Një komb, dy kombëtare

09/03/2014 00:00

Ilir YZEIRI – Kjo javë që lamë pas shenjoi një ngjarje që do të mbahet mend përgjithmonë në memorien kolektive dhe do të kujtohet si pohimi i parë i pranisë së shtetit të Kosovës edhe në teatrin e futbollit ndërkombëtar me trupën e saj profesioniste. Ndeshja miqësore Kosovë-Haiti ka një simbolikë të veçantë, sepse e ripohon edhe njëherë tjetër mëvetësinë e Kosovës si shtet i pavarur dhe aktiv.

Në anën tjetër, ky festival i madh i kombeve dhe i popujve, që bëhet përmes paraqitjes në fushën e futbollit, shenjoi edhe një të veçantë tjetër, krenarinë e ligjshme dhe të munguar, gjithashtu. Shqipëria, që prej kohësh ka përfaqësuesen e saj, do të duhej të ndihej më krenare, më e plotë. Pse? Sepse identiteti i saj është i shpërndarë në dy shtete, në dy përfaqësuese futbolli.

Si gjithë të tjerat

Shqiptarët, në përgjithësi janë tipa emotivë dhe të zhurmshëm, por në raste sublime, siç qe edhe paraqitja e dy përfaqësuesve të futbollit në një ditë në teatrin e ndeshjeve miqësore në rang europian, ata shfaqen pa shumë bujë dhe opinioni publik nuk dëfton ndonjë vëmendje të posaçme. Përveç ndonjë deklarate si ajo e Canës “një komb-një kombëtare” apo komenteve patetike të komentatorëve sportivë shqiptarë që i transmetojnë ndeshjet si festivalin folklorik të Gjirokastrës, në opinion nuk u pa të analizohej kjo dukuri ashtu siç e meritonte. Sipas mendimit tim, kjo është ngjarja më e madhe në rrafsh kombëtar për shqiptarët. Tani ne jemi dy shtete, ne kemi dy përfaqësuese që në veprimtaritë ndërkombëtare sidomos në ato futbollistike do ta zgjerojnë hapësirën dhe praninë e shqiptarësisë. Dita e mërkurë nuk mund të jetë një ditë si të tjerat, sepse në atë ditë ne u shfaqëm para botës ashtu siç jemi në të vërtetë, më shumë se një shtet, u shfaqëm një komb me dy kombëtare. Historia e shtetformimeve në Europë ka ndjekur një rrugë nga më të çuditshmet. Kombet gjermanike janë diferencuar në disa shtete, ato anglofone gjithashtu. Procesi është në vlim sa u takon sllavëve. Kombet latine e kanë përfunduar edhe ata me kohë këtë proces. Natyrisht, nuk është rasti këtu për të bërë një panoramë shteruese të këtij argumenti, por është vendi të përmendim se zgjerimi i identitetit shqiptar me një kombëtare tjetër është një shenjë pozitive që e legjitimon praninë reale të shqiptarëve në këtë kontinent, megjithëse në dy shtete. Ky është fati historik. Shteti i ri Kosovës është sot pohimi i pranisë së shqiptarëve të qytetëruar që nuk i kanë shkaktuar Europës dhe Ballkanit asnjë gjakderdhje, përkundrazi, kanë qenë viktimë e tyre deri para pak vitesh.

Por problemi jemi ne

Ndërkaq, shqiptarët vetë, në të dyja anët e kufirit vuajnë në jo pak raste nga kriza e identitetit. Herë pas here, madje thuajse çdo javë, do të dalë ndonjë individ ose përfaqësues i ndonjë organizate me frymëzim mysliman që i kujton Europës se shqiptarët edhe vetë nuk e dinë se çfarë janë. Para pak ditësh, një riosh nga Kosova, drejtues i një organizate myslimane, thoshte se Gjergj Kastrioti është atlet i Krishtit dhe nuk mund të jetë heroi ynë kombëtar. Nuk jam i sigurt se si qëndron ky problem brenda kufijve të Shqipërisë, por nga Kosova gjithmonë vijnë lajme të tilla dhe kjo ndoshta pse atje njerëzit nuk kanë drojën apo ndrydhjen që kanë njerëzit në Shqipëri. Këtu, në Shqipëri, si pasojë e mbretërimit për një kohë të gjatë të diktaturës, njerëzit janë më të frustruar në çështje ideologjike dhe më të mbuluar. Ose mund të jetë edhe argumenti tjetër që shqiptarët e Shqipërisë janë më laikë dhe më pak të infektuar nga islami radikal që i shuan kombet dhe i shpall besimtarët si një komb me përkatësi fetare. Ideja që një pjesë shqiptarësh, sidomos në Kosovë, por edhe në Shqipëri e ndiejnë veten më parë myslimanë dhe pastaj shqiptarë, është një nga krimet që i bëhet kombit shqiptar dhe që është denoncuar qysh në Rilindjen Kombëtare. Sulmi ndaj simboleve kombëtare dhe sidomos sulmi ndaj heroit tonë kombëtar do të thotë që kjo pjesë e shqiptarëve të zhbëjë gjithë traditën e këtij kombi. Historia e kulturës dhe e letërsisë shqiptare është historia e prelatëve të martirizuar që përkthyen tekstet kishtare në shqip në mënyrë që të mos “vdarej” gjuha shqipe dhe të mos humbiste besimi. Tradita e arbëreshëve të Italisë bën pjesë edhe ajo më së shumti në këtë paradigmë. Ndërsa në agim të Rilindjes Kombëtare, Kristoforidhi e pajisi letërsinë kombëtare dhe atë liturgjike me përkthimet e mrekullueshme të teksteve biblike dhe Noli, duke e rikrijuar Kishën Ortodokse Autoqefale, e shpëtoi këtë besim dhe besimtarët e saj. Është e vërtetë se feja myslimane u përqafua prej shqiptarëve herë me shtrëngim, me dhunë, e herë në shkëmbim të favoreve. Mirëpo sot është fakt prania e këtij besimi në ambientet shqiptare. Pas rënies së komunizmit, duket se u zhduk romantizmi nacional ateist që e projektonte shqiptarin si pasardhës të Skënderbeut. Në vend të tij, shumë shqiptarë, më së shumti në Kosovë, por edhe në Shqipëri, e projektojnë shqiptarin si pasardhës të myslimanizmit dhe pa lidhje me Skënderbeun. Ndërsa, europianët me të drejtë do ta kenë gjithnjë e më të vështirë më vonë që të na kuptojnë se çfarë jemi, ashtu siç vetë ne shqiptarët nuk arrijmë ta kuptojmë se çfarë fati na ka rezervuar koha. Një komb me dy kombëtare? Një Komb? Po cili komb? Ai që e identifikon veten me Skënderbeun apo ai kombi tjetër…?

Top Channel