Historiku i një ligji të pazbatuar

04/03/2014 00:00

Ligji për Transportet në Republikën e Shqipërisë i vitit 1998 qëndron në fuqi prej rreth 16 vitesh dhe ndonëse asnje qeveri nuk e ka zbatuar ligjin, të gjitha qeveritë deri tani kanë nxjerrë udhëzime në favor dhe bazuar mbi të.

Ligji ndalon transportin e udhëtarëve me taksi në linjë të rregullt, duke ndarë kështu transportin ndërqytetas privat nga ai publik. Në nenin 37 të këtij ligji, në rastin kur autovetura taksi kryen shërbime jashtë territorit të rrethit ku është regjistruar, ajo lejohet të marrë në kthim udhëtarë vetëm në rrethin e regjistrimit të saj si dhe të njëjtët udhëtarë të cilët kanë rezervuar më parë në vajtje dhe kanë hipur në rrethin e regjistrimit të saj.

Në baze të këtyre dispozitave nis edhe historia e udhëzimeve të njëpasnjëshme. Në vitin 2004, një udhëzim i Ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit të asaj kohe, Spartak Poçi me anë të një udhëzimi kërkon që ‘Taksitë në kthim marrin udhëtarë vetëm pasi dalin jashtë juridiksionit të bashkisë pritëse’. ‘Taksia mund të marrë në kthim, në bazë të një dokumenti prenotimi ose rezervimi të njëjtët udhëtarë që ajo ka sjellë.

Në këtë rast, pjesë e dokumentave të kontrollit është dokumenti i prenotimit dhe rezervimit’. Me ardhjen në pushtet të qeverisë së demokratëve, ministri i asaj kohe i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Lulzim Basha udhëzon riformulimin e njërës prej pikave të udhëzimit të ish-Ministrit Poçi duke vendosur që: ‘Autoveturat taksi të kthehen bosh në rrethin e origjinës. Në kthim ato lejohen të marrin udhëtarë vetëm brenda territorit të rrethit, targën e të cilit mbajnë’.

Pra, duke e specifikuar në mënyrë më të drejtpërdrejtë ligjin e vitit 1998. Një tjetër udhëzim që synon përmirësimin e cilësisë në kontrollin e licencave autorizimeve dhe certifikatave që lëshohen në fushën e transportit rrugor është ai i vitit 2007 që mban firmën e Ministrit Sokol Olldashi.

Sipas këtij udhëzimi i cili vazhdon të jetë në fuqi, ndalohet shërbimi taksi i udhëtareve në linjë të rregullt. Në pikën 8 të dispozitave të përgjithshme thuhet se pika e nisjes së autoveturave taksi është brenda juridiksionit të bashkisë ku autovetura taksi është e licensuar, ndërsa sipas pikës 11 ‘Kur autovetura taksi kryen shërbime jashtë territorit të rrethit ku është regjistruar, ajo lejohet të marrë në kthim udhëtarë vetëm në rrethin e regjistrimit të saj si dhe të njëjtët udhëtarë që kanë rezervuar në vajtje dhe që kanë hipur në rrethin e regjistrimit të saj’.

Top Channel