një përson që po risjell të shkuarën komuniste, autoritar, diktator dhe pas ngjarjeve në Krime ju keni shkuar në ekstrem në vlerësimin tuaj duke e krahasuar pothuajse fjalë për fjalë me Adolf Hitlerin. Nëse ju pyes sot si mund ta përshkruani Putinizmin? Pasi putinizmi ka ndikuar, jo pak në vëndet ish-komuniste me demokraci hibride.

Gary Kasparov: Putinizmi është kombinim i shumë faktorëve pasi ju keni atje gjithcka duke nisur nga shteti     që ndërtoj Musolini, nga oligarkia klasike, kemi një strukturë tipike mafioze që do të thotë besnikëri ndaj bosit, gjë e cila është kriteri suksesit. Aftësia e Putinit nëpërmjet putinizmit ishte kalimi nga një ideologji tek tjetra. Ai mund të prezantojë një platformë liberale për ekonominë, ai mund të prezantohet si një i majtë me ide populiste duke shpërndarë paratë apo nacionalist. Pra ai gjithmonë bën manovra. Me këto ai kërkon të qëndrojë sa më shumë në pushtet.Të tilla manorva përdoren për të arritur qëllime shumë të ngushta dhe tani hapësira sa vjen e ngushtohet. Prandaj aplikon një axhendë agresive i cili është socializmi i përzier me nacionalizëm. Prandaj nuk është surprizë që i përdor shumë citime nga Hitleri pasi fatkeqësisht axhenda e sotme e Putinit na kujton atë të Gjermanisë naziste. Shumë njerëz më thonë si është e mundur pavarësisht të këqijave që mbart ky person ta krahasosh me Hitlerin që ishte një djall i vërtet? Dhe përgjigja ime ishte: Unë nuk flas për një Hitler nga librat e historisë pasi kur Hitleri nisi epokën e tij ai nuk u dukej njerëzve si një monstër, pasi në 1936 ai ishte një lider legjitim i një vendi europian, ndoshta radikal, ndoshta pak radikal, por askush nuk mendonte se ai do të ishte një diktator. Prandaj u them njerëzve ne duhet të mësojmë prej gabimeve të së shkuarës pasi Hitleri u kthye në një monstër falë neglizhencës të Botës e cila nuk i dha rëndësinë e duhur prandaj unë pata një postim në Tëitter në 20 shkurt dhe njerëzit nisën të qeshnin……

Sokol Balla: Më lejoni t’ju lexoj cfarë shkruat në Tëitter në 20 shkurt.”Kur unë shkruajta për një bashkim të Ukrainës duke iu referuar bashkimit të famshëm të Gjermanisë fashiste me Austrinë, lojërat e Socit ishin akoma duke u zhvilluar dhe nënvizova se pushtimi i Gjerogjisë nga Putini gjatë olimpiadës së Pekinit mendova se cfarë do ta pengonte atë që të bënte të njëjtën gjë në Ukrainë dhe trupat Ruse sot ende janë në pushtim të Osetisë jugore Abkaizë territore të Gjeorgjisë. Pra ishit të parët që keni paralajmëruar atë që Putin do të bëntë në Krime bile edhe se kur, pas lojerave olimpike në Soci. Dhe këto parashikime tuajat janë deri diku të frikëshme. Nëse ju pyes sot cila është e ardhmja e Vladimir Putinit dhe regjimit të tij në Rusi. Cfarë do të më thonit?

Gary Kasparov: Përsëri duhet t’i rikthehemi historisë, e cila na tregon ne se e ardhmja e të tillë diktatorëve është e rëndë njëkohësisht tragjike. Por duhet të shqëtësohemi për impaktin që ata kanë në vëndet e tyre dhe globalisht.Një kolaps i diktaturës së Putinit është më pastaja për të gjithë botën. Nëse Rusia shpërthen mbetjet e saj do të gjenden në të gjitha kontinentet. Nuk i referohem këtu potencialit nuklear, por për një hartë të re gjeo-strategjike . Nëse Rusia shkon në kolaps duke përjashtuar anën bërthamore, pra përdorimin e armëve, ndoshta do të prek cdo individ në planet. Kolapsi që pësoi Bashkimi Sovjetik ishte relativish i qetë. Pati derdhje gjaku, pati konflikte, por nëse e krahasojmë me përmasat e kësaj perandorie e keqja e madhe nuk ndodhi. Për këtë duhet t’i jemi mirënjohës Boris Jelcinit i cili thjeshtësoi problemet duke lënë vëndet e tjera të shkonin . Sot ne jemi duke parë një qasje agresive. Dhe historia na mëson se sa më shumë të presim, cmimi rritet. Në 1936 ishte e lehtë të ndalohej Hitleri në 37-n e kështu me radhë gjërat u vështirësuan. Amerika dhe Europa duhet ta kuptojnë se nëse Putini nuk ndalohet që tani, pas agresionit në Krime ai do të shkojë drejt Ukrainës lindore  dhe pavarësisht rrethanave asgjë s’ka për ta ndaluar, pasi ky do të jetë një zhvillim tejet natyral në këndvështrimin e tij. Prandaj ai tani përdor retorikë gjermane. Ai kërkon të demostrojë sukses pas suksesit. Krimeja është hapi i tij i parë më pas Ukraina lindore, më tej Moldavia. Kjo është ajo që ka ngjallur shqetësim në Amerikë dhe Europë, pasi Putini mund t’i afrohet vëndeve Balltike. Estonia dhe Lituania kanë një numër të madh popullate ruse dhe propaganda ruse thotë se me këto vende s’ka mbaruar ende punë. Të dy këto vënde janë anëtare të NATO-s.

Sokol Balla: Këtë doja të thoja se këto dy vënde janë anëtare të NATO-s dhe e dimë klauzolën e famshme që nëse një anëtar sulmohet të gjithë anëtarët e tjerë janë të detyruar ta marrin në mbrojtje. Pra ju thoni se një përplasje me Bashkimin Sovjetik të Putinit tashmë është e paevitueshme? Pra ajo Lufta e Ftohtë që u evitua 50 vjet më parë mund të ndodhi tani?

Gary Kasparov:
Putini nuk duket kështu pasi diktatorët forcohen duke zënë hapësirat e lira. Përshembul Hitleri u forcua pasi shikonte që Anglia dhe Franca ishin të dobëta dhe të pavullnetëshme për t’i bërë qëndresë kundra tij. Putini ka një sjellje prej lojtari pokeri duke patur letra të dobëta, por e rrit stekën dhe më pas luan bllofin dhe më pas hedh në tokë letrat. Integriteti territorial i Ukrainës garantohej nga një memorandum i firmosur në Budapest nga Rusia, Britania e Madhe dhe Amerika. Në këmbim Ukraina ra dakort të hiqte dorë nga armët nukleare në këmbim të integritetit territorial. Në prespektivën e Putinit nëse Amerika nuk respekton atë firmë të presidentit Bill Klinton, përse Amerika do ta respektojë atë nen të NATO-s? Unë e di që ka disa ndryshime ligjore në përdorimin e forcës, por ne jetojmë në një botë ku ka marrëveshje të cilat rregullojnë marrëdhëniet tona, dhe nëse një marrëveshje e firmosur nga Presidenti i Amerikës dhe kryeministri i Britanisë së Madhe duke i ofruar garanci një shteti i cili në mënyrë vullnetare hoqi dorë nga arsenali nuklear dhe kjo marrëveshje griset. Si mund t’ju drejtohesh iranianëve e t’u thuash ndaloni programet nukleare? Si mund të bisedohet me Izraelin për armët nukleare dhe Amerika do të ofrojë siguri. Askush nuk do t’i dëgjojë këto premtime të Uashingtoit apo Brukselit dhe kështu ne kthemi tek kaosi ku gjithsecili vihet kundra gjithsecilit . Është me të vërtetë një ironi e hidhët apo tragjike pasi ne jetojmë në një periudhë vetëm disa muaj pasi Sentaneo dhe Vorsori fituan Luftën e Parë Botërore. Mos ta harrojmë askush nuk e besonte fitoren të zgjaste dhe kjo luftë shkatërroi botën. Për ata të cilët mendojnë se kjo situatë në Rusi do të ndryshojë unë them Jo, Jo, pasi Putini është i dëshpëruar tani dhe do të shkoj një pas një tek objektivat përpara se të ndalojë. Nëse veprojmë shpejt kostoja do të jetë më e ulët.

Sokol Balla: Cfarë duhet bërë? Hitleri u ndal nga një kundrasulm ushtarak të të gjitha forcave aleate që zgjati 5 vjet. Putini sa mund të zgjatet? Ok, lufta është një opsion, që sic thatë ju një luftë sot nuk do të jetë e njëjtë me atë të parën apo ajo e dytë botërore, pasi flasim për arsenale të fuqishme bërthamore dhe në këtë rast ndoshta vëmendja kthehet nga vetë rusët. A e kuptojnë ata se cfarë po ndodh apo ata në shumicë e mbështesin Vladimir Putinin?

Gary Kasparov:
Shiko, në 1938-n shumica përkrahte Hitlerin. Pra kishte një maxhorancë të rehatshme. Sot nëse bëhet një referendum në Damask, jam i sigurtë se 100% do të përkrahnin Bashar Al Asad. Unë mendoj se nuk duhet të mbështetemi në sondazhet publike në një atmosferë 24 orë në 7 ditë propaganda qeveritare helmon mendjet e njerëzve duke ia shpëlarë trurin. Në Rusi sot s’ka debat. Ka dy anë ose agresiv ose superagresiv. Nuk ka pikpamje të tjera në televizion, pra 24 orë vetëm gënjeshtra. Është e zakontë për kreun e shtetit Vladimir Putinin dhe enturazhin e tij të gënjejnë publikisht. Batareja e gënjeshtrave të thëna prej Vladimir Putin gjatë 3 javëve të fundit nuk mendoj se Hitleri në kohën e tij mund t’ja arrinte. Por ndryshe nga 60 apo 80 vite më parë, nëse kreu shtetit do të gënjente ajo kalonte pa u vënë re. Sot kemi GPS, Tëitter dhe Youtube nga shikohet propaganda ruse e Vladimir Putin i cili gënjente në cdo deklaratë për Krimenë. Ata vijojnë të gënjejnë. Nuk u bëhet fare vonë.Ata besojnë se kjo është shenjë e një superioriteti pasi gënjejnë dhe nuk i gjen gjë prej gënjeshtrës. Mënyra e të komunikuarit me popullin rus duhet të jetë e tillë që ata ta kuptojnë cmimin e të gjithë kësaj që po ndodh. Sot nuk na duhet të përdorim forcë ushtarake. Janë shumë mënyra për të implementuar sanksione të forta. Europa mund ta bëjë këtë, por problemi qëndron se fatkeqësisht në Europë ka shumë para ruse. Kemi të bëjmë me interesa të mëdha të koorporatave gjermane, bankave britanike. Askushi nuk pranon të sakrifikohet. Problemi qëndron tek ajo cfarë Putini beson. Dobësia e një bote të lirë. Ne duhet të veprojmë tani me zëvëndësimin e hidro-karbureve ruse nëpërmjet vëndeve të tjera. Nuk është e vështirë. Norvegjia e vetme kompeson Europën me gazin rus. Pra duhet të punohet, për atë që ndodhi në Krime dhe kështu ndoshta kjo do ta frenojë Putinin nga të avancuarit drejt jugut dhe lindjes së Ukrainës. Ndoshta është shumë vonë sepse axhenda e tij është e mirëpërcaktuar pasi nuk njohu autoritetet e reja atje dhe mund të shkoj më tej.

Sokol Balla: Në fakt skenari që ju jepni zoti Kasparov është i frikshëm pasi ju flisni për një Hitler me armë bërthamore dhe kjo natyrisht e bën botën ku ne jetojmë sot një vend shumë të rrezikshëm…..

Gary Kasparov: Nëse shikojmë të gjitha diktaturat Hitlerin apo Stalinin, Maon…tek ta ka disa zhvillime, thënë ndryshe gurë kilometrikë ku ka patur konflikt mes diktatorit dhe atyre afër tij. Prandaj diktatorët i zëvëndësojnë ata ndërkohë që elitat ndjehen në siklet prej tyre. Elita qeverisëse e Rusisë shpenzon qindra miliardë dollarë jashtë vëndit. Sanksionet kundra këtyre njerëzve do të thotë humbje shumash kolosale parash. Kjo do të jetë një këmbanë zgjimi për t’u thënë atyre se duhet të gjejnë një mënyrë për ta larguar Putinin. Ose t’i heqin suportin e tyre atij. Qeveria amerikane hodhi hapin e duhur në këtë drejtim, por Europa është e frikësuar ta bëjë dicka të tillë. Është e thjeshtë. Ndiq ku është paraja. Goditi ku u dhëmb më shumë. Cështjet financiare janë vendimtare për njerëzit e regjimit të Putinit. Kur unë dëgjoj se Rusia do të mbyllë rubinetin e gazit unë them OK. Europa do të vuajë, por kush do të paguajë për programet e Putinit në Rusi. Gazi dhe nafta janë dy kontributorët kryesorë në buxhetin e Putinit. Duke treguar guxim ulet numri atyre që i shkojnë nga pas Putinit. Harrojeni Putinin. Kauza e tij është e humbur.Pra asnjë gjeneral s’e fiton luftën pa ushtarë. Ne duhet të godasim ata afër atij duke i dërguar një sinjal të qartë. Në pikëpamjen time qeveritë perëndimore janë duke e bërë këtë, por në mënyrë modeste.

Sokol Balla: Nga propaganda ruse në aneksimin e Krimesë kemi dëgjuar krahasimin mes Krimesë dhe Kosovës. Ju keni qënë dhe jeni kundra aneksimit të Krimesë duke e quajtur shkelje të sovranitetit të Ukrainës. Cfarë mendimi keni për Kosovën dhe statusin e saj ? A ishte e drejtë ajo që ndodhi në 1999-n, dhe a duhet të jetë Kosova një shtet i njohur si i pavarur edhe nga Rusia e Serbia?

Gary Kasparov: Shumë kollaj mund të fajësojmë Rusinë për standard të dyfishtë pse Kosova nuk është njohur sot nga Rusia nëse ata gabimisht pretendojnë se është një rast i ngjashëm me Krimenë. Është një propagandë tipike me argumenta shumë të dobët  gjë e cila nuk qëndron në asnjë lloj debati të mundshëm. Kjo ka efekt vetëm për televizionin e kontrolluar prej Putinit . Nuk ka as edhe një element të vetëm se popullsia ruse atje po vuante nga një genocid apo abuzim i të drejtave të tyre. Kurrë s’kam dëgjuar për ndonjë rrezik të mundshëm të popullatës ruse në Krime. Tani ne po shikojmë spastrimin etnik të ukrainasve dhe tartarëve atje sepse ata tani ndjehen qytetarë të një vëndi tjetër pasi askush nuk i pyeti ata. Kosova përjetoi një eksperiencë tragjike. Pati një spastrim etnik dhe prandaj argumenti ishte shumë i qartë për ta mbrojtur popullsinë prej brutalitetit të Milloshevicit. Referendumi në Kosovë është organizuar nën monitorimin e autoriteve ndërkombëtare. Disa vënde thanë jo nuk ju pëlqejmë, nuk ju njohim si shtet megjithatë referendumi ishte i mbikqyrur dhe organizuar sipas rregullave. Ndërsa në Krime për vetëm 10 ditë. Vladimir Putini gjeti një menaxher perfekt për fushatën e referendumit zotin Kallashnikov. Referendumi ishte nën kërcënimin e armëve. Ishte një imitim i keq zgjedhjeve që realizon Putini. Dhe shakaja që u përhap në Rusi ishte. 97% e qytetarëve të Krimesë votuan për këtë referendum se e dinin që ky ishte votimi i fundit në jetën e tyre.

Sokol Balla: Ju nuk jeni rus, pra jeni gjysmë hebre dhe ne e dimë sot se nacionalizmi rus sot apo në të shkuarën nuk ka qënë ndoshta jo aq i ashpër sa Hitleri, por aty-aty. Me origjinë nga mamaja jeni armene që dihet se kanë qenë një popullatë e persekutuar gjatë regjimit sovjetik. Ju jeni kundër aneksimit të Krimesë, jeni pro pavarsisë së Kosovës. Sa mundësi ka një lider i opozitës ruse të jetë popullor në Rusi e para? Dhe e dyta në përgjithësi sa realisht ka mundësi demokratike një opozitë në Rusi që të vijë në pushtet dikur?

Gary Kasparov:
Po unë jam gjysmë hebre, por gjuha ime native është rusishtja , Edukimi është rus, kultura është ruse pra unë u rrita në qytetin e Bakusë në jug të Bashkimit Sovjetik, sot Republika e Azerbajxhanit. Ishte një qytet i përbërë prej shumë nacionaliteteve njësoj si një tenxhere gjelle. Në familjen time ne ishim të nacionaliteteve të ndryshme, por rusishtja ishte gjuha kryesore. E njëjta gjë është në Nju Jork ku ka italianë, hebrenj dhe të tjerë, por të gjithë janë amerikanë. Pran unë kam një identifikim shumë të qartë si një qytetar i Unionit Sovjetik, Rusisë. Prandaj me rëënien e Bashkimit Sovjetik unë u vendosa të jetoj në Moskë duke u kthyer në një prej sportistëve rusë me 8 medalje ari. 4 për Bashkimin Sovietik dhe 4 për Rusinë si anëtar i ekipit olimpik. Unë i kam shërbyer vendit tim mirë. Cfarë po ndodh tani unë besoj se është një turp për Rusinë. Me krenari e them se njoh shumë njerëz në vendin tim që janë kundra kësaj. Një javë më parë patëm një demostratë masive në Moskë nën hundën e Putinit ku morën pjesë 50 mijë veta duke protestuar kundra aneksimit të Krimesë nëpërmjet agresionit rus. A jemi ne në minoritet. Po. Unë kurrë s’e kam thënë se dua të marr përsipër apo të ndërtoj një karrierë politike në Rusi. Për mua dua të bëhet ajo që është e drejtë. Besoj fort që ajo po bëj tani është e drejtë duke shpresuar se po ndihmoj ata që tani janë në Rusi për ta kthyer vendin në normalitet. Fatkeqësisht krimi në Krime është ndërmarrë prej regjimit të Putinit dhe kjo e bën akoma më të vështirë kthimin e Rusisë në normalitet pasi kjo është një plagë. Cdo qeveri legjitime që do të mund të vij në Rusi do ti duhet ta rikonsiderojë kthimin e Krimesë tek Ukraina. Pra jemi futur në një rreth vicioz. Vladimir Putini e krijoi këtë lloj magneti djallëzor për ta mbajtur Rusinë tek e shkuara. Prandaj unë kam doza pesimizmi për të ardhmen e Rusisë. Prandaj sic e përmendët në prezantimin tuaj unë jam i përqëndruar në cështjet globale, edukimin përmes shahut dhe drejtimin e federatës ndërkombëtare të shahut.

Sokol Balla: Edhe ju në 1984 ishit sfiduesi një kampioni bote si Karpovi i cilim ishte le ta themi i përkëdheluri rregjimit dhe ju hytë si sfidant duke mos u dorëzuar madje ju detyruan të ndërprisnit një garë duke shkelur rregullat e lojës por ama nuk u dorëzuat një vit më vonë dhe arritët tja merrnit kurorën e kampionit të botës.Po ju shikoj pak pesimist në sfidën tuaj politikendaj regjimit të Kremlinit…

Gary Kasparov: Ka gjithmonë vend për optimizëm. Mund të ndodhesh në situata të paimagjinueshme ku vijon të kesh shpresë në jetë. Unë isha duke humbur me Karpovin 5 me 0. Mund të ishte më keq.Unë nuk isha optimist pëballë tij por doja të luftoja mos të humbja por vetëm të fitoja. Duke shprehur pesimzëm sot kjo nuk do të thotë të rrimë duarkryq duke mos bërë asgjë pasi mendoj se historia nuk është një vijë e drejtë lineare por vret tërësisht nga ne në bërjen e dikaje. Prandaj po përpiqen të paralajmëroj botën rreth reziqeve që sjell Putini duke u siguaruar se duhet veprim sa më parë të jetë e mundur. Kjo për të paralandëruar ndodhjen e përkeqësimin. Kur unë e shikoj Rusinë si shtet dhe kuptoj se ka shumë probleme të brëndëshme, konflikte, dominencën Kineze në pjesën lindore të Rusisë, probleme ekonomike në rritje pasi paratë e gazit dhe naftës nuk janë investuar në Rusi por janë dërguar jashtë. Pra shumë mundësi janë keqpërdorur. Po a mund të riparohen për një kohë të shkurtër të gjitha këto? Nuk jam shumë i sigurtë pasi kemi një diktator të etur për gjak. Vladimir Putin ndryshe nga Janukovic në Ukrainë nuk do të kursehet të vrasë 100 njerëz. Ai do të vrasë me qindra-mijëra nëse i nevoitet. Nuk shikoj vendosmëri brënda vëndit për ta ndaluar atë në bërjen e dickaje të tillë.

Sokol Balla: Zoti Kasparov jeni njëkohësisht president i Fondacionit të Shahut. Në ekspozenë që keni në faqen e fondacionit thoni se shahu rrit nivelin e arsimit. Të mëson vendosmërinë, vetëmotivimin dhe sportin në vetvete.Ju jeni në Shqipëri përse?

Gary Kasparov: Mbetem shumë i dhënë pas futjes së shahut në sistemin shkollor. Shahu mbetet një komponentiI rëndësishën i sportit në botë, por futja në shkollë për mua është një prioritet kyc. Nëse në sporte të tjera duhet përgatitje fizike kushtet fizike dhe mendore kur luan shah janë të barabarta. Bota e shahut në këndvështrimin tim duhet t’i drejtohet arsimit për të gjetur një vend në opinionin publik.

Sokol Balla: Shqipëria ka pasur dhe ka shahistë shumë të mirë dhe para dy vitesh ka organizuar kampionatin botëror të shahut për femra. Sa informacion keni për shahun dhe Shqipërinë?

Gary Kasparov: E tek sa unë rritesha Shqipëria ishte një prej vëndeve më të mbyllura të botës prandaj njohuritë e mia për vëndin tuaj ishin të limituara. Deri më tani për mua ishte një pikë e bardhë në hartën e Europës të cilën nuk e kisha vizituar. Por ja ku jam. I kam ndjekur zhvillimet këtu sic ishte edhe kampionati botëror i femrave në shah apo aktivitetet e federatës shqiptare të shahut. Kam dijeni edhe për përpjekjet e futjes së shahut në sistemin arsimor gjë për të cilën jam i gatshëm të jap ndihmën time. Kam patur rastin të takoja në Nju Jork kryeministrin tuaj Edi Rama. Biseduam dhe më pas i dërgova një letër Ministrisë së Arsimit. Kështu mendova të vija vetë në Shqipëri dhe kjo përkon gjithashtu me fushatën time globale pasi jam kandidat për president të Federatës Botërore të Shahut. Jam duke kërkuar përkrahjen e vendeve mike dhe në të njëjtën kohë axhenda ime është e ndërthurur me takime me autoritet tek të cilat pashë gatishmërinë për të implementuar shahun në edukim.

Sokol Balla: Sic e thatë qeveria ka një plan ambicioz për ta futur shahun masivisht në shkollat fillore. Ne jemi vend i varfër dhe me një buxhet modest. A mund të funksionojë kjo? A mund të jetë shahu një lojë e të varfërve? Sepse nuk ka lindur kështu…

Gary Kasparov: Shahu nuk është i shtrenjtë. Ne nuk jemi duke promovuar dicka që kërkon fonde të mëdha sic është ndërtimi një stadium apo fushave të tenisit. Ideja e përhapjes së shahut është tejet e lehtë në përhapjen tek shkollat fillore. Kjo merr një rëndësi të posacme për fëmijët që vinë prej familjeve të varfra pasi duke mësuar rregullat e shahut që në moshat 7-8 vjec ata mund të dallojnë disa gjëra që u mungojnë pasi shahu, për mua është një mjet i përsosur edukimi pasi vihet në lëvizje logjika dhe përgjegjësia. Janë një mori me gjera që duken në pamje të parë si të vogla, por për fëmijët të cilët fatkeqësisht vijnë nga familje të varfra kthehen në model suksesi për integrimin e tyre përmes sistemit arsimor.

Sokol Balla: Ju thatë gjithashtu se jeni kandidat edhe për president të federatës botërore të shahut dhe tashmë jeni pjesë e fushatës “Team Kasparov” . Mendoni se zgjedhjet do të jenë normale apo politike sic ndodhi në vitin 1984? Dhe a keni realisht shpresa të fitoni?

Gary Kasparov: Do të jetë absolutisht një luftë pasi kemi dikë nga Rusia i cili qëndron në atë post prej 19 vitesh dhe kërkon të qëndroj edhe për 4 vite të tjera. Mendoj se koha e tij ishte mëse e mjaftueshme. Jemi në një situatë ku shahu ka humbur shumë mundësi sikurse edhe Rusia. Kjo ka ndodhur pasi është dështuar në thithjen e sponsorave prej korporatave. Ekzistojnë shumë mundësi për shahun përmes rrjeteve sociale, teknologjisë, sikurse dëshira korporatave që e mbështesin këtë ide, por asgjë nuk ka ndodhur. FIDA, sot një organizatë tejet e politizuar dhe nën kontrollin e Rusisë. Ka ardhur momenti t’ja kthejmë atë botës.

Sokol Balla: Nëse ju pyes sot për angazhimet në të shkuarën dhe të ardhmen. Keni shumë gjëra të bëra në CV-n tuaj dhe shumë që doni t’i bëni. Nëse zoti ju del sot përballë dhe ju thotë: “Gary Kasparov dua t’ju plotësoj një dëshirë ju do të zgjidhnit të ishit president i FIDA-s, president i Rusisë, fitues i Cmimit Nobël për të drejtat e njeriut, apo dërgim prapa në kohë në vitin 1984 për të mbaruar ndeshjen me Anatoli Karpov?

Gary Kasparov: Le të mos e marrim në konsideratë të shkuarën pasi janë shumë gjëra që unë do të doja t’i ndryshoja në jetë. Por mendoj se një dicka e vogël mund të ndryshojë shumë gjëra njësoj si tek një film i Hollivudit që kam parë pak kohë më parë. Mund të flas sa të doni për gabimet e mia në të shkuarën, por e shkuara është e shkuar. Më pëlqen ku ndodhem tani, kush jam tani, gabimet mbeten të miat, sikurse arritjet janë po të miat. Për të ardhmen nëse më ofrohet për të zgjedhur përgjigja është shumë e thjeshtë.Unë e kam marrë një vendim që është kandidimi për president të FIDA-s. Tani unë mendoj se e kam një plan për shahun. Zgjedhjet për president të FIDA-s do të më ndihmojnë ta pastroj këtë federatë prej korrupsionit duke ndërtuar një sistem të ri horizontal menaxhimi në rang botëror. Përsa i përket cmimit Nobel për paqen nuk e kam menduar asnjëherë ndoshta ndodh, ndoshta jo….Dua të bëj dicka dhe të tjerët të vlerësojnë dështimet apo arritjet e mia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA