
ZAMIRA ÇAVO – Në 23 vjet të demokracisë në Shqipëri, Partia Socialiste
ka qenë padyshim, një nga asetet më me vlerë që ka pasur politika jonë.
Me njerëz idealistë, të majtë në thelbin e tyre ideologjik, kjo parti ka qenë garantja e “paqes” sociale e politike në momentet më të vështira të jetës politike shqiptare. Por tashmë fryma e saj duket e pafuqishme dhe jo rrallë, e pandjeshme. Zakonisht, kur një parti politike vjen në pushtet, për pak kohë, ndodh një farë “mpirje” e saj. Por me Partinë Socialiste po ndodh jo “mpirja” e përkohshme, por paraliza, që po e nxjerr gradualisht jashtë lojës politike. Në mendimin tim nuk është ardhja në pushtet që po e degradon deri në fikje, partinë më të madhe opozitare. Por le te ndalemi të analizojmë disa dukje, që janë pasojë e disa shkaqeve.
Së pari: U bë mbi 6 muaj që Partia Socialiste ka ardhur në pushtet. Gjatë gjithë kësaj kohe ndihet e fortë paraliza e saj. Strukturat e saj kanë heshtur duke ia lënë në dorë gjithçka ekipit qeverisës me Kryetarin e saj. Kjo gjë do të kishte qenë e justifikueshme nëse forumet e partisë do të funksiononin me frymën e të qenët në pushtet. Pra i gjithë zinxhiri institucional i partisë nga baza në qendër. Të paktën do kishte treguar një gatishmëri të madhe për të pozuar problematikat e për të ndihmuar qeverisjen e vet. Por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk e di se sa kohë do të duhet të ndodhë. Forumet e larta të partisë, me aq sa shikojmë në media, kanë stopuar dhe funksionon vetëm grupi parlamentar. As zgjedhje dhe as Asamble.
Së dyti: Partia Socialiste është sot e dobët në besimin e saj. Ajo ende nuk e ka ndier që ka ardhur në pushtet. Socialistët shihen me syrin e “njerkës” dhe nga vetë pushtetarët. Thua se socialistët kanë qenë fajtorë të gjithçkaje negative që është bërë në këtë vend! Kur duhej të ndodhte e kundërta: Socialistët, në shumicën e tyre, kanë sakrifikuar shumë për Partinë Socialiste. Kanë sakrifikuar veten dhe jo rrallë, familjet e tyre. Shumica e tyre u përzunë nga puna, nga regjimi i Berishës dhe mbetën rrugëve pa gjetur asgjëkund të drejtën e tyre. Por ata nuk iu bënë “barrë” Partisë në atë kohë, madje edhe në këtë kohë. Ata vazhdojnë të tregojnë durimin e maturinë e tyre, me shpresën se do bëhet më mirë. Por kjo nuk do të vazhdojë gjatë. Ndaj duke mos funksionuar si Parti e duke mos gjetur në këtë parti interesat e tyre jetike, sigurisht që dhe idealizmit të tyre do t’u vijë fundi. Besimi është lëkundur. Sa socialistë të aftë e me integritet shpresonin në drejtësinë që do të vendoste partia e tyre! Por zhgënjimi i deritashëm është jo i vogël. Në administratën publike punësohen çdo ditë, jo socialist me integritet moral e profesional, por “miq” e të “njohur” të x-it apo y-it.
Së treti: Z. Rama si lider i kësaj partie, zëvendësoi me mjeshtëri brezat në lidershipin e saj. Kjo lëvizje politike i dha Partisë një frymëmarrje të re. Por nga ana tjetër “të rinjtë” që erdhën në Parti nga jashtë saj, më së shumti nga Bashkia dhe organizata “Mjaft”, nuk kanë atë lidhje të brendshme, të qenësishme që ka mbajtur në këmbë Partinë Socialiste. Jo vetëm kaq, por këta të rinj, me mendësinë e “sjelljes së një vije të re” kanë këputur fijet e besimit në mënyrën se si funksionon kjo parti. Kjo është e kuptueshme përderisa ata erdhën nga jashtë strukturave partiake. Do duhet kohë dhe vullnet ideologjik, që këta të rinj të kuptojnë se çfarë vlere reale ka një parti, si Partia Socialiste.
Së katërti: E majta shqiptare është sot me dy “kokë” në qeverisje. Por realisht është më dy kokë edhe në jetën politike shqiptare. LSI-ja është një parti e krijuar me socialistët që u zhgënjyen nga politika nanoiste dhe të revoltuar gjetën strehim politik te një ish-socialist. Ilir Meta u pa si njeriu i “majtë” që do të rinovonte Partinë Socialiste që gati po rrëzohej. Por Ilir Meta përfitoi nga kjo, për të krijuar një parti të cilën e ktheu tërësisht personale. Sot çdo njeri e ka të qartë se pa Ilir Metën nuk ka LSI. Kjo parti e ngritur mbi një nevojë reale të socialistëve, sot është bërë konkurrentja e “frikshme” e Partisë Socialiste. Jo vetëm sepse ka treguar se është pa skrupuj ideologjikë, se është pragmatiste dhe e aftë të ndërmarrë vendime të paparashikuara, por edhe sepse FUNKSIONON! Në ndryshim nga PS-ja, LSI-ja mblidhet. Është në aktivitet të përditshëm, herë publik e herë jo publik. Meta e di mirë se çdo të thotë Parti. Kjo Parti e ka shpëtuar disa herë. Ndaj e di se çfarë duhet bërë për ta mbajtur gjallë e për ta shtuar. Nuk është e rastit sot kur thonë se “në do të mbarosh punë shko te LSI”! Ndaj them se LSI e ka të qartë se çdo të thotë të jesh në pushtet. Madje më shumë se kaq. Ajo ndihet komode nën hijen e PS-së duke vepruar pa u shqetësuar nga opinioni publik në veprimet e saj. Një miku im më tha: E di? Deputetët e Partisë Socialiste po i çojnë përkrahësit e tyre te LSI-ja që t’i rregullojë në punë!
Së fundmi: Te qeveritarët e Partisë Socialiste vihet re një “dashamirësi” që shkon deri në përulje”. Ne jemi këtu për ju”… “ Ju jeni ata që do veproni”… “Ne kemi qeverisjen po ju keni pushtetin” etj., partizanizma ideologjikë, që bien ndesh me aktivitetin e tyre të përditshëm. Ka ikur koha e fjalëve dhe njerëzit e kanë në majë të hundës mashtrimin dhe demagogjinë e Berishës. Nuk kanë nevojë për një ekstrem tjetër. Nuk kanë nevojë për mirënjohje e “drejtësi” të tipit “Lahe”. Kanë nevojë për t’u ndier të përfillur. “Nuk më hapin telefonin”, kjo është shprehja që dëgjohet më dendur mes socialistëve. Por nuk ndodh kështu me LSI-në.
Për t’i dalë përpara cilitdo që do më bërtasë pas shpine: Po asaj ç’i duhet? Po përgjigjem: Zgjedhjet e pushtetit lokal po trokasin. Me këtë gjendje që ndodhet Partia Socialiste ka rrezik të humbasë shumë nga elektorati i saj, duke u bërë gjithnjë e më shumë e pandjeshme. Të tjera forca politike do të sundojnë dhe atëherë do të themi me keqardhje…. Na ishte një Parti Socialiste…Personalisht them se Shqipëria ke nevojë për njerëz me ideal e me integritet. Në Partinë Socialiste ka shumë të tillë. Nuk kemi aq komoditet politik sa ta humbasim.
Top Channel