FMN mbështet taksën progresive

14/03/2014 00:00

Si asnjëherë më parë në historinë e tij, Fondi Monetar Ndërkombëtar
është pozicionuar qartazi pro taksës progresive mbi të ardhurat.

Përmes dy studimeve të publikuara një ditë më parë, Fondi u bën thirrje ekonomive, veçanërisht atyre në zhvillim, që kanë sisteme të taksës së sheshte të lëvizin drejt taksimit progresiv, duke rritur barrën për të pasurit.

Sipas FMN, kjo masë është e nevojshme për të zbutur pabarazinë e lartë, e cila po dëmton rritjen ekonomike në mbarë botën. “Shumë ekonomi të zhvilluara dhe në zhvillim mund t’i arrijnë objektivat e tyre të rishpërndarjes së të ardhurave në mënyrë eficente duke rritur progresivitetin e sistemit të taksave, por edhe të shpenzimeve,” vëren studimi.

Sipas FMN, këtu përfshihet taksimi progresiv i të ardhurave personal dhe kontributeve të sigurimeve madje deri në pikën e instalimit te taksave negative, ku individët më të varfër jo vetëm nuk paguajnë taksa, por marrin pagesë nga qeveria. FMN vëren se gjatë 3 dekadave të fundit taksat mbi të pasurit në mbarë botën u përgjysmuan nga 59 për qind në 30 për qind, ndërsa pas viteve 90, mbi 27 vende në Europën Lindore dhe Azi kanë adoptuar taksën e sheshta, e cila takson njëlloj si të pasurit ashtu dhe të varfërit.

Ndërkohë që sipas FMN, norma optimale e taksimit për fashat e larta të të ardhurave që fitohen nga të pasurit duhet të jetë nga 50 deri në 60 për qind. Përtej rekomandimit për taksë progresive, fondi tërheq vëmendjen se për ekonomitë në zhvillim, sfidë mbetet edhe ajo e ndërtimit të një sistemi funksional të taksimit mbi të ardhurat.

Sipas FMN, vendet në zhvillim mbledhin shumë pak nga taksimi i të ardhurave personale nga 1 në 3 për qind e prodhimit kombëtar dhe kjo zbeh progresivitetin. Shqipëria mbledh 2.1 për qind. Ndërkohë që vendet e zhvilluara arkëtojnë deri në 11 për qind të Prodhimit Kombëtar nga taksa mbi të ardhurat. Debati për sistemin e taksimit ishte ndoshta pika më e nxehtë e përplasjes elektorale në Shqipëri mes të majtës dhe ish-Qeverisë së djathtë. Përplasja përfundoi në 23 qershor, ku 6 vjet pas instalimit nga demokratët, qeveria e majtë që doli fituese nga zgjedhjet rrëzoi taksën e sheshtë dhe riktheu taksimin progresiv mbi të ardhurat.

Top Channel