Moska kërcënon Uashingtonin

08/03/2014 00:00

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të mos ndërmarrin “hapa të papeshuar dhe të nxituar” për krizën në rajonin e Krimesë në Ukrainë.

Gjatë një bisede telefonike me homologun e tij amerikan, Xhon Kerri, Lavrov tha se “vendosja e sanksioneve ndaj Moskës, pa mëdyshje do të ketë një efekt bumerang ndaj vetë Shteteve të Bashkuara”. Departamenti Amerikan i Shtetit tha se kryediplomati amerikan “nënvizoi rëndësinë e gjetjes së një rruge kontruktive për të zgjidhur situatën në mënyrë diplomatike, e cila do të adresojë interesat e popullit të Ukrainës, Rusisë dhe bashkësisë ndërkombëtare”.

Dy diplomatët ranë dakord “të vazhdojnë bisedimet në ditët e ardhshme për menyrën se si do të vijohet përpara”.

Ministria e Jashtme e Rusisë akuzoi edhe Bashkimin Europian për “qëndrimin aspak kontruktiv” duke pezulluar bisedimet për të lehtësuar kufizimet e vizave për shtetasit rusë dhe për paktin e ri që do të zëvendësojë Marrëveshjen e Partneritetit dhe Bashkëpunimit mes Rusisë dhe BE-së të vitit 1997.

Ndërkohë, gjigandi rus i gazit, GAZPROM paralajmëroi Ukrainën se do të ndërpresë eksportin e gazit nëse nuk do të zgjidhë çështjen e borxhit, prej 1.89 miliardë dollarësh. Në vitin 2009, GAZPROM pezulloi furnizimin me gaz të Ukrainës, çka solli për pasojë kufizime në të gjithë Europën. Zyrtarët ukrainas thonë se shteti është thuajse në prag të falimentimit; do t’i duhen 35 miliardë dollarë për të tejkaluar krizën këtë vit dhe në vitin 2015.

Incidente në bazën e Sevastopolit

Trupat pro-ruse prej javës së kaluar kanë nën kontroll të plotë Krimenë. Më herët, mediat ndërkombëtare raportuan për tensione mes ushtarëve pro-rusë dhe ushtarëve ukrainas jashtë bazës së Sevastopolit, e cila përfundoi pa incidente.

Të premten, agjensia e lajmeve Interfaks-Ukraina citoi Ministrinë e Mbrojtjes e cila tha se “një kamion goditi dhe hapi portën e bazës së mbrojtjes ajrore A2355, jashtë qytetit të Sevastopolit dhe se “aty hynë 20 agresorë, duke hedhur granata tymlëshuese”.

Trupat ukrainase u izoluan brenda një ndërtese dhe komandantët e tyre nisën negociatat përpara se të qëllonin”. Korrespondenti i BBC-së, Kristian Frejzër, që ndodhej në vendngjarje, tha se portat nuk dukeshin të ishin goditur dhe rrëzuar nga ndonjë automjet dhe nuk kishte asnjë shenjë që baza të ishte vënë nën kontroll e forcave të tjera”.

Jashtë bazës Frejzër pa dy kamionë me simbolin e ushtrisë ruse, të rrethuar nga një turmë armiqësore protestuesish pro-rusë. Dy gazetarë që u përpoqën të bënin fotografi u rrahën keq. Më vonë, një oficer ukrainas i tha një gazetari të “Daily Telegraf” se tensioni përfundoi pas bisedimeve dhe kamionët e ushtrisë ruse dhe 30 apo 60 ushtarët rusë u tërhoqën.

Pentagoni vlerëson se 20 mijë trupa ruse ndodhen aktualisht në Krime, ndërsa për komandantët ukrainas në kufi, janë rreth 30 mijë. Presidenti rus, Vladimir Putin, këmbëngul se personat e armatosur nuk janë nën komandën e tij. Dimitri Peskov, zëdhënësi i shefit të Kremlinit foli në televizionin shtetëror rus të premten: “A mund të rri Rusia duarkryq kur rusët, diku në botë, veçanërisht në Ukrainën fqinje përballen me rrezik vdekjeprurës. Thirrjet për bisedime mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetesuara nga Perëndimi tha ai na bëjnë veçse të qeshim”.

Të enjten, parlamenti i Krimesë vendosi të zhvillohet një referendum me 16 Mars që ky rajon t’i bashkohet Rusisë dhe në përgjigje të kësaj, parlamenti rus premtoi se do ta mbështesë. Votimi cilësohet si i paligjshëm nga qeveria e përkohshme në Kiev. Presidenti rus, Vladimir Putin tha se shpreson që Lojërat Dimërore Paralimpike që u çelën të premten në Soçi do të ndihmojnë në uljen e tensioneve për Ukrainën.

Ekipi ukrainas përfaqësohet vetëm një atlet. Kreu i Komitetit Paralimpik Valeri Sushkeviç tha se kishte patur debate për pjesëmarrjen, por u vendos të marrin pjesë, përderisa kriza nuk ka përshkallëzuar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB