Arabia Saudite përcaktoi ditën e premte Vëllazërinë Muslimane si një organizatë terroriste.
Në një deklaratë, ministria e Brendshme cilësoi gjithashtu dy grupet xhihadiste që luftojnë përkrah kryengritësve sirianë, Frontin e Al-Nusrës dhe Shtetin Islamik të Irakut dhe Levantit si grupe terroriste.
Në këtë deklaratë i jepet kohë të gjithë sauditëve që luftojnë në Siri 15 ditë kohë që të kthehen në vend.
Në rast të kundërt, të gjithë luftëtarët do të përballen me ndëshkime të rënda penale.
Me qindra sauditë besohet të jenë duke luftuar si pjestarë e grupeve xhihadiste në Siri dhe Riadi zyrtar duket i shqetësuar për rrezikun e radikalizimit të vendasve prej këtyre xhihadistëve, pas rikthimit të tyre në vend.
Ndonëse Mbretëria është një prej mbështetëseve kryesore të revolucionit që synon të rrëzojë nga pushteti presidentin Bashar al-Assad, Arabia Saudite prej kohësh ka filluar të tregohet e kujdesshme në lidhje me rrjedhojat negative që mund t’i sjellë vendit kjo aleancë.
Në muajin Shkurt, Mbreti Abdullah publikoi një dekret, i cili shpalli dënimin deri në 20 vjet burg çdo shtetas saudit që vërtetohet si i përket organizatave terroriste apo përfshihet në një luftë të huaj.
Top Channel