Basha, qytetar nderi i Deçanit

25/03/2014 00:00

Krybashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha u shpall qytetar nderi nga Komuna e Deçanit, në një ceremoni të mbajtur ditën e 15-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë.

Pas ceremonisë, Basha mori pjesë edhe në shënimin e 16-vjetorit të Epopesë së UÇK-së së Dukagjinit të zhvilluar në Gllogjan. Ai vlerësoi lartë luftën e familjes Haradinaj dhe gjithë luftëtarëve të UÇK-së për lirinë dhe tha se sakrifica e familjes Jashari i tregoi mbarë botës se me kurajo nuk kursehet asgjë për lirinë e vendit.

“Nderi është edhe më i madh nga fakti që ju keni zgjedhur ta bëni publik dhe ceremonial pranimin tim në familjen e madhe dhe fisnike. 24 marsi është një ditë e madhe në historinë kombëtare, është dita kur shqiptarët nderojnë dhe kujtojnë betejën e zhvilluar këtu në Deçan, në Gllogjan, 16 vjet më parë. Është dita e Epopesë së Dukagjinit, që ka hyrë tashmë në histori si beteja e madhe nën drejtimin e komandantit Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij. Ndaj sot dua të përulem para gjakut, veprës dhe kontributit të luftëtarëve të UÇK-së, atyre që dhanë jetën që ne të shijojmë sot frytet e lirisë, të pavarësisë së Kosovës, të ndjenjës së bashkimit kombëtar dhe projekteve evropiane e euroatlantike të Kosovës dhe Shqipërisë, që po përparojnë dhe duhet të përparojnë”, deklaroi Basha.

“Në rast se flasim për 24 marsin 1998, unë e kam parë në qindra mënyra. Qindra mendime më kanë ardhur deri tani, si na ndodhi, si shkoi, etj. Por është e thjeshtë, nuk ka qenë krejt rastësi. Gllogjani në vitin 1980, si vendbanim i vogël ka pasur njerëz më së shumti të burgosur politik. Gllogjani më vonë në 98-n zbuloi se ishte në luftë. Më tej u zbulua se edhe Prekazi ishte në luftë dhe në Prekaz nga 5 marsi deri më 24 mars, kush ishte shqiptar e kishte të vështirë të rrinte duarkryq. Ishte e pashmangshme të fshihej ajo çka ndodhi në Prekaz për ata që donin të luftonin. Pra, pritej të ndodhte, nuk duhet të ndiheshim të befasuar”, tha nga ana e tij Haradinaj.

Me rastin e Epopesë së Dukagjinit, Basha bëri homazhe edhe në Gllogjan tek varrezat e dëshmorëve.

Top Channel