CIA shqyrton akuzat e bëra nga Senati

06/03/2014 00:00

Agjencia Qendrore e Inteligjencës po heton akuzat për monitorimin e paligjshëm të saj ndaj anëtarëve të Komitetit të Inteligjencës në Senatin amerikan.

Një mbikqyrës i brendshëm i CIA-s është ngarkuar me përcaktimin, nëse agjencia ka pasur akses në kompjuterat e stafit të Senatit.

Komiteti i Senatit, nga ana tjetër, është ngarkuar me hetimin e abuzimeve të mundshme në të kaluarën nga CIA, në kohën kur u pretenduan këto shkelje.

Kryetarja e Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura i quajti raportimet, nëse do të vërtetohen, si “një problem jashtëzakonisht serioz”.

Kryetarja e Komitetit të Inteligjencës në Senat, Dianne Feinstein, tha për mediat amerikane se inspektori i përgjithshëm i CIA-s, David Buckley, po kërkonte mbi veprimtarinë e oficerëve.

Monitorimi, i dyshuar si i pahijshëm, thuhet se ka ndodhur teksa komiteti po hetonte akuzat për abuzimet e CIA-s, që rrjedhin nga një program për ndalimin dhe marrjen në pyetje, që përdorej gjatë kohës së ish-presidentit amerikan George Ë. Bush.

Feinstein u ka thënë mediave amerikane më herët se “shqyrtimi gjithëpërfshirës” prej 6000 faqesh i komitetit, i përfunduar në vitin 2013, zbuloi se programi i CIA-s prodhoi shumë pak ose aspak zbulime të rëndësishme.

“Neë York Times”, ishte media që raportoi fillimisht akuzat, se CIA po monitoronte rrjetin e kompjuterave të Senatit, duke cituar një zyrtar në kushtet e anonimatit.

“Ky aktivitet, nëse ka ndodhur siç dyshohet, do të pengonte aftësinë e Kongresit për të kryer përgjegjësitë e tij kushtetuese të mbikqyrjes, si dhe mund të shkelë ligjet federale”, tha kryetari i Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, Carl Levin, përmes një deklarate gjatë së mërkurës.

Drejtori i CIA-s, John Brennan, reagoi me shpejtësi ndaj akuzave të Senatit, gjatë së mërkurës.

“Jam thellësisht i tronditur, që disa anëtarë të Senatit kanë vendosur të bëjnë akuza të rreme ndaj veprimtarisë së CIA-s, të cilat janë totalisht të pambështetura nga fakte”, tha ai. “Kam besim gjithashtu, se autoritetet përkatëse do të shqyrtojnë këtë çështje dhe do të përcaktojnë çdo gjë të gabuar, nëse ka, që mund të ketë ndodhur qoftë në degën e Ekzekutivit apo në atë të Legjislativit”.

Top Channel