Shqipëri-Kosovë, konsullata të përbashkëta

14/03/2014 00:00

U nënshkrua të premten marrëveshja për hapjen e konsullatave të përbashkëta të Kosovës  dhe Shqipërsisë, në Milano dhe Kambera, nga ministrat e Punëve të Jashtme të të dy vendeve, Ditmir Bushati dhe Enver Hoxhaj.

Në konferencën për shtyp, ministri Hoxhaj tha se po rikonfirmohet fuqizimi i axhendës bilaterale mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Vizita e ministrit Bushati është rikonfirmim i fuqizimit të axhendës biletarale mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në bazë të saj, së shpejti do të hapen konsullata të përbashkëta të të dy vendeve në Milano dhe Kambera e më pas do të shihet se në cilat shtete të tjera do të veprohet njësoj”, deklaroi Hoxhaj.

Nga ana e tij, ministri Bushati tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë po thellohet dhe se dy muaj pas mbledhjes së Prizrenit ka progres në bashkëpunimin në disa fusha.

“Shqipëria është e përkushtuar për të intensifikuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, posaçërisht në fushën e ekonomisë. Shqipëria gjithashtu mbetet e përkushtuar për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare”, tha Bushati.

Sa i përket fondit të dy vendeve për maternitetin në Preshevë, si pjesë e marrëveshjes së Prizrenit, u bë e ditur që është miratuar nga qeveria e Kosovës, ndërsa në Shqipëri është çështje ditësh ose javësh.

Bushati ndër të tjera tha se tani që Kosova do të ketë ushtri, Shqipëria, si anëtare e NATO-s, do të angazhohet për përkrahje. Ai tha se FAK është kontribut për sigurinë e gjithë rajonit.

Në vazhdën e takimeve të ministrit Bushati në Kosovë, ai u prit nga presidentja Atifete Jahjaga dhe nga kryeministri Hashim Thaçi. Zonja Jahjaga tha se të dyja vendet duhet të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe posaçërisht në procesin e integrimeve evropiane.

Bushati takoi edhe kryeparlamentarin Jakup Krasniqi. Ai tha se Shqipëria mbetet e përkushtuar për ta përkrahur Kosovën në nismat rajonale dhe ndërkombëtare. Ndërsa për institucionet e Kosovës, Shqipëria mbetet si partneri më strategjik.

Top Channel