Monika Stafa – Në përfytyrimin popullor të historisë njerëzore, qeniet
njerëzore kanë përparuar nga një gjendje e egër në të cilën jetonin si
grabitës dhe ku gratë tërhiqeshin nga flokët nëpër shpella, deri në një
shkallë qytetërimi ku burrave nuk u mungon dëshira për t’u dhuruar grave
një libër a një trëndafil gjatë një dreke pune.

Por ajo që është pjesë e një të vërtete është krejt ndryshe. Ashtu si burrat bëjnë luftë kundër kombeve pa konsideruar pasojat afatgjata, po kështu ata i persekutojnë gratë pa vënë re se në këtë mënyrë shkatërrojnë racën njerëzore. Gratë luftuan kundër ndryshimeve.

Legjendat apo mitet në Bibël dhe tekste të tjera antike dëshmojnë për një luftë shekullore mes sekseve. Lëvizjet sociale dhe politike të shekujve të fundit ishin themeluar mbi idealet e iluminizmit që shërbyen si udhërrëfyese të revolucioneve që sollën në fuqi elitën aktuale.

Por nuk mund të ketë një rast tjetër në botë, që njëri seks e dëmton tjetrin në mënyrë kaq të dukshme, sa të bën të dyshosh shpeshherë për shëndetin mendor të atyre që e inkurajojnë këtë sjellje. A mund të mbijetojë një specie kur gjysma e saj torturon sistematikisht gjysmën tjetër? Studimet historike thonë se patriarkati u shpik për t’i shtypur kokën grave, femrës, e cila dukej se rrëzëllinte frikshëm një energji për t’i realizuar synimet e saj.

Asgjë e rrezikshme deri këtu, por kur kontrolli mbi to bëhet i pamundur, ata padyshim do të përdorin të gjitha mënyrat për t’i shtyrë, detyruar dhe sforcuar gratë të vazhdojnë të pranojnë rolin dhe robërimin tradicional. Ka një mënyrë të menduari nga ata, se mëmësia nënkupton marrjen përsipër të një detyrimi dhe që herët në historinë njerëzore, është e njohur se gratë kanë marrë përsipër mirëqenien e racës njerëzore. Një zgjedhje jo e barabartë dhe jo vetëm biologjike për sa kohë në mbrujtjen e një embrioni të dy partnerët kanë rolin e tyre. Dhe pjesa më e madhe e tyre mendojnë më së shumti në variantin e lartmë. Burrat e kanë të nevojshme të kenë sigurinë e qenies grua – nënë, t’i sigurojnë ato ekonomikisht dhe personalisht. Por si erdhi burri deri te ky sistem? Pse e ndjeu të nevojshme këtë lloj hierarkie gjinore? Ç’pësoi rrugëve të historisë së njerëzimit? Shumë emra të njohur në shkencë, histori, biologji, kimi apo dhe mjekësi, po aq dhe në letërsi padyshim, nën emra të rremë, njohu bota përtej mijëvjeçarëve. Një tis i mbuluar me mister për këtë gjini, errësuar në mënyrë programatike për veprat që do të linin pas e jo vetëm, energjinë krijuese, të cilën gjinia tjetër do t’ia kish zili përjetësisht, ka udhëhequr botën pashmangshmërisht. Njeriu, gruaja, burri, ashtu si ishin në krye të herës, pazgjithshmërisht të barabartë me njëri-tjetrin, duhet të kenë pasur një mendje të njëjtë, njerëzorë, të ndryshme nga frymorët e tjerë, mendje androgjene. Dhe kish plotësisht të drejtë V. Woolf kur shkruante kështu. Një term që alarmoi qarqet botuese në Londrën e fillim shekullit të 20-të, përdorur për herë të parë nga shkrimtarja që dashuronte Prustin dhe urrente Xhoisin për mënyrën e turpshme si ai e shihte gjysmën tjetër të gjinisë, një çmenduri ndoshta jo aq fajtore e shkrimtarit të madh anglez. Pra kuptimi i parë në burim, “mendje njerëzore pa dallim” (fjala “androgjene” vjen nga e njëjta rrënjë e greqishtes që buron termi i mirënjohur “antropologji”, domethënë dije për njeriun), nuk do të shkaktonte asnjë shqetësim dhe nuk do të përcillte asnjë dilemë. Por koha nuk ishte në favor të grave dhe fuqisë apo vullnetit të tyre për të dhënë maksimumin, si dhe gjeneza biblike e fshehu deri më sot. Çfarë quhej “androgjene” – njerëzore në krye, më pas mori kuptimin “burrërore”. Në fakt për çfarë ta ketë pasur mendjen shkrimtarja me pezm të rëndë në monologjet e saj me fjalën androgjene, njerëzoren apo burrëroren? Në fjalorët etimologjikë të anglishtes, padyshim shmangie nga kuptimi i parë kanë pësuar edhe kuptimet e dy prej fjalëve më të përdorshme gjatë ligjërimit njerëzor: “male” (burrë) dhe “female” (grua). Jo, në burim ngjashmëria nuk është vetëm formale. Ngjashmëria është shumë më e thellë. E thellë sa dhe e pabesueshme. E risjellë në vëmendje, ky shpjegim më jep kënaqësinë po aq të lume sa dhe ç’kodifikimi i një sekreti, si ai i san-graalit, apo Marias së parë jobiblike, si papiruset që zbulojnë dorëshkrimet e fillesës së botës por që fshehin sekretin e fillesës së pushteteve. Në burim “male” dhe “female” kanë të njëjtin kuptim, janë sinonime, quhen ekzaktësisht kështu. Të dyja e përkthejnë fjalën në termin “njeri”, të njëjtin. Domethënë fillimisht “male” dhe “female” kishin kuptimin “njeri”, me një detajim fare të vogël, që nuk kishte të bënte me kurrfarë hierarkie gjenetike, thjesht bënte dallimin gjinor: “burrë” dhe “si-burrë”. Por më pas termat morën ngarkesa diferencuese. Mashkull dhe femër, burrë dhe grua, “male” dhe “female”, më shumë se ngjashmërinë (“burrë – si-burrë”) theksuan dallimin. Të njëjtin fat pësoi dhe “mendja androgjene” që përmend Woolf. Që nga ajo kohë baza e solidaritetit mashkullor është kundërshtia ndaj gruas dhe meqë qëllimi i tij është të mohojë lidhjen parësore me botën, pohimi i një solidariteti mashkullor nënkupton një formë të caktuar brutaliteti. Djemve iu mësua gjatë historisë së njerëzimit përçmimi dhe përbuzja e karakteristikave “femërore” që Woolf dhe fillesat i shenjonin, si keqardhja, ëmbëlsia dhe dashuria. Atyre iu mësua t’i zëvendësojnë ato me ashpërsinë, brutalitetin, agresionin ndaj së bukurës dhe së dashurës, bindshmërinë dhe respektin ndaj meshkujve të ashtuquajtur superior. Bota ndryshoi korsi, u krijua një lidhje e ndryshme nga ajo e dashurisë, një instrument për një të mirë më lart, për një qëllim të vetëm: Pushtetin. Ah, ç’kënaqësi duhet të të dhurojë, dëgjohet nga përtej! Por një përftim i tillë i nocionit të “mendjes androgjene” në botëkuptimin e zonjave nuk qe vetëm i periudhës komuniste tek i shihje ato, lart nëpër autokombajna apo Alpeve të Shqipërisë, kur ato nuk e kryenin pa dëshirën e tyre, zgjedhjen e Partisë. A nuk e shohim sa shumë u pëlqen zonjave që kanë pushtet në dorë të këlthasin sot si burrat në ekranet e televizioneve apo të “eksitohen” ndjeshmërisht kur në titujt e gazetave të përditshme i krahasojnë me forcën e tyre. Për turp për be, ka shkuar e gjithë gjinia jonë. S’ka më keq kur kërkon modele jashtë vetes! U pëlqen, të gjithave kur u thonë se janë amazonat e Kuvendit, e kur hiret femërore i kanë vetëm vizatime fëminore mbi shtat por mendjen e kanë humbur pas “të ngjashmëve” që i kërcënojnë me solidaritetin e tyre mashkullor. Dhe me mendjen e tyre ato e quajnë këtë emancipim. Sepse ky lloj emancipimi në thelb do të thotë të arratisesh nga vetvetja, do të thotë jo të mendosh ngjasimin, por ta bësh veten të ngjashme me dikënd tjetër, dhe ky është shtrembërimi. Një mendje tjetër ma thotë se janë ato vetë që e kanë inkurajuar këtë sistem sepse besojnë se kështu arrihet mirëqenia e fëmijëve të tyre dhe ndjenja e përgjegjësisë te burrat. Forcërisht kam menduar se do të filloj të besoj tek gruaja si “fe-male”, në kuptimin e parë etimologjik, atëherë kur ajo do të vendosë ta refuzojë “privilegjin” e një dite feste që ato e kanë në vit, të refuzojë të mbledhurit “grarishte” në restorante të mëdha, të refuzojë “të dehet” në lirinë e saj të të menduarit po aq sa dhe burrat, të refuzojë të protestojë në bulevard jo si zonjë tanimë, por si grua. Të dojë të kërkojë gjenezën e emrit të vet e jo të ngrejë organizata ujëlumë, në mbrojtje të të drejtave të saj, e ndaj kujt në fakt? Të refuzojë kompromiset që i zvjerdhin mendjen dhe i tresin shpirtin krijues, të dëshirojë të rebelohet po aq sa dhe shtrëngata e shiut pas një thatësire ditëshumë, të ringrihet e të dashurojë veten për t’u rilindur diku tjetër. Një ditë në vit sa për të manifestuar njëanshmërisht kuptimin e “mendjes androgjene” që përmend Woolf, nuk do t’ia lejoja kurrë vetes as madje për ta dëgjuar. Kjo vazhdon të mbetet një ditë ende që i shpëlan fytyrën shoqërisë që i zvarritet kuptimit të vërtetë të shprehjes së shkrimtares, “të njëjtët” si mendje njerëzore, e njëjta tek burri dhe e njëjta tek gruaja. Në vitin 1924, Woolf ishte e ndërgjegjshme për talentin e saj femëror poetiko –lirik. Ajo përsëriste shpesh se të gjithë ne, si qenie njerëzore, jemi fjalët dhe muzika e një kryevepre arti. Dhe si e tillë duhet pandashmërisht të nxisim mes dy gjinish, ndjesinë e ekstazisë ndaj jetës dhe rëndësinë që duhet të marrë çdo moment i saj. Ka të drejtë londinezja rebele në përshkrimin e saj, kur i konsideron qeniet njerëzore si Hijet që i kanë të nevojshme Hijet. Në fakt në historinë e njerëzimit deri më sot kjo është tërësisht e provuar, në rang shtetesh, qeverish apo dhe burrash e grash. Por Woolf nuk sqaronte diçka më tej. Mos vallë Hijet të cilave ajo u referohej, që ia kanë nevojën këtyre hijeve kanë të njëjtin fat si dhe hijet kanë? Të zhduken shpejt?

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA