Arsimi në funksion të zhvillimit ekonomik

13/03/2014 00:00

ERMELINDA MEKSI – Reforma në arsim nga këndvështrimi i tregut të
rregulluar. Edukimi si burim i rritjes ekonomike dhe avantazh krahasues
drejt hapjes së tregjeve të punës.

Debati për reformën arsimore më nxiti në këtë shkrim, mbasi përgatitja e një brezi të arsimuar kërkon dekada të tëra. Arsimin e konsideroj realisht prioritet kombëtar, që do të adresojë për zgjidhje problemet e tregut të punës, duke e konsideruar edukimin avantazh konkurrues dhe burim të rritjes ekonomike.

Ligji aktual i arsimit të lartë, ndaj të cilit qysh në fillim kam qenë kritike, reflekton qasjen e reformës së deritanishme. Ai në esencën e tij, e konsideron universitetin e financuar pjesërisht nga shteti jo si universitet publik, por si shtetëror, duke i lënë dorë të lirë qeverisë për ndërhyrjen në universitete. MASH autorizohet sipas këtij ligji që, përmes përfaqësuesve në Këshillin e Administrimit, të bëjë politikën e buxhetit në universitete, të përcaktojë tarifat e regjistrimit në gjithë ciklet e studimit, kuotat dhe kriteret e pranimit, të nxjerrë udhëzime të shpeshta për rregullimin e shumë aspekteve të punës në universitete.

Në këto kushte faktikisht, universitetet kanë një autonomi tejet të cunguar. Për të ilustruar kujtoj iniciativën e pasuksesshme rreth katër vite më parë të Universitetit të Vlorës, kur vendosi të mos pranonte studentë me mesatare të ulët rreth notës 6. Ajo u hodh poshtë për qëllime populiste të qeverisë së kohës, e cila lexoi vetëm një aspekt të Ligjit mbi Arsimin e Lartë atë se “çdo shtetas shqiptar, që ka përfunduar maturën shtetërore, ka të drejtë të kandidojë për t’u pranuar në ciklin e parë të studimeve”, pa përfillur të drejtën e universiteteve që sipas ligjit kanë për kriteret e pranimeve.

Duke njohur reformën problematike të deritanishme në arsimin e lartë, e mirëprita vlerësimin e Kryeministrit Edi Rama, se arsimi ka nevojë emergjente për ndryshim cilësor, si dhe vendosjen në axhendën e MASH të kësaj çështjeje. Suksesi për ndryshim cilësor në arsimin e lartë kërkon një qasje proaktive dhe gjithëpërfshirje në radhë të parë të profesoratit, por edhe grupeve të interesit, duke respektuar gjithnjë parimin e moskonfliktit të interesit (mosshikimin e reformës vetëm nga aspekti financiar dhe kujdesin që duhet pasur në këtë rast, me anëtarët e GP nga universitetet private) dhe duke pranuar faktin se qeveria ka mandatin për të gjitha reformat, përfshirë dhe atë në edukim.

Reforma në arsim deri më tani ka rezultuar e pasuksesshme për një sërë faktorësh nisur nga moskonsensusi politik, moskoordinimi i faktorëve ministri-qeveri-Parlament nga njëra anë dhe mospërfshirja e aktorëve si: pedagogë-studentë-shoqëri civile etj., nga ana tjetër; programi i qeverisë së mëparshme, i cili parashikoi që në vitin 2013 Shqipëria të kishte 150 mijë studentë synoi sasinë, pa garantuar cilësinë e tij etj.

Pra ndryshimet cilësore që synohen nga qeveria aktuale në arsimin e lartë, duke ruajtur çdo arritje pozitive, duhet të korrigjojnë qasjen e deritanishme që synoi sasinë, pa garantuar cilësinë e tij, qëllimi i së cilës mendoj se më shumë se cilësia në dije, qe zbutja e papunësisë duke mbajtur edhe 4 vjet në shkolla studentë, për të cilët shoqëria e familja shpenzoi.

 

Arsimi cilësor dhe impakti i tij në zhvillimin e vendit

Reforma në arsimin e lartë duhet të udhëhiqet nga motoja: çfarë impakti të rëndësishëm do të sjellë ajo në zhvillimet e pritshme të vendit? Reforma merr kuptim atëherë kur kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit dhe jep ndikim më të madh në integrimin e ardhshëm europian të tij. Kthesa cilësore në arsim, që ndodhi në shkallë botërore në shekullin e kaluar si rrjedhojë e zëvendësimit të alternativës: ekonomia në funksion të arsimit me alternativën: arsimi në funksion të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Kjo qasje bëhet më e rëndësishme pas krizës financiare globale në shekullin XXI në vendet e zhvilluara, aq më shumë për Shqipërinë.

Nëse analizojmë faktorët që kanë përcaktuar zhvillimin tonë të deritanishëm, vërehet se ekonomia shqiptare nuk e ka mbështetur zhvillimin në inovacione e në teknologji, por në politikat për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, si dhe në zhvillimin e mbështetur në të ardhurat nga remitancat apo ekonomia informale, situatë që u përballua me cilësinë e burimeve njerëzore të trashëguara nga sistemi i kaluar. Shtesa vjetore e PBB-së deri në vitin 2012 ka qenë më e lartë se ajo e kursimeve të brendshme, që shfaqen në nivelin e depozitave. Kjo diferencë (shtesa mesatare vjetore e PPB ndaj shtesës mesatare vjetore të depozitave) shpreh në fakt nivelin e lartë të të ardhurave që vijnë nga remitancat dhe ekonomia informale, të cilat mund të lejonin kakofoninë në programin për zhvillimin e arsimit të lartë (edhe masiv, edhe cilësor).

Por Shqipëria nuk mund ta mbështesë më zhvillimin vetëm te faktorët që cituam më lart, sepse po shfaqet një situatë tjetër ekonomike, kur dërgesat e emigrantëve kanë rënë dukshëm nga viti në vit dhe si ligjësi, ato do të bien akoma më shumë në të ardhmen. Ekonomia informale patjetër do të shkojë drejt zvogëlimit, si kusht i reformës integruese. Të ardhurat si donacione nga institucionet ndërkombëtare financiare apo shtetet donatore, si Italia, Gjermania etj., po shkojnë drejt zvogëlimit; të ardhurat nga doganat në kushtet e integrimit bien; borxhi i jashtëm është rritur shumë dhe duhet paguar. Në dy vitet e fundit, depozitat bankare jo vetëm që nuk kanë pësuar rritje mbi nivelin e PBB-së, por kanë pësuar stanjacion.

Ndaj shtrojmë pyetjen: Nga do të sigurohen kapitalet për zhvillimin e ekonomisë shqiptare? Ka ardhur koha të mendojmë e punojmë për një model zhvillimi, të mbështetur në arsimin cilësor, në shkencë e teknologji.

 

Arsimi si alternativa e zhvillimit ekonomik të vendit

Koha kërkon që Shqipëria të përgatitet me shpejtësi për të kaluar nga forma aktuale e zhvillimit në një formë tjetër zhvillimi e mbështetur në burime cilësore humane. Cilësia në arsim apo alternativa arsimi në funksion të zhvillimit ekonomik e shoqëror, do të jenë zgjidhja edhe për Shqipërinë, si në vendet e zhvilluara që kanë ecur në të njëjtën rrugë.

Kjo kërkon rritjen e autonomisë në universitete, që ato të përcaktojnë kriteret e pranimit, si në shumë universitete të botës, në vend të qëllimeve populiste, që nuk u shërbejnë interesave të zhvillimit të vendit. Për këtë lipset të fillojë hartimin e një ligji të ri për arsimin e lartë, me pjesëmarrjen dhe konsultimin e të gjithë aktorëve e të forcave politike, një ligj që do të rrisë frymëmarrjen dhe autonominë e universiteteve tona, që të japë produktin pozitiv të shumëpritur: rritjen e cilësisë në arsimin e lartë.

Reforma në arsimin e lartë në vend të botës virtuale të arsimimit të lartë universal, të synojë botën e vërtetë të arsimimit sipas kërkesave të tregut. Kjo kërkon nxitjen e debatit mbi një reformë rrënjësore të arsimit në vend, sepse produktet e arsimit kanë efekte afatgjata dhe është çështje e ndjeshme për të gjithë. Për këtë reforma kërkon kohën e saj dhe duhet të jetë një reformë që të përfshijë të gjitha grupet e interesit.

Kontributi real i arsimit në ekonomi (pra në PBB) vlerësohet indirekt nëpërmjet treguesit të shkallës së përfshirjes në tregun e punës të studentëve që mbarojnë studimet. Por tek ne akoma mungojnë analizat ndërsektoriale në lidhje me tregun e punës dhe arsimin dhe kontributin e tij në rritjen ekonomike. Koha shtron nevojën e studimeve të mirëfillta për tregun e punës në sektorë të ndryshëm. Të dhënat e censusit të popullsisë të vitit 2011 janë një minierë ari për të realizuar analiza të kryqëzuara sipas grupmoshave, arsimit dhe punësimit. Një bashkëpunim ndërinstitucional (universitetet përfshirë) do të ishte një propozim racional për të “zbuluar” konkretisht, sa kanë mbaruar shkollat dhe sa prej tyre janë në punë, p.sh. nga të diplomuarit në degën e juridikut, ekonomikut, mjekësisë, inxhinierisë, mësuesisë etj. Të dhënat e marra nga këto studime do të orientonin në mënyrë më racionale kërkesat e reja për studime në arsimin e lartë, duke shmangur degët ku tregu është i tejngopur.

 

Kërkimi shkencor

Debati për një ndryshim cilësor të arsimit të lartë, lipset të adresojë ndryshimin në cilësinë e dijes, me synim që të përshpejtojmë zhvillimin. Suksesi në këtë sfidë të arsimit të lartë do të varet nga përkushtimi, por edhe aftësia e profesionalizmi i ekipit që do udhëheqin ndryshimin në këtë sektor.

Aktualisht, debati në Amerikë po trajton shumë çështjen e investimeve në arsimin e lartë, investime jo thjesht në infrastrukturën fizike të universiteteve, por kryesisht në cilësinë e profesoratit dhe kërkimit shkencor si produkt i tij, me hipotezën: sikur të ishte investuar 1% të PPB më shumë në arsim, kriza do të ishte shmangur. Edhe në Europë kriza ekonomike ka nxitur debatin për një model të ri zhvillimi në ekonominë europiane, për të rikthyer rritjen në nivelin 4-5% të PPB, nëpërmjet stimulimit të ideve të reja në ekonomi.

Akoma më serioz dhe kompleks është adresimi i drejtë i kësaj çështje në Shqipëri, nëpërmjet reformës në arsimin e lartë, që nuk mund të ketë sukses pa theksin në kërkimin e vërtetë shkencor. Është koha kur tezat e masterëve, doktoraturave, konferencat shkencore si dhe botimet e ndryshme, të adresojnë problemet konkrete që shtron zhvillimi ynë në fusha të ndryshme, duke ju dhënë zgjidhje problematikave kritike. Kjo e bën të domosdoshëm bashkëpunimin e universiteteve me entet publike dhe private. Në këtë kuptim grupet e ndryshme të punës, që krijohen me pjesëmarrjen e profesoratit, do të ishin vërtet funksionale. Kërkimi shkencor real është sita e vërtetë e vlerave që arsimi ynë i lartë mbart dhe për të cilin ia vlen që shoqëria të investojë. Edhe punimet e studentëve duhet të bëhen pjesë e kërkimit në punimet me pedagogët e tyre, ku nëpërmjet tyre ata mësojnë dhe kontribuojnë njëkohësisht. Këtë aftësi nuk mund ta gëzojnë njësoj të gjithë studentët, por vetëm ata cilësorë, kurse të tjerët jo domosdoshmërisht janë të aftë të bëjnë diploma dhe aq më pak të kalojnë në fazën e dytë apo të tretë të studimeve. Sepse kjo i kushton studentit dhe shoqërisë, prandaj që në këto faza shkolla duhet të jetë edhe më selektive.

Një reformë cilësore në dije do të kërkonte fuqizimin e institucioneve kërkimore shkencore, që reforma e mëparshme i atrofizoi. Jemi ndër vendet e rralla që nuk kemi një institut të mirëfilltë të studimeve ekonomike.

Në kushtet kur rritja ekonomike është funksion i prodhimit, në kushtet kur Shqipëria s’prodhon teknologji, arsimi ynë i lartë duhet të adresojë sasinë, por akoma më shumë cilësinë e zhvillimit të kapitalit njerëzor për të arritur zhvillimin e pritur të ekonomisë së një vendi që aspiron BE-në.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA