
Kina ka bërë të ditur objektivat për rritje ekonomike prej 7,5%, si dhe zbuloi planet për të rritur buxhetin e saj të Mbrojtjes me 12,2%, teksa ka nisur seanca e përvitshme buxhetore parlamentare në Pekin.
Çështje si lufta ndaj korrupsionit dhe mjedisi janë gjithashtu në axhendë, në Kongresin Kombëtar Popullor. Ndërkohë që nuk priten ligje të reja, apo amendime ligjore përgjatë këtij viti, seanca do të theksojë disa prej prioriteteve të qeverisë për vitin 2014.
Kongresi shënon gjithashtu 1 vit, që kur Xi Jinping u konfirmua si president i vendit. Takimi 10-ditor i rreth 3000 legjislatorëve nga delegacionet anembanë Kinës, nisi të mërkurën.
Kina e përshkruan Kongresin Kombëtar Popullor si “organin më të lartë të pushtetit qendror” të vendit. Gjithsesi, në praktikë, ai konsiderohet përgjithësisht si një “vulë gome” e Partisë Komuniste në pushtet.
Kryeministri Li Keqiang do të prezantojë një raport pune, ku nënvizohen objektivat për ekonominë e Kinës këtë vit. Sipas një kopje paraprake të deklaratës së tij, ai pritet të thotë se “probleme të rrënjosura thellë po na rrethojnë” dhe se “rregullime të dhimbshme strukturore janë të nevojshme për t’u bërë” për zhvillimin e mëtejshëm të Kinës.
Sipas fjalimit të tij, qeveria do të synojë të mbajë inflacionin në nivelin 3,5%.
Ndërkohë, rritja e buxhetit ushtarak vjen në vazhdën e tensioneve mes Kinës dhe disa prej fqinjëve të saj, përfshi Japoninë dhe Filipinet, për shkak të territoreve të diskutueshme mes tyre.
Në konferencën për shtyp të së martës, zëdhënësja e Kongresit (NPC), Fu Ying, tha se ushtria e Kinës është me karakter mbrojtës, por paralajmëroi vendet e tjera kundër “shkatërrimit të paqes dhe rendit në rajon”. “Bazuar në historinë dhe eksperiencën tonë, besojmë se paqja mund të ruhet vetëm me forcë”, tha ajo.
Siguria në Kongres pritet të jetë e fortë, pas sulmit masiv në stacionin hekurudhor në Kunming, në jug-perëndim të Kinës. 8 agresorë sulmuan njerëzit në stacion të shtunën, duke vrarë 29 vetë dhe duke plagosur mbi 130 të tjerë.
Zyrtarët akuzojnë separatistët nga Xinjiang, strehë e minoritetit të Ujgurëve-Muslimanë, për sulmin.
Top Channel