Emri i Arben Isufajt është lakuar disa herë nga drejtësia shqiptare në shtatë vitet e fundit. Në vitin 2008, ai u arrestua në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë, i dyshuar për vrasjen e shtetasit Pirro Koçiu në vitin 2002.

Në vitin 2008, arrestimi i Isufajt, i njohur ndryshe si Ben Qimja, u bë pa një urdhër prokurorie. Policia e Tiranës nisi një hetim për vrasjen e shtetasit Pirro Koçiu.

Por, në gjykatë Ben Qimja fitoi çështjen, duke rrëzuar me anë të mbrojtësve të tij provat kryesore. Kjo, edhe duke përfituar nga një letërporosi e nisur në kohën e gabuar nga Ministria e Drejtësisë asokohe.

Këtë radhë, arrestimi vjen si pjesë e një marrëveshjeje, që shteti shqiptar ka nënshkruar me Italinë për arrestimin e një numri të madh trafikantësh, të cilët kanë marrë dënime të rënda në shtetin fqinj, por që operojnë në vendin tonë si biznesmenë.

Flitet për së paku 100 të tillë, emrat e të cilëve janë tepër sekret. Procesi gjyqësor për Ben Qimen pritet të fillojë të martën në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier, e më pas në Gjykatën e Apelit në Vlorë.

Por, a do të fitojë këtë radhë drejtësia ndaj tij?

Çështja “Isufaj” vjen për autoritetet gjyqësore lokale pas një tjetër çështjeje, asaj të koduar me emrin “Gropa”, të cilën Ministria e Drejtësisë e quajti skandal dhe e ka çuar në hetim.

Arben Gropa, ndërtues në Fier dhe i dënuar me 32 vjet burg për trafik droge dhe prostitucion në Itali, u la nga Gjykata e Apelit të Vlorës në arrest me burg. Në janar, Gropa u la në burg në pritje të ekstradimit nga Gjykata e Shkallës së Parë në Fier, por pas apelimit një muaj më vonë u lirua.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë ekziston frika e ndonjë mundësie, që edhe me të arrestuarin e fundit të ketë të njëjtin përfundim.

Arben Isufaj është përmendur shpesh herë nga opozita socialiste e atëhershme, sot mazhorancë, si një personazh që tentonte shpesh herë të dëmtonte rezultatet e tyre elektorale në qarkun e Fierit.

Top Channel