570-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës

02/03/2014 00:00

Historia është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës së një vendi dhe ecurisë së tij. Ndaj, në 570-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, krerët e politikës shqiptare kanë theksuar rëndësinë dhe forcën që sjell bashkimi i shqiptarëve.

“Strategu brilant dhe kalorësi i pathyeshëm realizoi Besëlidhjen e Lezhës, të parën e shqiptarëve. I dha jetë shtetit më të njohur dhe më të fuqishëm të kohës. U farkëtua shpirti i arbërve dhe krenaria e tyre. U lartësua emri i popullit shqiptar”, tha Viktor Tushaj, kryebashkiak i Lezhës.

Kreu i Parlamentit shqiptar, Ilir Meta, tha se mesazhi që na përcjell historia, përmes Gjergj Kastriotit dhe Besëlidhjes së Lezhës, është një mesazh aktual edhe për Kuvendin e Shqipërisë.

“Sot, armiku kryesor i shqiptarëve është varfëria dhe papunësia, është ndarja e thellë dhe tensioni i panevojshëm politik. Këta janë armiqtë që na kërcënojnë neve, në rrugën tonë për një zhvillim më të shpejt dhe më të qëndrueshëm, në interes të të gjithë qytetarëve tanë. Askush nuk është dhe nuk duhet të jetë i tepërt në përpjekjet tona për të realizuar prioritetin tonë kombëtar, të integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe të shndërrimit të Shqipërisë e shoqërisë shqiptare në një vend e shoqëri europiane”, tha kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, u ndal te mesazhet e Kuvendit të Lezhës, të cilat mbeten të vlefshme edhe për Kuvendin shqiptar në ditët e sotme.

“Kontributi i të parëve tanë, në Mesjetën e hershme, në mbrojtjen e qytetërimit europian, është një kontribut që shqiptarët i kanë dhënë Europës në kohë të errëta të historisë së saj. Dhe është një mësim i mirë e i madh, me vlera aktuale, në kushtet kur sot Shqipëria aspiron të integrohet në Bashkimin Europian”, theksoi ministrja Mimi Kodheli.

Më pas, artisti Mirush Kabashi ka interpretuar disa pjesë nga historia. Ndërkaq, në Muzeun Historik shqiptar janë risjellë pjesë të rëndësishme të Besëlidhjes së Lezhës, përpara gjimnazistëve të shkollës “Petro Nini Luarasi”.

Top Channel