
Pas takimit në Paris me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, dhe ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Ukrainës, kryediplomati rus, Sergei Lavrov, tha se “diskutimet do të vazhdojnë ditët e ardhshme”.
“Ne ramë dakord të vazhdojmë diskutimet në ditët e ardhshme, për të parë se si mund të ndihmojmë në rastin më të mirë, të stabilizojmë dhe normalizojmë situatën dhe të tejkalojmë krizën”, u shpreh Lavrov.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se diskutimet ishin të ashpra, por ekzistojnë disa ide konkrete, mbi të cilat mund të punohet.
“Shtetet e Bashkuara janë gati të bashkëpunojnë me të gjitha palët, për të arritur sa më shpejt të jetë e mundur një zgjidhje. Ne i përsërisim thirrjen Rusisë për të folur drejtpërdrejtë me qeverinë e Ukrainës, për të kthyer mbrapsht trupat në bazat e tyre”, theksoi Kerry.
BBC raportoi se ministri i Jashtëm rus tha se palët kishin rënë dakord për të respektuar marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, e cila u firmos muajin e kaluar, nga ish-presidenti Viktor Yanukovych dhe opozita ukrainase. Por, Departamenti amerikan i Shtetit mohoi të ishte arritur një marrëveshje e tillë.
Edhe në Bruksel u zhvillua një takim mes NATO-s dhe Rusisë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se organizata po rishikon bashkëpunimin me Rusinë, ndërsa do të shtojë bashkëpunimin me qeverinë e Kievit.
Ndërkohë, mësohet se Kancelarja gjermane, Angela Merkel, bisedoi në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe të dy udhëheqësit – sipas Kremlinit – diskutuan lëvizjet e mundshme për të normalizuar situatën. Presidenti amerikan Barack Obama i telefonoi kryeministrit britanik, David Cameron, për situatën në Ukrainë, siç raporton agjencia e lajmeve “Reuters”. Ata ranë dakord se situata aktuale në Ukrainë është e papranueshme.
Siç raporton CNN, Rusia është paralajmëruar për sanksione, që do të diskutohen në mbledhjen e udhëheqësve të Bashkimit Europian, të enjten në Bruksel, nëse nuk shënohet progres. Por, këto masa – siç raporton media shtetërore ruse – nuk do të dëmtojnë Moskën. Nga ana tjetër, deputetët rusë po hartojnë një projektligj, si kundërpërgjigje, i cili do të lejojë konfiskimin e aseteve që i përkasin SHBA-ve dhe kompanive europiane.
Takimi i Parisit është parë si një mundësi për të testuar klimën, për të vendosur urat e dialogut për krizën në Ukrainë. Sekretari i Jashtem britanik, William Hage, tha se rusët nuk morën pjesë në një takim me ukrainasit në Paris dhe kjo nuk e bën optimist për arritjen e ndonjë progresi të mundshëm. Më herët, ministri i Jashtëm rus foli për dallimet që ekzistojnë mes Moskës dhe vendeve perëndimore, duke i akuzuar për një shembull të keq, për mbështetjen që i dhanë protestuesve ukrainas, që përbëjnë aktualisht qeverinë.
Por ai garantoi: “Rusia nuk do ta lejojë gjakderdhjen. Ne nuk do të lejojmë tentativat ndaj jetëve të qytetarëve rusë në Ukrainë. Sa për monitoruesit ndërkombëtarë, i takon popullit të Ukrainës dhe atij të Krimesë të vendosin nëse i duan apo jo”.
Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, OSBE, konfirmoi se ka dërguar 35 vëzhgues ushtarakë të paarmatosur, nga 18 vende europiane, pas kërkesës së paraqitur nga Kievi. Nuk është ende e qartë, nëse ata do të zhvendosen në Krime.
Më herët, Bashkimi Europian ofroi 11 miliardë euro ndihmë për Ukrainën, si dhe ngriu asetet e 18 ukrainasve. Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, tha se paketa e ndihmës do të ndihmojë qeverinë gjithëpërfshirëse. Ministri i Financave i Ukrainës tha se vendit të tij i duhen 35 miliardë dollarë për të shpëtuar ekonominë.
Ndërkohë është publikuar një bisedë telefonike mes shefes së Politikës së Jashtme, Catherine Ashton, dhe ministrit të Jashtëm të Estonisë, Urmas Paet, i cili i thoshte se “po forcohet idea në Ukrainë se ish-presidenti Viktor Yanukovych nuk është përgjegjës për vdekjet e policëve dhe protestuesve, gjatë përleshjeve muajin e kaluar, në Kiev”. Sipas tij, disa ukrainas besojnë se kanë qenë elementë brenda regjimit të ri të Kievit, që kanë vendosur snajperët.
Ministri i Jashtëm i Estonisë konfirmoi se biseda me shefen e diplomacisë së BE-së është zhvilluar më 26 Shkurt.
Top Channel