Rekomandimet e FMN-së për krizën

20/03/2014 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaron se ekonomia shqiptare u dobësua nga
bllokimi disavjeçar i reformave dhe bllokimi i reformave vitet e fundit
dhe mungesa e disiplinës në politikat financiare dobësoi ekonominë duke
sjellë ngadalësimin e fortë të saj, por edhe rritjen e rreziqeve.

Në një material të gjerë mbi ekonominë shqiptare, pjesë e të cilit është dhe marrëveshja me Qeverinë, FMN vlerëson se ekonomia e ka kaluar pjesën më të vështirë dhe se duke nisur që nga 2014 rritja ekonomike do fillojë të përshpejtohet. Sipas FMN pas ngadalësimit në 0.7 për qind vitin e kaluar, Prodhimi Kombëtar do të rritet me rreth 2 për qind këtë dhe do të vazhdojë të përshpejtohet deri në 4.5 për qind në vitin 2016.

Por ky skenar, vëren Fondi, ka një sërë rreziqesh domethënëse, ku më kryesorët janë një zgjatje e mundshme e krizës në Europë, mungesa e reformave strukturore nga Qeveria, dhe konsolidimi i pamjaftueshëm fiskal për të vënë nën kontroll borxhin. Pika e fundit duket se është edhe ajo më e ndjeshmja në marrëveshjen mes palëve. Në marrëveshje, Qeveria është angazhuar para FMN-së që ta ulë borxhin publik në 60 për qind të Prodhimit Kombëtar brenda vitit 2019. Sipas FMN, ulja e borxhit në këtë nivel do të kërkojë masa të forta fiskale, të cilat sipas tyre duhet të prekin kryesisht taksat.

Në dokument, ekspertët e fondit kanë dhënë një sërë rekomandimesh, se cilat taksat do të duhet të rriten që Qeveria të vërë nën kontroll borxhin publik. Ndër masat afatshkurtra përfshihen, zgjerimi i bazës së TVSH-së duke reduktuar përjashtimet, vendosja e pagesës së kalimit në rrugën Durrës-Kukës, rritja me 50 për qind e taksave për automjetet e përdorura dhe rritja e tatimit mbi të ardhurat për interesat, dividentin, pronësinë intelektuale dhe qiratë nga 10 në 12 për qind.

Në afatmesëm, Fondi sugjeron taksimin e individëve që udhëtojnë jashtë shtetit, vendosjen e TVSH-së për telefonatat nga jashtë, taksimin shtesë për mallrat e luksit, dhe zgjerimin i bazës për taksat mbi pronën. Këto janë masat e propozuara në kahun e të ardhurave.

Por sugjerime ka edhe për shpenzimet, ku më i rëndësishmi është ai i rritjes së moshës së pensionit në 65 vjeç për gratë dhe 67 për burrat. Paralelisht FMN rekomandon disiplinimin e sektorit energjetik duke ulur vjedhjet dhe përmirësuar arkëtimet, por edhe një sistem më të mirë të pagave në shtet.

Këto masa u shtohen atyre që Qeveria ndërmori në fillim të vitit, ku për të vënë borxhin nën kontroll rriti barrën fiskale me 20 miliardë lekë shtesë për qytetarët e biznesin dhe lajmëroi ngrirjen e pagave në administratë përveç punonjësve të policisë, si dhe rritjen e pensioneve vetëm sa inflacioni. Tashmë mbetet për t’u parë se cilat nga propozimet e FMN-së do të zbatojë Qeveria, por siç e thekson dhe dokumenti i FMN, i sigurtë është fakti se ulja e borxhit në 60 për qind, kalon përmes këtyre propozimeve.

Top Channel