
Presidenti rus Vladimir Putin deklaron se ende nuk është e nevojshme për
të dërguar trupa ruse në Ukrainë, por ai nuk e ka përjashtuar këtë si
opsion.
“Rusia ka të drejtën të përdorë të gjitha mjetet për të mbrojtur qytetarët e saj në Ukrainë”, tha ai në një konferencë për shtyp të mbajtur paraditen e së martës.
Putin e cilësoi rrëzimin e presidentit Viktor Yanukovych në Kiev si “një grusht shteti anti-kushtetues dhe marrje ushtarake e pushtetit”. “Militantët futën vendin në kaos. Nacionalistët dhe anti-semitët ukrainas mbushën rrugët e Kievit dhe qyteteve të tjera”, tha shefi i Kremlinit.
Ai theksoi se, nëse populli rusisht-folës në lindje të Ukrainës do të kërkojë ndihmë nga Rusia, atëherë Moska do t’u përgjigjet atyre.
“Në Krime, persona pro-rusë të armatosur dhe civilë kanë rrethuar bazat ushtarake ukrainase, jo ushtarët rusë”, nënvizoi Putin.
Ai u shpreh më tej se zoti Yanukovych kishte rënë dakord me kërkesat e opozitës dhe insistoi se ai është ende presidenti legjitim i Ukrainës. “Ka vetëm tre mënyra ligjore për të larguar një president: vdekja, dorëheqja personale ose dërgimi në gjyq”, deklaroi sërish Putin.
Yanukovych fluturoi në Rusi dhe shefi i Kremlinit tha gjatë konferencës për shtyp se, “Nuk mendoj se ai ka një të ardhme politike”.
“Rusia e ka ndihmuar atë vetëm për arsye humanitare, sepse ndryshe do ta kishin vrarë”, theksoi Putin.
Ndërsa lidhur me samitin e grupimit G8, që është parashikuar të mbahët në Soçi, por që fuqitë perëndimore kanë paralajmëruar se do ta bojkotojnë, presidenti rus u shpreh edhe më i prerë, duke lënë të kuptohet se ky samit nuk i intereson shumë. “Askush nuk është i detyruar të vijë”, tha ai.
Më herët, presidenti Vladimir Putin urdhëroi kthimin në bazat e përkohshme të forcave ruse të angazhuara në stërvitjet ushtarake të nisura më 26 shkurt, në rajonet perëndimore dhe qendrore të Federatës Ruse.
Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas të cilit direktivat u dhanë nga presidenti, në cilësinë e komandantit suprem, pasi u informua mbi përfundimin pozitiv të manovrave ushtarake.
Gazprom anulon uljen e tarifave për Ukrainën
Duke filluar nga muaji prill, Rusia do të anulojë uljen e çmimit të gazit që i mundësoi në dhjetor Ukrainës e që ka bërë të ulet çmimi i metanit nga 400 ne 268.5 dollarë për 1 mijë metër kub.
Lajmin e ka bërë të ditur administratori i Gazprom, Alexei Miller. Gjiganti rus i gazit ka propozuar që Kievit t’i mundësohen 2 ose 3 miliardë dollarë për blerjen e gazit.
Kompania ka nënvizuar se Ukraina i detyrohet Rusisë 1.53 miliardë dollarë për metanin dhe që për të cilin dje në Kiev deklaruan se nuk janë në gjendje të paguajnë borxhin.
SHBA pezullojnë marrëveshjet ushtarake
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar të gjitha lidhjet ushtarake me Rusinë, përfshirë stërvitjet dhe takimet dypalëshe, ka njoftuar zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
Pezullimi është vendosur pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë, edhe pse Departamenti i Mbrojtjes ka interes në marrëdhëniet ushtarake me Rusinë, ka thënë Kirby.
“Këto interesa janë për të përforcuar transparencën, për të përmirësuar mirëkuptimin reciprok dhe për të reduktuar rreziqet. Sanksionet ndaj Rusisë do të vijnë me siguri brenda javës”, ka shtuar zëdhënësi.
Rusia: Sanksionet, heqim dorë nga dollari
Më herët gjatë ditës, Moska kërcënoi Perëndimin, e në veçanti Shtetet e Bashkuara, me anti-sanksione. “Nëse SHBA do të vendosin sanksione ndaj Rusisë, atëherë Moska do të detyrohet të heqë dorë nga dollari për valuta të tjera dhe të krijojë sistemin e vetë të pagesave”, deklaroi këshilltari ekonomik i Kremlinit, Serghiei Glaziev, i cituar nga agjencia “Ria Novosti”.
Por vetëm pak momente më vonë Moska u tërhequ nga kjo deklaratë. Një zyrtar i lartë i presidencës ruse tha se, deklarata përbën opinionin personal të këshilltarit Glaziev dhe jo qëndrimin e Kremlinit.
“Me siguri, Glaziev ka dhënë versionin e tij personal si akademik dhe jo si këshilltar i presidencës”, tha zyrtari sërish për agjencinë e lajmeve “Ria Novosti”.
Tymoshenko: Lufta ndryshon botën
Ndërkohë, ish-kryeministrja ukrainase, Yulia Tymoshenko ka dhënë për gazetaren e CNN intervistën e parë që pas lirimit nga burgu, ndodhur më 22 shkurt. Më e vendosur se kurrë, Tymoshenko ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe që të mos qëndrojnë indiferente.
“Ukraina është një hap larg luftës dhe nëse do të lihet vetëm dhe do t’i dorëzohet Rusisë, atëherë nuk do të ndryshojnë vetëm politika dhe jeta në Ukrainë, por edhe politika dhe jeta në të gjithë botën”, ka thënë Tymoshenko.
Top Channel