Iran, Rouhani kundër çensurës në media

08/03/2014 00:00

Pas mbylljes së dy të përditshmeve në muajt e fundit, presidenti iranian Hassan Rouhani ka kritikuar rritjen e çensurës ndaj mediave.

Rouhani ka paralajmëruar se një gjë e tillë do të shtyjë iranianët të ndjekin mediat e huaja në internet dhe në televizionet satelitore.

“Përse kaq ngut për të mbyllur gazetat. Pa dyshim që në një shoqëri, nëse goja mbahet mbyllur dhe pena e thyer, nuk do të ketë më besim publik dhe sytë e veshët do të drejtohen tek opsionet e huaja”, ka thënë Rouhani.

Presidenti aktual i Iranit mbahet për një lider i moderuar, të paktën më ndryshe nga parardhësi i tij në këtë post Mahmoud Ahmadinejad.

Disa herë ai ka shprehur prirjen për të rregulluar marrëdhëniet e Republikës Islamike me Perëndimin, madje duke u bërë nismëtar edhe për një bisedë telefonike me homologun amerikan Barack Obama.

Megjithatë, pengesë në këtë drejtim mbetet programi bërthamor i Iranit, për të cilin është arritur një progres i vogël në bisedimet “5+1”, të cilat po ecin me ngadalë.

Nga ana e tij Teherani zyrtar pretendon se programi ka vetëm qëllime paqësore dhe se ka ulur shkallën e zhvillimit të uraniumit, por Perëndimi insiston në qëndrimin se vendi islamik po punon për t’u pajisur me bombën bërthamore.

Top Channel