LEONARD BODURI – Festimet popullore pagane të Ditës së Verës, i hodhën
njëherë e mirë poshtë pretendimet e herëpashershme për rrënjët tona
fetare. Mbrojtësit e kësaj teze të më ndiejnë, por argumentet kundër
tyre janë kokëforta.
Me gjithë respektin e padiskutueshëm për festë monoteiste dhe për krishterimin në veçanti, e kam parë gjithmonë me përbuzje servilizmin e panevojshëm të disa politikanëve apo edhe përfaqësuesve të lartë të shtetit për të glorifikuar “rrënjët tona kristiane”. Këto përpjekje të sforcuara më sjellin në mendje puthjet dhe përqafimet “e zjarrta dhe pasionante”, gjatë viteve “të arta” të diktaturës, të “çifteve” të udhëheqësve të lartë shqiptarë dhe rusë apo shqiptarë dhe kinezë, të karakterizuara nga një vasalitet i turpshëm deri në neveritje. “Shyqyr Zotit” që gjatë diktaturës u ndalua feja me ligj, pasi do të na kishin konvertuar në “budizëm” apo kushedi se çfarë besimi kinez apo rus për të kënaqur oreksin e servilizmit. Në këtë kuadër, islami, i njohur pak dhe i pasqyruar më shumë në media nga skenarët e filmave hollivudianë, është proklamuar gati si “një pengesë” për integrimin e vendit, ndërsa krishterimi është parë si “karta” që duhet përdorur për integrimin e vendit në BE, pasi Bashkimi Europian është parë me cinizëm si një “klub kristian”. Në fakt, “justifikimi” i sajuar nga rilindësit për ekstremistët që “penguan” statusin në dhjetor plasi në ajër si një flluskë sapuni. Nga ana tjetër, Europa nuk ka rënë pre as e servilizmit dhe as e justifikimeve boshe, por ka mbajtur një qëndrim tejet korrekt. Besimi fetar nuk është i trashëgueshëm gjenetikisht, por një qëndrim subjektiv dhe personal i individit. Të përdorësh fenë për qëllime politike është thjesht e pamoralshme.
Rikthimi i një banori
Spektakli i njohur “Big Brother” është rikthyer në vitin 2014 në ekranin e “Top Channel”, tashmë në edicionin e tij të shtatë. Me gjithë suksesin e padiskutueshëm dhe shikueshmërinë e lartë, një tjetër “shou paralel” me transmetim të drejtpërdrejtë gati 24 orë pa ndërprerje të ministrave dhe Kryeministrit, i mbushur me ngjarje bombastike dhe po aq shfaqje dhe bëma mbresëlënëse po e konkurron seriozisht në avancë që prej muajit shtator të vitit të shkuar. Se kur e gjejnë kohën të punojnë këta zyrtarë, vetëm Zoti mund ta dijë! “Kafazi” mediatik politik së fundmi ka ndezur kamerat për një nga banorët më protagonistë, por “të dëbuar” përkohësisht të shout. Pas disa gafave të njëpasnjëshme dhe deklaratave kundërthënëse për gjendjen e sigurisë në vend, në fund të muajit janar ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, “u zhduk” nga transmetimet televizive, pasi akuzoi Shërbimin Informativ Shtetëror për moseficiensë në punën e tij dhe se nuk kishte ofruar asnjë informacion në lidhje me ngjarjet e rënda të ndodhura në vend. Këto deklarata u bënë zyrtarisht nga ministri Tahiri në Komisionin e Sigurisë gjatë seancës dëgjimore për gjendjen e rendit dhe të sigurisë, pak ditë pasi kishte deklaruar se përfshirja e “ish-numëruesve” të PS-së në Policinë e Shtetit, nuk cenonte politizimin e saj, pasi statusi i tyre me marrjen e një pozicioni në këtë strukturë bëhej “automatikisht” i depolitizuar. Pas rikthimit nga regjia e sinjalit “live” dhe organizimit të punës së zyrës sipas modelit rilindës të “toën-hall”-eve parazgjedhore, Tahiri e ka treguar edhe njëherë shkathtësinë e tij brilante në politikë. Rihyrja e tij në rol filloi me vrull me përplasjen në takimin me Presidentin mbi punën e SHISH-it. Tahiri nuk harroi të përgënjeshtronte vetveten, duke pohuar me gojën e tij se kishte marrë informacione nga SHISH-i, si dhe të akuzonte Presidentin për anëmbajtje politike. Mirëpo, pas takimit të tensionuar që zgjati rreth 75 minuta, Tahiri harroi të mbronte edhe njëherë tezën se punonjësit e rinj në Policinë e Shtetit, ish-numërues të PS-së, ishin totalisht të depolitizuar, ndërkohë që Presidenti i vendit vazhdonte të ishte “totalisht” i politizuar, edhe pse statusi i tij është i qartë dhe i kushtëzuar nga Kushtetuta e vendit. Rikthimi i banorit ishte i currufjasur, por banori ka shanse të mëdha të fitojë çmimin final, pasi ka njohje të mira “në juri”.
Apologjia e AKU-së
Përfundimisht, ne shqiptarët paskemi qenë një popull që merremi me llafe. Shkurt muhabeti jemi intrigantë, thashethemexhinj dhe llafazanë. Si?! Nuk jeni të bindur, doni edhe argumente? Gjykojini vetë faktet! Partia Demokratike, si një opozitë “e papërgjegjshme”, denoncoi përmes deputetëve të saj, se z. Aleksandër Kalemaj, me pozicion “drejtues” në AKU, në vitin 2012 ishte akuzuar se kishte kthyer një magazinë në Vlorë në një “fabrikë” ku prodhonte pije dhe mallra të rrezikshme për jetën e qytetarëve. Se çfarë është bërë me zbardhjen dhe sqarimin e akuzës nuk kemi asnjë njoftim zyrtar. Ajo që dimë është se urgjentisht, me kërkesë të Kryeministrit, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave kreu verifikimet dhe bëri me dije publikun se bëhet fjalë “vetëm” për përgjegjësin e sektorit të ushqimit në Drejtorinë e Menaxhimit të Riskut dhe jo për “drejtuesin” e pretenduar nga opozita. Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se z. Kalemaj është liruar nga detyra dhe nuk e kryen më këtë funksion. Pra, siç e vutë re edhe vetë, jemi alarmuar kot së koti. Kundërvajtësi në fushën e operimit të AKU-së mund të jetë marrë edhe si “i penduar” për të ndihmuar institucionin në goditjen e këtyre “minipunishteve” të jashtëligjshme. “Faktet” tregojnë se opozita ka ngelur me gisht në gojë dhe se akuza e saj ishte e pavend. Në këtë rast, ndryshon puna dhe duket qartë se kemi të bëjmë vetëm me një copë përgjegjës sektori “të shquar” në fushën e mbrojtjes konsumatore dhe me eksperiencë “në kontrollin e ushqimeve” dhe jo me ndonjë drejtues të lartë. Edhe një herë opozita, me sjelljen e saj aspak bashkëpunuese, kontribuoi në rritjen e “normës së papunësisë” në vend. Çfarë papërgjegjshmërie!
Gazeta “Shqip”
Top Channel