Marrëveshja bërthamore me Iranin

09/03/2014 00:00

Marrëveshja bërthamore me Iranin mund të ndodhë brenda katër muajve të ardhshëm, e pohuar kjo nga vetë ministri i Jashtëm i Republikës islamike, pas një takimi me kryediplomaten europiane, Catherine Ashton.

Mohammad Javad Zarif pati një takim më shumë se një orësh me baroneshën Ashton, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë në Iran, pikërisht në një moment lehtësimi të tensioneve mes këtij vendi dhe Perëndimit.

“Marrëveshja mund të arrihet brenda katër muajve, apo edhe më shpejt. Ne e kemi bërë pjesën që na takonte. Tani i takon palës tjetër, që të vijë në tryezën e negociatave me një dëshirë, me një vendim dhe me një angazhim, për arritjen e një ujdie të pranueshme nga të gjithë”, tha Mohammad Javad Zarif, ministër i Jashtëm i Iranit.

Zonja Ashton u tregua e kujdesshme në pohimet e saj, e saktësoi se “nuk ka asnjë garanci”, që bisedimet do të arrijnë të prodhojnë vërtet rezultate të prekshme drejt vulosjes së një pakti të qëndrueshëm, duke i mëshuar më fort idesë së lipset ndihma e të gjithë palëve të interesuara në këtë drejtim.

Fuqitë botërore kërkojnë nga regjimi i Ajatollahëve të frenojë punën bërthamore, duke siguruar kështu komunitetin ndërkombëtar se nuk ka për qëllim të prodhojë armë atomike.

Zgjedhja e politikanit të moderuar, Hasan Ruhani, si president i vendit vitin që shkoi, ka sjellë përmirësim të marrëdhënieve mes Republikës islamike dhe Bashkimit Europian dhe, në muajin Nëntor, baronesha Ashton ndihmoi ndërmjetësimin e ujdisë për tkurrjen e programit bërthamor nga Irani, në këmbim të një lehtësimi të sanksioneve ndaj Teheranit.

Raundi i radhës i bisedimeve të nivelit të lartë është caktuar të mbahet në Vjenë, më 17 Mars.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB