Krime, hiqet bllokada pas “negociatave”

08/03/2014 00:00

Një bllokadë e ushtarëve pro-rusë në një bazë ushtarake ukrainase jashtë qytetit të Sevastopolit, në Krime, raportohet të ketë përfunduar pa ndonjë incident.

Korrespondenti i BBC raporton të ketë parë dy kamionë nga Flota ruse e Detit të Zi, jashtë gardheve, të rrethuara me njerëz të armatosur. Por, asnjë e shtënë nuk është dëgjuar, teksa njerëzit e armatosur dhe kamionët raportohen të jenë larguar pas “negociatave”.

Ushtarë, që mbanin veshur uniforma ruse pa simbole, kanë bllokuar thuajse të gjitha bazat, që prej marrjes së kontrollit të Krimesë, javën e fundit.

Incidenti erdhi vetëm pak orë, pasi parlamentarët rusë premtuan të mbështesnin Krimenë, nëse ajo do të donte të bëhej pjesë e Rusisë.

Parlamenti i Krimesë bëri të ditur gjatë së enjtes se do të zhvillonte një referendum më 16 Mars, me mundësitë për të zgjedhur mes bashkimit me Rusinë, apo qëndrimit si pjesë e Ukrainës.

Votimi është denoncuar si i “paligjshëm” nga qeveria e përkohshme në Kiev, që erdhi në pushtet pasi presidenti Viktor Yanukovych u largua për në Rusi, muajin e kaluar, për shkak të protestave masive kundër qeverisë së tij dhe përplasjeve vdekjeprurëse me forcat e sigurisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB