
Marina amerikane ka pasur urdhra sekret këtë javë për t’u “përgatitur për veprime”, për ndalimin e një anije transporti që mbante armë të destinuara për Gazën, bën të ditur CNN.
Anijet e Marinës së SHBA-ve në Lindjen e Mesme morën urdhra për të lëvizur “në afërsi të anijes dhe për të vepruar nëse u jepej urdhër”, sipas një zyrtari të lartë të ushtrisë amerikane, i informuar mbi këtë operacion.
Skenari përfshinte mundësinë për të hipur në anije, e cila është ndalur tashmë në Detin e Kuq nga forcat e Marinës izraelite, autoritetet e të cilëve thanë se kishin konfiskuar transportin e raketave dhe predhave iraniane.
Një zyrtar tjetër amerikan konfirmoi se inteligjenca amerikane dhe izraelitët ishin informuar mbi përpjekjet e Iranit për të kontrabanduar armët disa ditë më parë.
Shtetet e Bashkuara ndoqën në mënyrë të fshehtë dërgesën, teksa ajo u largua nga Irani nga ajri dhe u ul më pas në Siri. Armët u transportuan më pas drejt Irakut dhe u ngarkuan më pas në një port të Irakut jugor.
Inteligjenca amerikane dhe ajo izraelite u alarmuan kur anija e transportit në Gjirin Persik devijoi papritur nga rrugëtimi i saj drejt Sudanit, e më pas u kthye drejt veriut për në Irak, për t’u furnizuar.
Shtetet e Bashkuara nuk besojnë që qeveria irakiane të ketë sanksionuar kontrabandimin.
Anijet e Marinës amerikane në rajon, ndoqën fshehurazi dërgesën drejt Gjirit Persik, më pas drejt Detit Arabik dhe në fund drejt Detit të Kuq, deri kur Marina izraelite u ngjit në anije përpara se ajo të arrinte Sudanin, një destinacion tipik për të shkarkuar armët e kontrabanduara.
Ushtria izraelite tregoi më pas një video të armëve, shenjat e të cilave tregonin se ato ishin prodhuar në Iran. Shtëpia e Bardhë njoftoi qëllimin e operacionit, vetëm pasi u përfundua.
“Shtëpia e Bardhë drejtoi Departamentin e Mbrojtjes të monitorinte anijen dhe të zhvillonte konceptet e operacionit për një sërë opsionesh, në mënyrë që të ishin të përgatitur për të ndërmarrë hapa të njëanshme, nëse do të ishte e nevojshme”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney.
Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel, foli të enjten me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Moshe Ya’alon, për të marrë atë që Pentagoni e quajti raportin e izraelitëve mbi operacionin.
Pentagoni tha në një deklaratë se të dy vendet “kishin qenë në kontakte të vazhdueshme, që prej operacionit të ndalimit të Izraelit, duke u koordinuar gjerësisht përmes kanaleve ushtarake dhe inteligjente”.
Sekuestrimi tregon se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të akuzojnë Iranin si “përgjegjës për aktivitetet e tyre destabilizuese të rajonit, edhe pse amerikanët vazhdojnë përpjekjet për të zgjidhur shqetësimet mbi programin bërthamor të Iranit, përmes diplomacisë”, thuhej në deklaratë.
Top Channel