
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka prishur marrëdhëniet diplomatike dhe të ngrijë lidhjet ekonomike me Panamanë.
Vendimi erdhi pasi shteti i Amerikës Qendrore kërkoi një takim në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS) për të diskutuar mbi krizën në Venezuelë.
Maduro ishte duke folur përpara krerëve të vendeve të tjera të Amerikës Latine, mbi eventet që do të shënonin përvjetorin e parë të vdekjes së ish-liderit Hugo Chavez. Të paktën 18 vetë kanë vdekur nga demonstratat në rrugë, gjatë 3 javëve të fundit.
“Kam vendosur të shkëpus lidhjet politike e diplomatike me qeverinë aktuale të Panamasë dhe të ngrij të gjitha marrëdhëniet tregtare e ekonomike, nga ky moment e në vazhdim”, tha Maduro, duke iu drejtuar presidentëve të Kubës, Raul Castro; Uruguajit, Jose Mujica; dhe të Bolivisë, Evo Morales; mes shumë të tjerëve të mbledhur rreth varrit të Chavez.
Presidenti i Panamasë, Ricardo Martinelli, u shpreh i surprizuar nga vendimi i Venezuelës. “Panamaja shpreson vetëm që kombi i vëllezërve tanë të gjejë paqe dhe të forcojë demokracinë e tij”, tha Martinelli, përmes një mesazhi në Tëitter.
Në deklaratën zyrtare të Panamasë thuhej se vendi ishte “çuditur” dhe i quante fjalët e Maduro-s si të “papranueshme”. “Vendimi i shpallur nga presidenti Maduro nuk duhet të bëhet një perde tymi, që fsheh realitetin”, lexohej në të.
Më herët, mijëra mbështetës të qeverisë dhe ushtarë morën pjesë në paradën gjigante përmes qendrës së Karakasit, duke përkujtuar vitin e parë të vdekjes së Chavez. Në pjesë të tjera të kryeqytetit, protestuesit anti-qeveritarë ngritën barrikada, pavarësisht një apeli të bërë nga liderët e opozitës të “respektonin” këtë datë.
Javën e fundit, qeveria në Panama kërkoi një takim urgjent të anëtarëve të OAS, për të diskutuar mbi trazirat në Venezuelë, ku qytetarët e këtij vendi ankohen prej kohësh për nivelin e lartë të krimit, inflacionit që ka arritur nivele rekord, dhe mungesës së ushqimeve bazë.
Top Channel