ZAMIRA ÇAVO – Nëse do duhej të sistemizohej situata e shtetit shqiptar sot, do të thosha: Një gjyqësor që nuk funksionon.
Një President që nuk dekreton, (jo se ka arsye, por se “nuk i do qejfi”). Një qeveri që ndalon konkurset dhe e lë administratën mes njerëzve që drejtojnë, por nuk dinë se si, dhe atyre që dinë, por nuk duan të punojnë. Një kryetar i shërbimit inteligjent që përgjon policinë dhe elitën e re qeverisëse, në vend të krimit; një prokuror që thotë: fajin e ka “ndërrimi i kupolës së policisë”, në vend që të bashkëpunojë me të për të ndëshkuar krimin. Një opozitë e inkriminuar nga e kaluara qeverisëse që nuk po gjen dot rrugën e çlirimit dhe endet nën idenë terroriste “me 5000 vetë e hedh kur të dua qeverinë”… dhe një shoqëri që pret me zemër të ngrirë se si do rilindë Shqipëria.
E thënë kështu, duket gati e pashpresë gjendja. Unë them se legjitimiteti i pushtetit e lejon mundësinë e ndryshimit në thelb të situatës. Më 23 qershor, shqiptarët votuan pikërisht për ta ndryshuar këtë gjendje. Parlamenti ashtu si është, e ka në dorë TËRËSISHT të ndikojë në ndryshimin e gjendjes. Nëse nuk vepron, do të thotë se po humbet, ashtu si pa kuptuar, legjitimitetin e tij. Thelbi i gjithë ndryshimit qëndron në vullnetin dhe vizionin e njerëzve që janë në Parlament. Sa duan ata që të ndryshojë gjendja dhe sa janë të aftë ata ta bëjnë këtë! Mazhoranca ka legjitimitet për të vepruar shpejt dhe me përgjegjësi. Shqipëria tashmë nuk është si në ‘97-n apo 2005-n. Shqiptarët gjithnjë e më shumë e kuptojnë se e ardhmja e tyre nuk është çështje “besnikërie” ndaj liderit, por çështje e jetës së tyre. Ndaj nuk do të falin nëse kjo situatë nuk ndryshon. Sa të drejtë ka pasur Noli kur thoshte se punët e mëdha nuk kanë nevojë për shumë njerëz, por për njerëzit e duhur, në kohën e duhur dhe vendin e duhur!
Duket se edhe sot ky është problemi ynë kryesor. Pse e them këtë?
Së pari, historikisht populli ynë mund të klasifikohet si popull oral, shumë vonë e ka shkruar gjuhën e tij. Kjo do të thotë se te ne “ngjisin” më shumë të thënat. Këto “të thëna” na tregojnë se gjyqësori është kapur nga Berisha. Në këndvështrimin tim, gjyqësori është kapur nga korrupsioni dhe jo nga Berisha. Gjyqtarët shqiptarë kanë vetëm një idhull dhe ai padyshim nuk është Berisha, por “paraja”. Kaq e vështirë është të ndryshosh këtë kurs? Kaq e vështirë është të ndërmarrësh nisma ligjore që kanë në bazë luftën kundër këtij korrupsioni? Dhe unë po t’i drejtohem popullit, jam e bindur se do më përkrahë në nismën për një gjyqësor të pastër. Sigurisht, nëse unë vetë do të tregoja pastërtinë e figurës sime. Nëse mazhoranca ka ndërmend të luftojë korrupsionin, ka njëkohësisht dhe mundësinë legjitime për ta bërë këtë. Askush nuk mund të justifikohet.
Së dyti, në Shqipëri tritoli ka mundur të dalë si kryefjalë e kohës së fundit. Populli nuk do ta dijë se cili i nxit, si ka rënë në duart e individëve kjo sasi kaq e konsiderueshme tritoli, kush ka përgjegjësinë e kush ka fajin. Populli kërkon sigurimin e të drejtës më minimale: jetën! Qetësia publike është pa dyshim detyra nr.1 e çdo qeverie. Duket gati e pakuptimtë dhe paradoksale sjellja e qeverisë. Qeveria nuk ka pse justifikohet se SHISH nuk bën punën, por vepron në të kundërt, se prokurori nuk vepron… sepse legjitimiteti i qeverisë shkon përtej interesave partiake, parciale dhe individuale. Qeveria ka të drejtën legjitime të propozojë në Kuvend gjithçka që e mendon se bëhet në të mirë të sigurisë publike. Nuk ka më vend për justifikime! Dhe nëse opozita e pengon në këtë nismë, ta bëjë transparente nevojën e madhe të këtyre ndryshimeve.
Së treti, administrata publike ka mbetur e nderë mes ligjit, që ekziston dhe njëkohësisht nuk ekziston. Emërimet e reja shpesh janë kontestuar për shkakun e mosgjetjes së njeriut të duhur punës dhe për pasojë gjërat ngadalësohen. Por, nëse i shtojmë kësaj dhe faktin e gjetjes punë të “familjarëve” të deputetëve të koalicionit, të “miqve” të ministrave, të “krushqve” apo ku e di unë se çfarë, sigurisht që administrata publike ngec dhe kur ngec kjo administratë, ka ngecur shteti! Justifikimi është se opozita po qëndron fort për emërimet ndaj duhet bërë kujdes. Opozita ka siguruar familjarët e vet po në shtet dhe nuk është se po i vjen vërtet keq për largimet nga puna të militantëve të saj. Ajo kërkon që “familjarët” e saj të mos preken. Dhe kjo prekje është e dyfishtë. Nga njëra anë kërkojnë të mos largohen nga ministritë gratë, burrat apo fëmijët e tyre, dhe nga ana tjetër bëjnë presion që të mos “ndëshkohen” për krimet ekonomike që kanë bërë gjatë kohës kur kanë qenë në pushtet! Por mazhoranca e re e ka të gjithë legjitimitetin të zbatojë me korrektesë nevojën për ta ribërë me standarde administratën publike. E vetmja gjë që e pengon është “familja”, “miku”, e njohura apo i njohuri i deputetit apo ministrit…
Së fundmi, mazhoranca e ka të gjithë të drejtën legjitime që të ndëshkojë fajtorët e situatës së rëndë ekonomike e sociale. Ajo ka gjithë të drejtën të ndërmarrë nisma ligjore e të sekuestrojë pasurinë e paligjshme të individëve me ose pa pushtet. Madje e ka për detyrë ta bëjë. Nëse u largua Zana Xhuka, sepse nuk e kishte kryer mirë detyrën, tani Parlamenti duhet të ngulmojë që Institucioni i Deklarimit të Pasurive të kërkojë me insistim verifikimin e të gjitha pasurive të personave publikë. Madje, ta vërë para përgjegjësisë sa ligjore aq edhe publike këtë institucion. Dhe populli do fillojë të besojë se askush që ka përfituar në kurriz të tij dhe të ligjit, nuk mund ta gëzojë pronën dhe djersën e popullit. Nuk ka pse vazhdojmë të themi e stërthemi vesh më vesh e kafe më kafe se x ka kaq vila e y ka kaq pasuri e ky tjetri konsiderohet si më i pasuri i Ballkanit. Këtë thashethemnajë që shkërmoq kohezionin social e vë nën “fre” transparenca dhe sekuestrimi i pasurive të kriminalizuara. Në të kundërt do vazhdojmë të fryjmë thashethemin (më sipër e sqarova psikologjinë orale) dhe të humbasin besimin me thënien: Të gjithë njësoj janë!
Unë e di që do ketë lexues që do thonë “ta lemë qeverinë të punojë e të shikojmë”. Është një frazë komode për njerëzit që shpresën e kanë lidhur me këtë qeveri. Por nuk është ajo që duhet të bëjmë. Boll kohë kemi humbur dhe në udhëkryqin ku jemi, vetëm shpresa nuk mund të na sigurojë të ardhmen.
Gazeta “Shqip”
Top Channel