
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka bërë thirrje për zgjerimin e kompensimeve fiskale për të varfërit dhe për një reduktim të lëshimeve fiskale ndaj të pasurve, në propozimin e tij për buxhetin vjetor.
Në buxhetin prej 3,9 trilionë dollarësh, ai kërkon të ketë një rritje të pagës minimale, si dhe për shpenzime të reja në infrastrukturë. Këto ndryshime do të reduktonin defiçitin buxhetor me 651 miliardë dollarë përgjatë dekadës së ardhshme.
Ky propozim nuk pritet të kthehet në ligj, por shihet si një deklaratë e prioriteteve të Partisë Demokratike përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit, në Nëntor.
“Buxheti ynë miratohet mbi bazën e zgjedhjeve dhe vlerave tona”, tha Obama në një konferencë për shtyp nga ambientet e një shkolle filloreje të Uashingtonit, ditën e martë. “Si komb, ne duhet të marrim një vendim, nëse do të shkojmë drejt mbrojtjes së lehtësirave për amerikanët e pasur, apo do të shkojmë drejt investimeve të zgjuara e të domosdoshme për krijimin e vendeve të punës, për të rritur ekonominë tonë dhe për të zgjeruar mundësitë për çdo amerikan”.
Në buxhet, presidenti demokrat propozon zgjerimin e kompensimeve të taksave, në favor të punëtorëve me të ardhura të ulta, që mbulojnë zakonisht punonjësit nga 21 vjeç deri në 67 vjeç, ashtu sikurse edhe për ata punonjës pa fëmijë.
Zgjerimi në fjalë do të ulte taksat për 13,5 milionë punëtorë me të ardhura të ulta, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.
Programi, mbi kompensimin e tatimit mbi të ardhurat e fituara, u krijua në vitet 1970 dhe është tepër popullor te shumica e demokratëve, por edhe te disa republikanë.
Për të paguar këtë zgjerim, që pritet të kushtojë rreth 60 miliardë dollarë përgjatë 10 viteve, Obama propozoi t’i jepej fund 2 lehtësirave fiskale, që shfrytëzohen zakonisht nga amerikanët e pasur. Njëra, e njohur si “zbritje e interesit”, kufizon taksat e paguara nga Fondi për mbrojtjen e super të pasurve dhe menaxherët e fondeve private të kapitalit, ndërsa tjetra ul taksat për disa punëtorë të vetëpunësuar.
Propozimi i buxhetit ripërpunon gjithashtu politikat e synuara më parë nga Obama. Ai bën thirrje për më shumë se 300 miliardë dollarë në përmirësimin e infrastrukturës, të investuara përmes ndryshimit të taksave ndaj biznesit, si dhe rritjen e investimeve për edukimin shkollor, të paguara përmes taksave më të larta ndaj duhanit.
Shtëpia e Bardhë vazhdon të përsërisë thirrjet për rritjen e pagës minimale federale, nga 7,25 në 10,1 dollarë në orë, si dhe për rritjen e përfitimeve nga papunësia, për ata njerëz që kanë kohë që kanë ngelur pa punë.
Obama propozon gjithashtu 56 miliardë dollarë shpenzime të reja buxhetore, përfshi 28 miliardë dollarë për kërkime në Mbrojtje dhe modernizimin e armëve, si dhe 28 miliardë dollarë të ndara mes teknologjisë arsimore, studimeve, trajnimeve për punësim dhe projekte të tjera.
Buxheti synon të reduktojë defiçitin vjetor të ekonomisë së SHBA-ve në 1,6% deri në vitin 2024, nga 3% që është ai i përllogarituri për këtë vit.
Top Channel