Gjergj Erebara – Kur Simon Kuznets shpiku treguesin e Prodhimit të
Brendshëm Bruto më 1932, ai po i përgjigjej një shqetësimi të kohës. A
mundet të matet nëse ekonomia është në rënie apo në rritje?
Përpara se ai të krijonte PBB-në, bota kishte disa tregues të tjerë. Një p.sh. ishte sasia e lingotave të disponueshme si rezervë nga banka, me logjikën merkantiliste që sugjeronte se pasuria nënkupton ar të pastër nën posedim. Një tregues tjetër ishte vlera e prodhimit bujqësor apo vlera e pronave të patundshme.
Prodhimi i Brendshëm Bruto i injoroi këta tregues dhe mati vlerën e shtuar të mallrave dhe shërbimeve të realizuara nga ekonomia në një vit. Kuznets mati ekonominë monetare, ku kalimi nga duart e dikujt te një tjetër e një sasie parash në këmbim të mallit apo shërbimit qe ajo që matej. Banka Botërore e zgjeroi më vonë këtë koncept për të matur ekonominë jomonetare, në thelb, prodhimin bujqësor për vetëkonsum.
Problemi i parë lindi me konceptin “vlerë”, e cila është sa emocionale, aq edhe fizike. P.sh., një njeri që jeton larg detit, merr avionin dhe shkon me pushime në bregdet. Sasia e parave të shpenzuara prej tij është vlerë e shtuar. Por një person tjetër jeton afër detit, dhe ai nuk ka nevojë të marrë avionin për të shkuar me pushime në det. Me konceptin e PBB-së, ky i dyti është “i varfër” ndërsa i pari është i “pasur” por që të dy marrin të njëjtën vlerë, pushimet pranë detit.
Një shembull më i thjeshtë: nëse një njeri merr taksi për të shkuar diku, pagesa e taksisë quhet PBB. Nëse një njeri merr makinën personale për të shkuar diku, atëherë vlera e shtuar është vetëm nafta e shpenzuar. Problemi tjetër është me konceptin çmim. Nëse një qytetar e blen bukën në dyqan, siç bëjnë shumica, atëherë çmimi i bukës është PBB. Në rast se dikush e gatuan vetë në shtëpi, atëherë PBB është vetëm çmimi i miellit. Produkti final është i njëjtë, njësia matëse është e ndryshme.
Problemi tjetër është se PBB si tregues nuk merr parasysh burimin. Ajo mat konsumin final pa marrë parasysh nëse ky konsum është realizuar me të ardhura apo është realizuar me borxh. Kur vjen puna për të krahasuar rritjen ekonomike, kjo kthehet në problem. Marrja e parave borxh e rrit PBB-në, shlyerja e tyre e ul, pa marrë parasysh se konsumi final i popullsisë mund të ketë mbetur i pandryshuar si gjatë rritjes, ashtu edhe gjatë uljes.
Problemet e PBB-së multiplikohen kur kjo PBB pjesëtohet me numrin e popullsisë apo konvertohet në një valutë tjetër. Kur pjesëtohet me numrin e popullsisë, nuk merret parasysh struktura e popullsisë. Pjesëtohet për frymë, d.m.th përfshihen si punëtorët, ashtu edhe fëmijët apo të moshuarit. Kur një popullsi vendos të ulë numrin e fëmijëve, siç ka ndodhur gjatë dekadave të fundit me Kinën, popullsia në moshë pune rritet, rrjedhimisht shtohet PBB-ja, por kjo nuk do të thotë se popullsia po jeton më mirë. E njëjta gjë ndodh kur popullsia e moshuar rritet, duket sikur PBB për frymë nuk rritet.
Problemi tjetër është kur ekonomia pëson ndryshime strukturore. D.m.th kur popullsia zhvendoset nga fshati, ku nuk ka punë të mjaftueshme, te qyteti, ku teorikisht ka punë pa fund. PBB rritet, por kjo zhvendosje e popullsisë ka edhe kosto. Njerëzve u duhet të gjejnë një shtëpi tjetër në qytet p.sh., dhe PBB nuk merr parasysh kostot apo vuajtjet për gjetjen e një shtëpie të re. Përkundrazi, këto vuajtje prodhojnë rritje ekonomike, pavarësisht se njerëzit po konsumojnë të njëjtin produkt, pra shtëpinë.
Problemi i radhës është që PBB për frymë nuk merr parasysh përfituesit. Pra nëse ke Arabinë Saudite që prodhon PBB të lartë me anë të naftës, kjo PBB pjesëtohet për të gjithë numrin e popullsisë pa marrë parasysh se ajo përfitohet në masën dërrmuese nga familja sunduese.
Akoma më keq, Prodhimi i Brendshëm Bruto nuk merr parasysh nëse përfituesit apo realizuesit e këtij prodhimi janë vendës apo të huaj. Kur një kompani e huaj investon në një vend tjetër, ky investim është PBB e vendit ku është kryer. Fitimet janë gjithashtu PBB, por që të dyja mund të përfitohen nga aksionerët e kompanisë investuese në vendin e origjinës dhe jo nga vendi ku është kryer investimi.
Pastaj është problemi i shijes. Nëse një i pasur vesh diçka të shtrenjtë për dukje, pra konsumi për t’u dukur se konsumon, PBB është e madhe, por konsumi fizik është i njëjtë me atë që blen një palë rroba te Gabi.
Kur vjen puna për t’u konvertuar në një monedhë ndërkombëtare me qëllim që të bëhet krahasimi mes vendeve, deri vonë në vitet ‘90, nuk merrej parasysh fuqia blerëse. Kjo do të thotë se nëse një shqiptar harxhon 80 lekë për të pirë një kafe, ndërsa një amerikan harxhon 2 dollarë, shqiptarit do t’i quhet se ka konsumuar 80 cent të dollarit ndërsa amerikanit do t’i quhet 2 dollarë, pavarësisht se kafeja në Shqipëri mund të jetë më e mirë. Problemi më i madh është që PBB është krijuar për të matur ekonomitë e mëdha dhe të zhvilluara ose relativisht të zhvilluara. Kur vjen puna për të matur ekonomitë e prapambetura, ky tregues stonon. Për SHBA-në, Britaninë apo Francën nuk ka shumë rëndësi nëse ekonomia është rritur nga investimet e huaja apo nga investimet vendëse, për shkak se këto vende kanë njëkohësisht investime të huaja brenda tyre, por kanë edhe investime që kanë bërë në vende të tjera.
Problemet e PBB-së janë të vjetra dhe të shumta dhe po kaq të vjetra dhe të shumta janë përpjekjet për t’i korrigjuar këto probleme.
Në vitin 1984, p.sh., “The Economist” mori çmimet e hamburgerëve të “McDonald’s” në të gjitha vendet ku kjo kompani shet, për të korrigjuar këtë problemin e fundit. Nëse një kinez harxhon 2 dollarë për një hamburger dhe një amerikan harxhon 6 dollarë, atëherë kur të bëhet krahasimi i mirëqenies mes SHBA-së dhe Kinës, ky konsumi i kinezit llogaritet 6 dollarë. Fondi Monetar Ndërkombëtar e mori këtë shembull për të kryer llogaritje jo vetëm për hamburgerin, por për sa më shumë mallra të jetë e mundur, duke krijuar një monedhë llogari, Current International Dollar, e ndryshme kjo nga dollari amerikan.
Irlanda mori një leksion gjatë krizës së fundit kur u zbulua se ajo që kishte konsideruar rritje ekonomike që prej tri dekadash, qenë edhe investimet e bollshme të kompanive amerikane, mbi të cilat irlandezët nuk kishin të drejta pronësie dhe kishin përfitime shumë më të pakta nga sa sugjerohej nga rritja e PBB-së. Kështu irlandezët filluan t’i kushtojnë më shumë vëmendje Prodhimit Kombëtar, d.m.th treguesit që merr parasysh se kush e ka realizuar vlerën e shtuar dhe jo, ku e ka realizuar. Pra matet produkti i nënshtetasve të Irlandës, jo territorit të Irlandës.
OKB ka zhvilluar formula të posaçme në llogaritjen e PBB-së për frymë për të marrë parasysh efektin e pabarazisë. Në Kinë janë krijuar metoda për korrektimin e jeldit demografik, për të matur më saktë rritjen ekonomike për frymë.
Problemi që ka Shqipëria sot me PBB-në është se i ka shifrat e saj të papërpunuara. Politikanëve u leverdisin këto shifra. Ato për nga natyra rriten, dhe politikanët mund të mburren se u takojnë të gjitha meritat për këto rritje. Vetëm se po nuk u përpunuan më shumë shifrat për të nxjerrë burimet e rritjes ekonomike dhe përfituesit e kësaj rritjeje, ka gjasa që ky vend nuk do të jetë në gjendje të bëjë politika për rritje ekonomike.
Top Channel