
Një aeroplan është detyruar të kthehet mbrapsht, vetëm pak pasi ishte ngritur nga aeroporti i “Heathrow” në Londër, pasi motori mori “superxhiro” në ajër.
Një dëshmitar tha se kishte parë flakë që dilnin jashtë motorit të avionit, ndërkohë që ishte ngritur nga aeroporti më 21:00 të së enjtes (22:00).
Kompania “British Airways” tha se fluturimi BA0364 drejt Lionit në Francë, u kthye mbrapsht në gjendje të sigurt, duke shtuar se aeroplani do të “kontrollohet tërësisht nga inxhinierët”.
Një zëdhënës tha se “siguria e klientëve tanë, ekuipazhit dhe avionit është me më shumë rëndësi”. Pista jugore u mbyll për rreth 16 minuta, tha një zëdhëse e aeroportit.
Tom Puttick, që punon pranë “Heathrow”-t, tha: “Isha te karburanti përballë aeroportit, ndërkohë që dëgjova një zhurmë të madhe dhe ktheva kokën. Aeroplani ishte i përfshirë nga flakët te motori dhe bënte ende një zhurmë ‘belbëzuese’, në momentin e uljes”.
Në një deklaratë, “British Airways” shtoi se “fluturimi u ndesh me një situatë të njohur si ‘superxhiro e motorit’, sapo ishte ngritur nga aeroporti i Heathrow, por tashmë është kthyer në tokë pa aspak rrezik. Kemi trajnuar pilotët në standardet më të larta, përfshi faktin se si mund t’i përgjigjen këtyre lloj ngjarjesh, ndaj dhe motori u fik menjëherë”.
Kompania ajrore tha se pasagjerëve të këtij fluturimi do t’u ofrohet akomodim në hotel përgjatë natës, teksa do të fluturojnë sërish ditën e premte.
Top Channel