“Shqip”, qeveria dhe sipërmarrja

03/03/2014 22:50

Dy ditë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar zyrtarizoi paketën e kredisë për qeverinë shqiptare, e cila do të kapë shifrën e 457,1 milionë dollarë. FMN bëri të ditur se kredia do të përdoret për të mbështetur programin e reformave të autoriteteve. Zyrtarizimi i kredisë i hap rrugën disbursimit të menjëhershëm të një fondi prej 36,4 milionë dollarësh.

Ku do të shkojë kjo shumë? Si do të përdoret nga ana e qeverisë shqiptare? Për këto dhe të tjera pyetje, në panelin e Shqip këtë të hënë me gazetaren Rudina Xhunga ishte i pranishëm Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj shoqëruar nga përfaqësues të sipërmarrjes, ata të cilët përfitojnë më së shumti nga kjo paketë, Nikolin Jaka nga Dhoma e Tregtisë, Luan Bregasi nga Albanian Bussines dhe Gjergj Luta, sipërmarrës i peshkimit dhe agro-kulturës.

Në fjalën e hapjes, Ministri Ahmetaj theksoi rëndësinë e vendimit të FMN-së, i cili sipas tij është historik dhe në radhë të parë, përpos shumës financiare ka një domethënie të vecantë; besimin e Fondit tek programi i qeverisë së re: “Është marrëveshje për stabilizim dhe rritje ekonomike. Pika e marrëveshjes është financimi i ekonomisë shqiptare në 463 mln dollarë në 3 vite. Optimizmi i parë vjen nga programi dhe ndihma që i jep FMN qeverisë për programin që konsiderohet i goditur për rritjen afatshkurtër dhe afatmesëm. Ky është hapi i parë që qeveria bën në aspektin e garantimit të asaj që vjen në 3 vitet e ardhshme, të kemi një politike ekonomike-financiare dhe fiskale shumë të qartë, që janë në funksion të rritjes ekonomike, që është emëruesi i përbashkët i gjithckaje. Kjo është një kredi që vjen në një moment shumë të duhur. Për herë të parë Shqipëria ka një marrëveshje të kësaj natyre me FMN, sepse cdo marrëveshja më parë kanë qenë shtrënguese. Është hera e parë që FMN jep para drejtpërdrejt në buxhet. Sepse në 20 vjet paratë shkonin në Bankat e Shqipërisë ku mbahej aty stok. Paratë do shkojnë në buxhetin e qeverisë me objektiva të qarta për borxhin publik, për shpenzimet buxhetore dhe për pagesën e detyrimeve që në vite e vite qeveria nuk i ka paguar biznesit”, tha Ahmetaj.

Kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka përshëndeti marrëveshjen me Fondin Monetar, pjesë e së cilës është bërë edhe sipërmarrja: “Kemi qenë prezent gjatë gjithë debatit dhe dialogut dhe në prezencën dhe detyrimin që FMN i kishte vënë qeverisë shqiptare dhe marrëveshja është një premtim i mbajtur dhe aq më tepër që është dhënë pa destinacion të qartë, me mirëbesim qeverisë shqiptare. Sipërmarrja ka qenë pjesë e dialogut dhe qeveria shqiptare ka nxjerrë shifrat që i detyrohet sipërmarrësve. Tashmë qeveria duhet të jetë e saktë për datën, muajin dhe këstet që do të paguhen detyrimet ndaj sipërmarrësve. Presim që qeveria dhe Ministria e Ekonomisë në vecanti të shpalosë afatet, kohën, mënyrën dhe sasitë e parave që do të shkojnë për sipërmarrësit”.

Ministri Ahmetaj tha se kjo procedura ka nisur tashmë dhe se brenda 18 muajve të gjitha borxhet ndaj biznesit do jenë të shlyera: “Qeveria shqiptare e ka bërë këtë. Kemi nisur që në fund të dhjetorit kur u shlye një masë e madhe detyrimesh të gjitha kompanive të punëve publike, por ka parime në strategjinë e borxheve të akumuluara nga qeveria, borxhi i deklaruar i pari do të paguhet i pari. Brenda  viteve të gjitha borxhet e deklaruara do të paguhen tek biznesi. Brenda 18 muaj do të jenë të shlyera të gjitha borxhet. Të gjitha do të ndahen në sektorë të ndryshëm, jo vetëm në njërin.

Gjergj Luta, sipërmarrës peshkimi dhe agro-kulture u ndal tek informaliteti, që sipas tij është problemi kryesor i ekonomisë shqiptare që duhet të gjejë zgjidhje sa më parë. “Jemi shkatërruar nga evazioni fiskal. Evazioni është problemi më i madh i ekonomisë shqiptare”, tha ai.

Luan Bregasi nga Albanian Bussines vlerësoi vendimin e qeverisë për të shlyer sa më parë sipërmarrësit: “Është një vendim shumë i mirë. Nuk e kanë për detyrim, por gjetën këtë tokë. Në këto situata shteti është kreditori më i besueshëm sepse është krijuar një klimë mosbesimi. Kjo do të qetësojë tregun dhe do të rrisë besimin e bankave për të dhënë më shumë kredi. Së pari qeveria duhet të jetë serioze me biznesin”.

Ministri Ahmetaj foli për skemën e shlyerjes së këtyre detyrimeve: “Pakënaqësi nuk besoj që do të ketë sepse do të jetë një procedurë dhe pagesat do të jenë transparente të kontrolluara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që është pjesë e kësaj. Shifra zyrtare që shkon për pagesën e detyrimeve, është 360 mln dollarë. Janë parashikuar në buxhetin e 2014 360 mln dollarë pagesa të borxheve të prapambetura dhe vitin tjetër është po kaq dhe ndoshta me parashikimin që ne bëjmë me ecurinë e të ardhurave ndoshta edhe mund të avancojmë”, tha Ahmetaj.

Nikolin Jaka  iu rikthye informalitetit si kancer i ekonomisë shqiptare. Ai kërkoi masat që janë marrë nga qeveria kundër këtij fenomeni. Ministri Ahmetaj tha se informaliteti është një sfidë e gjithë qeverisë, por do të kërkojë kohën e vet që reformat të japin efektin e tyre.

Në fund të pjesë së parë, Luan Bregasi vlerësoi punën e qeverisë. Ai tha se është një fillim i mirë, me disa vendime që i japin rol të rëndësishëm sipërmarrjes dhe biznesit dhe ka nisur të thithet mendimi i intelektualëve të biznesit. “Kredia i ka rritur pak shpresat sepse janë para që do të hidhen në treg”, tha ai.

Në pjesën e dytë të emisionit “Shqip”, Nikolin Jaka i drejtoi ministrit disa sugjerime, në lidhje me faturat, mbi paktin e propozuar të amnistisë fiskale për të zeruar detyrimet dhe e treta, Jaka kërkoi një qasje ndaj biznesit dhe sipërmarrësit. “Shpesh po shohim vizitat e kryeministrit dhe ministrit në çdo vend të Europës, por ne shqiptarët duhet të fokusohemi tek sipërmarrja vendase. Janë këto tre problem që shpresoj që ministri t’i ketë pjesë e axhendës së tij”, tha Jaka.

Përpara se ministri të merrte fjalën, Gjergj Luta, sipërmarrës i peshkimit dhe agrikulturës rekomandoi: “Unë dua të sqaroj diçka. Jaka tha që s’duhet të kthejmë kokën pas, por unë jam partizan që nëse nuk shohim me të kaluarën se dimë ku do të dalim, por duhet të shohim të kaluarën për të parë çfarë kasaphanë ka ndodhur në Shqipëri, sepse nëse do të kaloni këto probleme, ky vend s’do të bëhet kurrë sepse edhe nëpunësit tuaj do të thonë që janë të mbrojtur nga qeveria e mëvonshme. 15% tatimi? Në Kinë tatimi është 25%, unë kam prodhuar pesë anije atje dhe e di shumë mirë se si funksionin administrata kineze. Në Turqi 20% dhe problemi nuk është tek tatim fitimi, por tek administrata shtetërore, që nëse nuk e ndien veten palë me ne që të shtojmë fitimet për vete dhe për shtetin, nuk do të ketë të ardhme. Shteti duhet të mendojë si t’i vijmë në ndihmë jo privatit, por prodhuesit dhe duhet të ndjekim problemin e biznesit nga fillimi deri në fund”.

“Më duhet të të falenderoj Gjergj sepse preke thelbin, këtu nuk është puna se sa janë tatimet. Ti dhe sot shembull se si ekonomi zhvillohen me tatime shumë më të larta. Para zgjedhjeve bëmë një llogari dhe kuptuam që megjithëse tatim-fitimi ka qenë 10%, minimalja bizneset paguanin 22-24% e disa deri 300% të fitimit”, nisi fjalën e tij Ahmetaj.

“Abuzivizmi është shkatërrues për ekonominë dhe embrion arbitrariteti. Kur administrata sillet në mënyrë abuzive, atëherë krijon informalitet dhe nëse administrata tërhiqet në pozicionin e saj zyrtar dhe sillet me biznesin në mënyrë ligjore e të njerëzishme, të jeni të bindur që klima e biznesit do të na cojë në një hap të ri të zhvillimit ekonomik. Administrata ka detyrim të shërbejë, jo si bajraktarë dhe kjo mendësi, jo se erdhi PS e LSi në pushtet e do e ndërrojmë, por kjo mendësi do të dojë kohë të ndërrojë se është çështje kulture. Dua të them një thelb, nuk keni komunikuar kurrë kështu me qeverinë që kaloi si me këtë qeveri. Ne nuk kemi garë me atë që kaloi, kemi garë me atë që duam të arrijmë”, vazhdoi ministri.

“Ti Nikolin që ke ardhur në tryezë s’do të guxojë të flisje njësoj pak kohë më parë, por tani kemi krijuar Këshillin Ekonomik Kombëtar, që është një tryezë ku përfaqësuesit e biznesit janë pjesë dhe mund të debatoni me ministrin apo institucionet ndërkombëtare për çështjet me thelbësore, aty mund të drejtoni edhe ankesa specifike ndaj administratës apo individëve specifikë të saj kur mendoni që ju është shkelur e drejta. Ky është një hap shumë serioz. Së bashku me BERZHIN po ndërtojmë edhe Këshillin e Investitorëve, që do të jetë një instancë komplementare, ku investitorë vendas dhe të huaj të barazvlefshëm për ekonominë shqiptare, ku do të keni mundësinë të ankoheni, të dëgjoheni e të krijoni opinionin publik për politikat e madje edhe të loboni në qeveri. Ju komunikoni me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë pothuajse përditë, qoftë për t’u ankuar, qoftë për të kërkuar hapësira investimesh”, vijoi Ahmetaj.

“Vijmë tek formalizimi, që është sfida e një qeverisje dhe një brezi të tërë, e kësaj qeverie dhe asaj që do të vijë pasnesër e paspasnesër. Në finale, ajo që quhet qeverisja e mirë, pa formalizim nuk ka dot qeverisje të tillë. Formalizimi është një proces pasi është edhe i vështirë. Çfarë po bëjmë? Bëmë ndryshime në ligjin e administrimit, ndryshime në ligjin e TVSH ku përcaktuam detyrimin e  administratës për të paguar rimbursimin brenda 60 ditësh në mënyrë automatike, e kjo frenon krijimin e atij borxhi të ri ndaj biznesit dhe ul edhe motivimin e biznesit për të qenë informal. Me ndihmën e qeverisë sllovake, që është një shembull në uljen e informalitetit, po ngremë një system që do të aplikohet në mënyrë të përshtatur me sistemin shqiptar, në mënyrë që të ulet informalitetit tek TVSGH, apo elementë të tjerë që kanë të bëjnë me tatim-fitimin, akcizën, etj”, shtoi ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes.

Enkelejd Llanaj, redaktor i lajmeve ekonomike në “Top-Channel” ndërhyri në bisedë duke rekomanduar: “Ahmetaj ka marrë sot pozicionin e ministrit të Financave. Ai duhet të flsaë edhe për plane, projekte madhore apo mënyrat se si të zhvillohet ekonomia, si këto para që morrëm nga FMN do të japin efekt, si do të rritet punësimi, ndaj gama e diskutimit duhet të jetë pak më e gjerë se vetëm tatimet”.

Në cilësinë e përfaqësuesit të bizneseve të peshkimit dhe agrokulturës, Luta rimori fjalën duke thënë: “Mishi, peshku, bulmeti janë rritur si çmime. Bota e ka zgjidhur këtë edhe mallin vendas e të huaj i ka centralizuar në tregje që i ka dhënë në administrim privatit. Ka centralizuar dhe ka bërë kontroll fiskal e veterinar, por për të shkuar tek këto ka skema mbështetëse që duhen bërë mbi bujqësi e peshkim që janë shumë kryesore për të barazuar nivelin me vendet e tjera. Po të flasim për prodhimin e industrisë së sallamit nuk konkurron dot Bosnjen, Serbinë sepse kanë pasur politika 30-vjeçare për të ngritur prodhimin e mishit, por s’mund të lejosh që pa bërë këto politika t’i hapim rrugën e prodhimit Bosnjes dhe Serbisë që vijnë me një euro, kur kostoja e prodhimi shqiptar është 2 euro”.

“Përsa i përket zhvillimit, ne flasim për investitorë të huaj apo vendas, ne kemi bindje që ka mbaruar koha e zhvillimit kaotik dhe zhvillimi ka humbur disa gjeneratorë tradicionalë si ndërtimi apo remitancat. Fatkeqësisht ne s’kemi ende një krah të fortë eksportin, atëherë si do e financojmë zhvillimin ekonomik? Rritja nuk financohet nga buxheti,I cili është një instrument që përfaqëson politikën e qeverisë, por zhvillimi bëhet kur një ekonomi është e hapur, konkurruese dhe pa barriera për askënd dhe kur ka qeveri që stimulon zhvillimin me politika të ndryshme ose rrëzon barrierat që biznesi has në ditët e veta të zhvillimit të projekteve konkrete. Po ju marr një shembull, shikoni çka ndodhur në dy muaj me importe dhe eksporte, është rritur importi pra është rritur konsumi, pra importi tregon shenja me shifra dhe kishte rritje eksporte tekstilesh, ndaj fasonët po konsoldiohen dhe tërheqin investime nga vende të rajonit”, shpjegoi ministri Ahmetaj.

I pyetur për modelin e rritjes që do të aplikojë qeveria Rama, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregëtisë dhe Turizmit shtoi: “Thelbi i ribërjes së modelit është që një ekonomi nuk mund të mbijetojë duke marrë borxh pa fund, një ekonomi nuk mund të jetojë me pagesat e emigrantëve. Një ekonomi duhet të zhvillojë sektorët e vetë dhe cilët janë sektorët që ne mendojmë se ka potenciaë? Në studimin tonë kemi studiuar industrinë tekstile apo sektorët që janë rreth këtij graviteti që unë po i referohem me fasonë. Sot fasonët kanë afërsisht 100 mijë vende pune, kanë bukën e familjes në këtë sektor, e në bilancin tregtar, eksporti i tekstileve, këpucëve që ka të bëjë me fasonin është e vetmja shifër pozitive në krahasim me importin. Turizmi dhe bujqësia janë komplementarë, sepse për aq hektarë se ka bujqësia ka potencial për të thithur si investime vendase ashtu edhe të huaja. Kur flasim për modelin ekonomik i kthehemi asaj që nëse në 22 vjet nuk ka funksionuar, duhet ta bëjmë ndryshe. Si do e bëjmë ndryshe? Ndryshe do të merremi me sektorët ku kemi kapacitete, por jo duke mbrojtur biznesin vendas me proteksionizëm, por duke promovuar shembujt e suksesit. Ky shtet nuk mund të investojë para pa fund në bujqësi sepse nuk i ka ato kapacitete”.

I pyetur për problemin e të drejtave të paqarta të pronësisë, diçka për të cilën jemi kritikuar shpesh në raportet e ndërkombëtareve, në fund të emisionit të përjavshëm të Rudina Xhungës, ministri Ahmetaj shtoi: “Një qeverisje mund t’i duhet 4-12 vjet për të zgjidhur problemin e tokës, por qeveria nuk mund të qëndrojë duarkryq deri sa të zgjidhet dhe unë besoj në shembujt e suksesit. Disa ditë më parë kemi pasur një sipërmarrës argjentinas që promovon e bërjes shembull të zinxhirëve të ekonomisë. Ajo ideja e kooperativave nuk vjen nga mendja ime apo e dikujt tjetër, por nga nevoja. Nëse kemi një ngastër 100 hektarë ku pronësia është e paqartë, por përdorimi i qartë, bien dakord ata 5 fermerë që e përdorin të kalojnë në qartësinë e përdorimit të tokës e konribute që do të sjellin një prodhim të qartë bujqësor. Shqipëria nuk e ka luksin të jetë treg i mbyllur me 3 milionë banorë, çdo projekt duhet të ketë synim rajonal, sepse vetëm kështu mund të afrojmë investitorë të huaj që të shohin Shqipërinë si potencial investimi”, përfundoi ministri Ahmetaj.

Top Channel