SHBA bën thirrje për dialog në Venezuelë

01/03/2014 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i ka bërë thirrje qeverisë venezueliane të zhvillojë bisedime me studentët protestues, teksa numri i viktimave nga demonstratat në mbarë vendin ka shkuar në 17, ndërkohë që marshime të reja janë planifikuar në Karakas.

“Ata duhet të përpiqen të sigurojnë dialogun mes tyre, t’i bashkojnë njerëzit dhe të zgjidhin problemet e tyre”, tha Kerry për reporterët në Uashington, ditën e premte, duke ripërsëritur kritikat e tij ndaj qeverisë së Maduros për përgjigjen me dorë te hekurt ndaj protestave.

“Duam të shohin dialog në Venezuelë, jo arrestime dhe dhunë nëpër rrugë”, tha Kerry, duke shtuar se SHBA-të po punojnë me Kolumbinë dhe vende të tjera për të forcuar përpjekjet për ndërmjetësim.

“Ata duhet të ulen së bashku dhe të flasin për të ardhmen e Venezuelës, se si mund të ndikojnë në këtë të ardhme në mënyrë paqësore dhe me përgjegjshmëri”, shtoi ai.

Ndërkohë, korrespondenti i Al Jazeera-s në qytetin industrial të Valencia-s, tha se “thirrjet nga SHBA për dialog, me shumë mundësi nuk do të ndikojnë aspak për mirë, pasi qeveria beson se Uashingtoni dhe aleatët kolumbianë të tyre mbështesin protestat”.

Presidenti i Uruguajit, Jose Mujica, është ofruar si ndërmjetësues, nëse ai ftohet nga të dyja palët, teksa konsiderohet si një njeri më i besueshëm për autoritetet venezueliane. Brazili gjithashtu ka besueshmëri të lartë për të bashkuar të dy palët, por deri më tani nuk kanë bërë ndonjë ofertë publike.

Duke qenë se nuk ka asnjë shenjë tolerimi pas 3 javësh tubimesh dhe përshkallëzimi dhune, studentët dhe disidentë u mblodhën në kryeqytet, të premten, për të denoncuar shkeljen e të drejtave të njeriut nga ana e policisë.

Ndërkaq, qeveria venezueliane njoftoi një rritje të numrit të viktimave nga protestat dhe tha se deri më tani po hetohen rreth 27 raste të abuzimeve ndaj të drejtave të njeriut.

Disa prej vdekjeve u janë atribuuar përplasjeve të dhunshme me policinë, por të tjerë viktima janë qëlluar nga njerëz të paidentifikuar dhe të armatosur. Qeveria ka mohuar lidhjet me të tilla vrasje, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB