Venezuelë, përvjetori i Chavez me protesta

05/03/2014 00:00

Mijëra protestues në Venezuelë kanë marshuar nëpër rrugët e Karakasit, duke hedhur slogane kundër qeverisë socialiste të Nicolas Maduro. Ata kërkojnë gjithashtu lirimin e dhjetra aktivistëve të burgosur, që prej nisjes së demonstratave një muaj më parë.

Tensionet janë rritur përpara eventeve të planifikuara për kujtimin e përvjetorit të parë të vdekjes së ish-presidentit Hugo Chavez, gjatë orëve të pasdites së të mërkurës. Chavez ndërroi jetë nga kanceri, pas 14 vitesh në krye të Venezuelës.

Demonstrues opozitarë, të veshur kryesisht me të bardha, marshuan përgjatë periferive të klasës punëtore, që janë besnikë të qeverisë. “Diktaturë”, lexohej në një nga parrullat e tyre, teksa një tjetër shkruante “Ka pasur mjaftueshëm gaz lotsjellës, për ta bërë Venezuelën të qajë”.

Ashtu siç ka ndodhur edhe gjatë javëve të kaluara, grupe aktivistësh janë përplasur me policinë në lindje të Karakasit, bastion i opozitës. Chavez u pasua nga Maduro, i cili fitoi me një diferencë të vogël zgjedhjet e kontestuara kundër liderit të opozitës, Henrique Capriles, Prillin e kaluar.

Maduro premtoi t’i jepte vazhdimësi programit të reformave sociale të Chavez-it, apo “Revolucionit Bolivarian”, ashtu siç e kishte quajtur edhe presidenti i ndarë tashmë nga jeta.

Qeveria ka planifikuar disa ceremoni për të shënuar këtë ditë, por demonstruesit opozitarë kanë premtuar se do t’u kthehen rrugëve gjatë ditës.

“Ata po festojnë përvjetorin e një tirani. Duhet të rezistojmë”, tha Aquiles Aldazo, një 18-vjeçar, për agjencinë e lajmeve “Reuters”. Por, trashëgimia e Chavez lavdërohet nga shumica, veçanërisht nëpër lagjet e varfra të Karakasit, apo qyteteve të tjera venezueliane.

“Për mua, ai ishte diçka e jashtëzakonshme. Kam qarë shumë për të, më shumë se për familjen time”, tha Felida Mora, për agjencinë e lajmeve AP. Ajo udhëton të paktën 1 herë në muaj drejt kryeqytetit, për t’u lutur në kishën e improvizuar dedikuar presidentit të ndjerë.

Opozita fajëson politikat e majta përgjatë 15 viteve të kaluara, për inflacionin e lartë, mungesën e shumë prodhimeve dhe për krimin e shfrenuar.

Top Channel